Feja Islame
Es Selam Alejkum
Mirë se erdhët në Forumin islam! Me sa duket ende nuk jeni regjistruar.

Muhamedi s.a.v.s

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Muhamedi s.a.v.s

Mesazh nga Ebu Muadh prej Tue May 25, 2010 12:03 am

Profeti si themeluesi i Islamit dhe i dërguari i shpalljes së Zotit për gjithë njerëzimin është interpretuesi par excellence i librit të Zotit. Hadithet dhe Syneti i tij janë, pas Kuranit, burimi më i rëndësishëm i traditës islame. Në mënyrë që të kuptojmë domethënien e profetit nuk është mjaftueshme të studiojmë, prej së jashtmi, tekstet historike për flasin për jetën e tij. Duhet që ta shohim figurën e tij për nga brenda këndvështrimit islam e të përpiqemi të zbulojmë pozitën që zë ai në ndërgjegjen e myslimanëve. Kur në çdo gjuhë të përdorur nga myslimanët dikush thotë fjalën profeti ai ka për qëllim Muhamedin (a.s.), emri i të cilit nuk përmendet pa u shoqëruar në shenjë nderimi nga formula "sal Allahu alejhi ve selam", që do të thotë "bekimet dhe përshëndetjet e Zotit qofshin mbi të".
Madje mund të themi, në përgjithësi, se kur ndokush thotë fjalën profeti ai nënkupton profetin e Islamit, ndonëse në çdo religjion themeluesi, i cili është një aspekt i Intelektit Universal, bëhet Aspekti, Fjala, Mishërimi, megjithatë çdo themelues thekson një aspekt të së Vërtetës dhe madje e karakterizon atë aspekt universalisht. Ndonëse në shumë religjione ekziston besimi në mishërim, kur dikush e thotë këtë fjalë në kontekstin abrahamik ai i referohet krishtit i cili e personifikon këtë aspekt. E ndonëse çdo profet dhe evlija ka përjetuar "ndriçimin", Ndriçimi i referohet Budës i cili është trupëzimi më i shquar dhe universal i kësaj eksperience. Në të njejtën mënyrë profeti i Islamit është prototipi dhe trupëzimi i përsosur i profecisë e në këtë mënyrë në një kuptim më të thellë ai është Profeti. Në fakt, në Islam çdo formë e revelatës përshkruhet si një profeci, realizimi i plotë i të cilës shihet te Muhamedi (a.s.). Siç e ka shprehur edhe poeti sufi Mahmud Shabistari në librin e tij të mrekullueshëm Gulshan-i raz (trëndafili i fshehtë i kopshtit).
Tek Ademi u shfaq profetësia,
tek "vula e profetëve" u përsos ajo"
Është e vështirë për një jomysliman të kuptojë domethënien shpirtërore të profetit (a.s.) dhe rolin e tij si prototip i jetës shpirtërore dhe fetare, veçanërisht nëse personi vjen nga një mjedis i krishterë. Duke e krahasuar me Budën dhe Krishtin jeta tokësore e Muhamedit (a.s.) shpesh duket si tepër njerëzore, shumë e përfshirë në ngjarjet shoqërore, ekonomike dhe politike për të qenë një model për jetën shpirtërore. Kjo është arsyeja përse shumë njerëz që shkruajnë në ditët tona për figurat e mëdha shpirtërore të njerëzimit nuk janë në gjendje ta kuptojnë dhe ta interpretojnë jetën e tij në mënyrë dashamirëse. Në një farë mënyrë është më e lehtë për një të krishterë të shohë rrezatimin shpirtëror të Krishtit madje edhe të ndonjë shenjtori mesjetar, i krishterë apo mysliman qoftë, se sa atë të profetit, ndonëse profeti është "shenjti" më i madh Islam pa të cilin në Islam asnjë shenjtëri nuk do të ishte e mundur.
Arsyeja për këtë vështirësi është se jeta shpirtërore e profetit është e fshehur pas natyrës njerëzore, pas detyrimeve të tij si udhëzues i njerëzve dhe lider i bashkësisë. Është funksion i Profetit të qenurit jo vetëm guidë shpirtërore, por gjithashtu edhe organizator i një rendi të ri shoqëror me gjithçka që një funksion i tillë nënkupton. Është pikërisht ky funksion i qenies së tij që fsheh dimensionin e tij pastërtish shpirtëror nga sytë e jomyslimanëve. Jomyslimanët e kanë kuptuar gjenialitetin e tij politik, oratorinë e tij të lartë, aftësinë e lartë të udhëheqjes, por pak prej tyre kanë kuptuar se si mund të jetë ai drejtuesi shpirtërorë dhe fetarë dhe se si mund që jeta e tij të merret si model nga ata të cilët synojnë shenjtërinë. Kjo është veçanërisht e vërtetë në botën moderne në të cilën religjioni shihet si i ndarë nga jeta publike dhe ku shumica e njerëzve modernë e kanë të vështirë ta imagjinojnë se si mund një qenie shpirtërore të përfshihet në aktivitete intensive politike dhe shoqërore.
Nëse duam me të vërtetë ta kuptojmë personalitetin e profetit nuk duhet ta krahasojmë atë më Krishtin apo Budën, mesazhi i të cilëve i drejtohej kryesisht njerëzve të shenjtë dhe që themeluan një bashkësi të bazuar mbi një jetë murgërore e cila më pas u bë norma e të gjithë shoqërisë. Përkundrazi, për shkak të rolit të tij të dyfishtë si mbret dhe profet, si udhëzues i njerëzve në këtë botë dhe tjetrën, profeti duhet krahasuar me figurat e mëdha të Dhjatës së Vjetër, me Davidin, Solomonin, veçanërisht me Abrahamin. Ose për të cituar një shembull jashtë traditës abrahamike, më saktësisht në Hinduizëm, lloji shpirtëror që përfaqësonte Muhamedi ngjan me Ramën dhe Krishnën të cilët, ndonëse në një mjedis tradicional krejt të ndryshëm, ishin avatara dhe në të njëjtën kohë mbretër, kryetarë familje të cilët merrnin pjesë aktive në shoqëri me gjithçka që ky funksion parashikon, siç tregohet në Mahabrarata dhe në Ramajan-ën.
Kjo lloj figure e cila është njëkohësisht një qenie shpirtërore dhe "një lider i njerëzve" ka qenë gjithnjë, le të themi, e rrallë në krishterimin perëndimorë, veçanërisht në kohët moderne. Jetë politike është ndarë kaq shumë nga parimet shpirtërore saqë shumë njerëzve një funksion i tillë i duket i pamundur. Për të vërtetuar këtë perëndimorët shpesh i referohen thënies së Krishtit: "Mbretëria ime nuk është e kësaj bote". Madje edhe historikisht perëndimi nuk ka dëshmuar shumë figura të këtij lloji, përjashto këtu ndoshta templarët e në një tjetër kontekst mbretër të devotshëm si Karli i Madh dhe Luigji. Për këtë arsye figura e profetit është e vështirë për tu kuptuar nga një perëndimor dhe ky keqkuptim, pa përjashtuar shpesh edhe qëllimet e këqija, është përgjegjës për mohimin e natyrës së tij të pastër shpirtërore në shumë nga librat e shkruar për të në gjuhët perëndimore. Mund të themi se nga pjesët thelbësore të Islamit rëndësia e vërtetë e profetit është më pak e kuptuara nga jomyslimanët e veçanërisht nga perëndimorët.
Profeti ka marrë pjesë në jetën shoqërore në kuptimin e plotë të fjalës. Ai u martua, ishte një kryetar familje, ishte një baba e mbi të gjitha ai ishte një udhëheqës dhe gjykatës e mori pjesë në shumë luftëra në të cilat përjetoi sprovime të mëdha. Ai përjetoi shumë mundime dhe ju desh të përjetonte të gjitha vështirësitë që jeta njerëzore e veçanërisht ajo e themeluesit të një shteti dhe shoqërie të re parashikon. Por pavarësisht nga të gjitha këto veprimtari zemra e tij mbeti gjithnjë në kënaqësi me hyjnoren, e ai vazhdoi së brendshmi të prehej në paqen hyjnore. Në fakt pjesëmarrja e tij në jetën shoqërore e politike kishte si synim pikërisht integrimin e kësaj sfere në qendrën shpirtërore. Profeti, gjithsesi, nuk kultivonte asnjë ambicie politike apo të kësaj bote. Ai ishte për nga natyra soditës. Para se të zgjidhej si profet atij nuk i pëlqente të merrte pjesë në grumbullimet dhe aktivitetet shoqërore. Ai udhëhoqi një karvan nga Meka për në Siri duke kaluar përmes heshtjes madhështore të shkretëtirës, "pafundësia" e të cilit i nxit njerëzit drejt meditimit. Shpesh ai kalonte kohë të gjata në shpellën Hira në vetmi dhe meditim. Ai nuk e shihte veten se ishte për nga natyra një njeri i kësaj dynjaje apo një nga ata kurejshit të cilët ishin të prirur drejt kërkimit të pushtetit politik, apo të kërkimit të famës shoqërore në rrethet e Mekës, ndonëse ai vinte prej një familjeje fisnike. Në fakt ishte shumë e vështirë dhe e mundimshme për atë të pranonte barrën e përgjegjësisë së profecisë e cila nënkuptonte jo vetëm themelimin e një feje të re por gjithashtu edhe themelimin e një rendi të ri politiko-shoqërorë. Të gjitha burimet tradicionale dëshmojnë mundimet e mëdha që kaloi profeti duke u përzgjedhur të marrë pjesë në jetën aktive në formën e saj më të lartë. Studimet bashkëkohore mbi jetën e profetit të cilat e përshkruajnë atë si një njeri që kënaqej nga lufta janë krejtësisht të pavërteta madje e kundërta e personalitetit të profetit. Menjëherë pas pranimit të shpalljes së parë profeti i rrëfeu gruas së tij Hadixhes se sa e vështirë ishte për të pranonte barrën e profecisë dhe se sa i frikësuar ishte ai me atë që nënkuptonte ky mision.
E njëjta gjë vlen edhe për martesat e profetit, ato nuk janë absolutisht shenja të prirjes së tij drejt epshit. Gjatë rinisë, kur pasionet janë të forta, profeti ishte i martuar vetëm me një grua e cila ishte shumë më e moshuar se ai, e para kësaj ai kishte kaluar një periudhë të gjatë abstinence seksuale. Martesat e tij kishin karakter politik të cilat, duke pasur parasysh strukturën shoqërore arabe, garantonin konsolidimin e shoqërisë myslimane të sapoformuar. Martesat e shumëfishta për të, siç konceptohen edhe në Islam, ishin më shumë përgjegjësi dhe mjet për integrimin e shoqërisë së sapoformuar myslimanë se sa kënaqësi. Për më tepër, në Islam çështja e seksualitetit shihet në një këndvështrim tjetër nga ai i krishterimit. Seksualiteti është i shenjtë në Islam e ai nuk duhet gjykuar nga standarde të krishtera. Martesat e shumëfishta të profetit larg së qenuri shenja për prirjen e tij drejt kënaqësive "mishore", simbolizojnë natyrën e tij patriarkale dhe funksionin e tij, jo si një shenjtor që heq dorë nga bota, por si një njeri që shenjtëron jetën e botës duke jetuar në të dhe duke e pranuar atë me synimin që ta integrojë atë në një rend më të lartë të realitetit.
Profeti, gjithashtu, është kritikuar nga autorët bashkëkohorë se ka qenë mizor dhe se i ka trajtuar armiqtë e tij në mënyrë të vrazhdë. Një akuzë e tillë është sërish absurde sepse kritikë të këtij lloji harrojnë që një religjion mund të jetë kundër kësaj botë, si në rastin e Krishtit, ose mund ta integrojë botën në sfera më të larta, në këtë rast ai duhet të trajtojë tema të tilla si lufta, ndëshkimi, drejtësia etj. Kur Karli i madh ose ndonjë mbret tjetër i krishterë e ngulte shpatën në gjoksin e një ushtari të pafe, ai duke u nisur nga këndvështrimi individual po tregohej mizor me atë ushtarë, por në planin universal ky veprim ishte i nevojshëm për ruajtjen e civilizimit të krishterë të cilit i duhej të ruante kufijtë e tij ose përndryshe të zhdukej. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për një mbret ose udhëheqës budist, ose çdo autoritet tjetër religjioz që përpiqet të integrojë shoqërinë njerëzore.
Profeti ka treguar mirësinë më të madhe të mundshme dhe është treguar i ashpër vetëm me tradhtarët. Tani, një tradhtarë që ngrinte krye kundër bashkësisë religjioze të sapoformuar, e cila mishëronte vullnetin e Zotit, ekzistenca e të cilës ishte një mëshirë nga "qielli" për të gjithë njerëzimin, në të vërtetë është një tradhtarë kundër vetë të Vërtetës. Ashpërsia e profetit në këto raste është shprehje e drejtësisë hyjnore. Asnjë njeri nuk mund ta akuzojë Zotin si mizorë për shkak se njerëzit vdesin, apo për shkak se në botë ekzistojnë sëmundjet dhe gjëra të liga. Çdo ndërtim nënkupton edhe një shkatërrim, një pastrim të territorit për të bërë të mundur shfaqjen e formës së re. Kjo është e vërtetë jo vetëm në rastin e strukturave fizike, por edhe në rastin e revelatës së re e cila duhet të pastrojë terrenin nëse dëshiron të ndërtojë një shoqëri dhe rend politik të ri si dhe një rend religjioz. Ajo që shumë vetëve i duket si mizori nga ana e profetit kundrejt njerëzve është pikërisht ky aspekt i funksionit të tij si instrument i Zotit për themelimin e një rendi të ri botërorë qendra e të cilit (Arabia) duhet pastruar nga çdo paganizëm dhe politeizëm i cili, nëse është i pranishëm, mund të ndyjë origjinën e këtij burimi të ri jete. Sa i përket gjerave që kishin të bënin me të, profeti ka qenë gjithnjë mishërimi i mirësisë dhe bujarisë.
Në asnjë vend tjetër nuk shfaqet fisnikëria dhe bujaria e profetit më shumë se sa në hyrjen e tij triumfale në Mekë, e cila në një farë mënyrë reflekton karrierën e tij tokësore. Në Mekë, në një çast ku njerëzit të cilit i kishin shkaktuar atij mundime dhe sprova të pashprehshme ishin krejtësisht të nënshtruar, në vend të që kërkonte hakmarrje, e cila në një farë mënyrë ishte e drejta e tij, ai i fali ata. Për ta kuptuar më mirë se sa bujar ishte ky akt duhen shqyrtuar me vëmendje pengesat e paimagjinueshme, vuajtjet e pamasa që këto njerëz i kishin shkaktuar atij. Nuk është e nevojshme të kryejmë këtu një rrëfim apologjetik për jetën e profetit, por këto fakte duhen treguar për arsye se akuzat e dashakeqe dhe të gënjeshtërta për mizori që janë ngritur kundër tij, në shumë vepra bashkëkohore, e bëjnë njohjen e figurës së vërtetë të tij nga ata që dëshirojnë ta njohin atë të pamundur.
Po ashtu profeti ishte i dashur dhe i mëshirshëm. Shumë ngjarje në jetën e tij dhe shumë thënie të tij që janë ruajtur në literaturën e hadithit tregojnë qartë dashurinë e thellë të tij për Zotin e cila, në përputhje me normat e përgjithshme islame, nuk ka qenë asnjëherë e ndarë nga dija për Të dhe nënshtrimi ndaj vullnetit të Tij. P.sh., në një hadith të mirënjohur, ai ka thënë: "O Zot, më dhuro mua dashurinë Tënde. Më mundëso të dua ato që do ti. Mundësomë që të bëj vepra të cilat më sigurojnë dashurinë Tënde. Ma bëj dashurinë Tënde më të dashur se veten, familjen dhe shëndetin tim." Thënie të tilla dëshmojnë se ndonëse profeti ishte në një farë mënyre një mbret, udhëheqës i bashkësisë dhe një gjykatës të cilit i është dashur të veprojë sipas drejtësisë brenda të gjithave mundësive të tij, ai njëkohësisht ishte një njeri, qenia e të cilit ishte e lidhur pas dashurisë së Zotit. Përndryshe, ai nuk do të kishte qenë një profet.
Nga këndvështrimi mysliman, profeti ishte simboli i përsosmërisë si i qenies njerëzore ashtu edhe i shoqërisë. Ai ishte prototipi i individit njerëzorë si dhe summa i bashkësisë njerëzore. Si i tillë në sytë e myslimanëve tradicional ai përmbante disa karakteristika të cilat mund të zbulohen vetëm duke studiuar tregimet tradicionale në lidhje me jetën e tij. Shumica e veprave të shkruara për profetin, me pak përjashtime, janë të mangëta nga ky këndvështrim, nuk ka rëndësi se sa të dhëna historike ato servirin për lexuesin. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për llojin e ri të biografive për profetin që shkruhet nga myslimanët e modernizuar të cilët dëshirojnë me çdo kusht që ta shfaqin profetin si një njeri të zakonshëm duke neglizhuar krejtësisht dhe sistematikisht çdo aspekt të qenies të tij e cila bie në kundërshtim me strukturën humaniste dhe racionaliste të cilën ata e kanë përqafuar a priori, qoftë kjo për shkak të reagimit kundër ose ndikimit nga këndvështrimi perëndimorë. Karakteristikat e thella të profetit të cilat kanë udhëhequr bashkësinë islame përgjatë shekujve e që kanë lënë një shenjë të pashlyeshme në ndërgjegjen e myslimanëve nuk mund të shquhen ndryshe vetëm se duke shqyrtuar hadithet dhe burimet tradicionale, e natyrisht edhe vetë Kuranin i cili i sjell lexuesit aromën e shpirtit të personit të cilit ai i është zbritur.
Karakteristikat universale të profetit nuk janë të njëjta si veprimet e tij ditore apo jeta e përditshme, të cilat mund të gjenden lehtësisht në biografitë standarde për të, e të cilat ne nuk do ti shqyrtojmë në këtë ese. Përkundrazi janë karakteristikat të cilat buronin nga personaliteti i tij si prototip shpirtërorë ato që kanë rëndësi. Parë në këtë këndvështrim janë tre cilësi të cilat e karakterizojnë profetin. Së pari, profeti zotëronte cilësinë e devotshmërisë në kuptimin e saj më universal, ajo cilësi e cila e lidh njeriun me Zotin. Në këtë kuptim profeti ishte devotshëm. Ai kishte devotshmërinë më të thellë e cila së brendshmi e lidhte atë me Zotin, e cila bënte që ai të vendoste dobinë e çështjeve të Zotit para gjithçkaje, përfshi edhe ato të vetes së tij. Së dyti, ai kishte cilësinë e shpirtit luftarak, e të qenurit gjithnjë aktivisht i përfshirë në një luftë kundër të gjithë atyre që mohonin të Vërtetën e që shkatërronin harmoninë. Së jashtmi kjo nënkuptonte të luftuarit, qoftë ushtarakisht, politikisht apo shoqërisht, një lloj lufte të cilën profeti e quajti "xhihadi i vogël" (Xhihad el-asgar). Së brendshmi ky shpirt luftarak nënkuptonte një luftë të pandalshme kudër epsheve të liga mishore (nefs), kundër gjithçkaje që priret ta dërgojë njeriun drejt mohimit të Zotit dhe vullnetit të Tij, atë të cilën ai e quajti "xhihadi i madh" (Xhihad el-ekber).
Për shkak të teknologjisë moderne e cila e ka bërë luftën gjithëpërfshirëse dhe mjetet e saj trupëzim i mizorisë dhe ligësisë është shumë e vështirë për njeriun modern të kuptojnë simbolizmin pozitiv të luftës. Si pasojë njerëzit mendojnë se roli i religjionit është vetëm ruajtja e një lloj paqeje të brishtë. Kjo natyrisht është e vërtetë, por jo në kuptimin sipërfaqësor që zakonisht i jepet këtij mendimi. Nëse religjioni duhet të jetë pjesë përbërëse e jetës, ai duhet të përpiqet të vendosë paqen në kuptimin më të thellë të fjalës, d.m.th. të vendosë ekuilibrin ndërmjet të gjitha forcave ekzistuese që rrethojnë njeriun dhe të tejkalojë të gjitha forcat të cilat synojnë të shkatërrojnë këtë ekuilibër. Në këtë kuptim asnjë fe më shumë se Islami nuk është përpjekur të vendosë paqen. Është pikërisht në këtë kontekst që lufta mund të marrë një kuptim pozitiv si një aktivitet që synon vendosjen e harmonisë së brendshme dhe të jashtme e është pikërisht në këtë kuptim që Islami ka theksuar aspektin pozitiv të shpirtit luftarak.
Profeti e ka trupëzuar në një shkallë të lartë këtë përsosje të virtytit luftarak. Nëse kur mendojmë për Budën e përfytyrojmë atë në gjendje soditjeje të ulur poshtë një peme, profeti mund të imagjinohet si një kalorës hipur mbi kalë duke mbajtur në dorë shpatën e drejtësisë dhe gjykimit i cili kalëron me gjithë shpejtësinë, i gatshëm të ndalojë menjëherë para malit të së Vërtetës. Profeti u përball që në fillim të misionit të tij profetik me detyrën për të përdorur shpatën e së Vërtetës, për të vendosur ekuilibrin e ndaj një detyrë kaq të vështirë ai nuk u kursye aspak. Qetësia dhe paqja e tij qëndronin në mes të vetë përpjekjes së shenjtë (xhihadit) dhe ai e përfaqësoi këtë aspekt të spiritualitetit në të cilën paqja nuk vjen si pasojë e pasivitetit por si pasojë e aktivitetit të vërtetë. Paqja i përket atij që është së brendshmi në paqe me Vullnetin hyjnorë dhe së jashtmi në luftë me të gjitha forcat përçarëse dhe ç'ekuilibruese.
Së fundmi, profeti zotëronte cilësinë e zemërgjerësisë në plotësinë e saj. Shpirti i tij shfaqte një madhështi të cilën çdo mysliman i devotshëm e ndjen. Ai është për myslimanët personifikimi i fisnikërisë dhe zemërgjerësisë. Ky aspekt i profetit është shpalosur plotësisht në trajtimin që ai i bënte shokëve të tij të cilët, në fakt, u bënë model për të gjithë brezat e mëvonshëm.
Për ta thënë më ndryshe, cilësitë të cilat karakterizojnë më shumë profetin janë fuqia, fisnikëria, paqshmëria dhe qetësia e brendshme. Fuqia u shfaq së jashtmi në kryerjen e xhihadit të vogël dhe së brendshmi në xhihadin e madh. Për ta thënë me fjalët e profetit, të shprehura duke u kthyer nga një luftë: "Ne jemi kthyer nga xhihadi i vogël për tek xhihadi më i madh". Është xhihadi i madh i cili zotëron një domethënie shpirtërore si përpjekja kundër të gjithave prirjeve të cilat e dërgojnë shpirtin njerëzorë larg nga Qendra dhe Origjina dhe ia ndalon atij hirin hyjnorë.
Fisnikëria dhe bujaria e profetit tregohet më së shumti në bamirësinë kundrejt njerëzve dhe gjithë krijesave. Natyrisht ky virtyt nuk është aq qendror sa në krishterim i cili mund të quhet feja e bamirësisë. Por është i rëndësishëm në nivel njerëzorë e si i tillë ajo është pjesë e qenies së profetit (a.s.). Kjo ka të bëjë me faktin se nuk gjendej asnjë shenjë kufizimi apo zemërngushtësie në shpirtin e profetit, asnjë kufizimin në dhënien e tij ndaj të tjerëve. Një njeri shpirtëror është ai i cili gjithnjë i jep të tjerëve dhe nuk merr prej tyre, sipas thënies: "Është më mirë të japësh se sa të marrësh". Ishte karakteristikë e profetit ti jepte të tjerëve deri në fund të jetës së tij. Ai nuk kërkoi asnjëherë asgjë për veten dhe as nuk mori gjë.
Aspekti i paqshmërisë, i cili gjithashtu karakterizon të gjitha shprehjet e mirëfillta islame, përbëhet thelbësisht nga dashuria për të vërtetën. Ajo do të thotë të vendosësh të vërtetën para gjithçkaje. Do të thotë të jesh i paanshëm, të jesh i logjikshëm në nivel diskutimi, të mos lejosh që emocioni subjektiv i yti të ngjyrosë dhe të paragjykojë gjykimin intelektual objektiv të tjetrit. Kjo nuk do të thotë të bëhesh një racionalist, por të shohësh të vërtetën e gjërave dhe ta duash atë më shumë se çdo gjë tjetër. Të duash të vërtetën do të thotë të duash Zotin i cili është e vërteta, një nga emrat e Tij është i Vërteti (el-Hak).
Nëse dikush dëshiron ti krahasojë këto cilësi të profetit, d.m.th., fuqia, fisnikëria dhe paqshmëria, me ato të themeluesve të feve të tjera, ai do të shohë se ato nuk janë domosdoshmërish të njëjta kjo sepse së pari, sepse profeti nuk ishte Zot i mishëruar e së dyti sepse çdo religjion thekson një aspekt të së Vërtetës. Një njeri nuk mund të ndjekë ose të marrë si model Krishtin në të njëjtën mënyrë siç bëjnë myslimanët me profetin kjo sepse në krishterim Krishti është Zoti-njeri, Hyji i mishëruar. Një njeri mund të thithet në natyrën e tij por ai nuk mund të ndiqet si model dhe si përsosmëri e qenies njerëzore. Sepse një njeri nuk mund të ecë mbi ujë apo të ngjallë të vdekurit. Kur dikush mendon për Krishterimin dhe Krishtin të tjera karakteristika të vijnë në mend, si hyjnia, mishërimi dhe në nivele të tjera dashuria, bamirësia dhe sakrifica. Apo kur dikush mendon për Budën dhe Budizmin në mendje pikë së pari kalon ideja e mëshirës për gjithë krijimin, ndriçimit hyjnor dhe shkrirjes në Nirvanën.
Në Islam kur dikush mendon për profetin si model për tu ndjekur, në mendje të vjen përfytyrimi i një personaliteti të fortë, i cili ishte i rreptë me veten, me hipokritët dhe zullumqarët si dhe bamirës kundrejt botës që e rrethonte atë. Në bazë të këtyre virtyteteve, fuqia dhe paqshmëria nga njëra anë dhe bamirësia dhe bujaria nga ana tjetër, ai ishte i paqshëm, i shkrirë në të Vërtetën. Ai ishte ai lloj luftëtari hipur mbi kalë i cili ndalon para malit të së Vërtetës, pasiv kundrejt vullnetit hyjnorë, aktiv kundrejt botës, i rreptë dhe i matur ndaj vetes, i butë dhe bujarë kundrejt krijesave.
Cilësitë dhe karakteristikat e profetit përmbahen pothuajse në çdo tingull të pjesës së dytë të shehadetit që është: "Muhamedi është profeti i Zotit", natyrisht kjo duhet parë në formën origjinale dhe jo nga përkthimi. Sërish, simbolizmi është pashmangshmërisht i lidhur me tingullin dhe formën e gjuhës së shenjtë dhe është i pamundur për tu përkthyer. Vetë shqiptimi i emrit Muhamed, në gjuhën arabe, nënkupton forcë, një shfaqje e befasishme e fuqisë e cila vjen prej Zotit e nuk është njerëzore. Fjala resul me rrokjen e saj të zgjatur simbolizojnë këtë "zgjerim të kraharorit" (inshirah el-sadr) dhe një bujari e cila buron nga vetë qenia e profetit, por që burimin e saj të vërtetë e ka prej Zotit. Shehadeti përmbyllet me vetë fjalën Allah e cila simbolizon vetë të Vërtetën. Pjesa e dytë e shehadetit, pra, nënkupton me tingullin e saj fuqinë, bujarinë dhe paqshmërinë e të prehrit në karakteristikat e Vërteta të profetit. Kjo prehje tek e vërteta nuk nënkupton arratisjen nga kjo botë, por një depërtim në të në mënyrë që ajo të organizohet dhe të integrohet në parimet më të larta. Kështjella shpirtërore e Islamit bazohet në parimin themeltar të harmonisë ndërmjet shoqërisë njerëzore dhe jetës individuale njerëzore.
Gjatë lutjeve tradicionale mbi profetin të cilën myslimanët e këndojnë disa herë në ditë, kërkohet prej Zotit që bekimet dhe përshëndetjet e Tij të bien mbi profetin Muhamed (a.s.) i cili është robi i Zotit (abd), i dërguari i Tij (resul) si dhe profeti i pashkolluar (en-nebi el-umi). P.sh. një prej versioneve të mirënjohura të kësaj lutje është: "O Allah, bekoje dhe përshëndete Muhamedin, shërbëtorin Tënd, të dërguarin Tënd, profetin e pashkolluar, familjen e tij dhe shokët e tij"
Sërish edhe në këtë rast tre epitetet me të cilat karakterizohet emri i tij simbolizojnë tre karakteristikat kryesore të tij të cilat shfaqen më së shumti tek myslimanët e devotshëm. Ai para së gjithash është një abd, por kush është një abd përveçse ai vullneti i të cilit është i nënshtruar ndaj vullnetit të Zotit të tij, i cili vetë është i varfër por i pasur në lidhje me atë që Zoti i tij i ka dhënë. Si robi (abd) i Zotit profeti përfaqëson në plotësinë e saj këtë varfëri në kuptimin shpirtërorë dhe seriozitetin e cila është një karakteristikë dalluese e Islamit. Ai e donte agjërimin, vigjilencën, lutjen, elemente këto të cilat janë karakteristika dalluese të Islamit. Si abdi i Zotit profeti vendoste gjithçka në duart e Zotit dhe realizoi një gjendje varfërie e cila në të vërtetë ishte pasuria me e përsosur dhe jetëgjatë.
Fjala resul në këtë lutje, simbolizon sërish aspektin e tij të bujarisë dhe bamirësisë, metafizikisht vetë resuli është dërguar si pasojë e bujarisë së Zotit karshi botës dhe njeriut të cilët Ai i do për këtë arsye i dërgoi profetët për ti udhëzuar ato. Kjo është arsyeja përse profeti është "mëshira e Zotit për gjithë botët". Për mysliman vetë qenia e profetit shfaq mëshirë dhe bujari, një bujari që rrjedh nga fisnikëria e karakterit. Islami gjithnjë e ka theksuar këtë cilësi e është përpjekur të ngulisë fisnikërinë në shpirtrat e njerëzve. Një mysliman i mirë duhet të ketë fisnikëri dhe bujari në shpirtin e tij e cila reflekton gjithnjë këtë aspekt të personalitetit të profetit.
Sa i përket shprehjes nabi el-umi, ajo nënkupton shkrirjen përpara së Vërtetës. Natyra e pamësuar e profetit nënkupton para së gjithash shuarjen e gjithçkaje që është njerëzore përballë pranisë hyjnore. Shpirti i profetit ishte tabula rasa para lapsit hyjnorë dhe në nivel njerëzor cilësia e tij e të qenurit umi (i palexuar i pamësuar) shënjon virtytin suprem të realizimit të së vërtetës përmes soditjes së saj, e cila në kuptimin metafizikë nënkupton një "shkrirje" përballë së Vërtetës. Vetëm përmes kësaj shkrirje (fana'a) njeriu mund të shpresojë të hyjë në jetë me Zotin dhe në ekzistencë me Të (beka).
Për ti përmbledhur cilësitë e profetit, mund të themi se ai ishte ekuilibri njerëzorë e cila u bë shkrirja në të vërtetën hyjnore. Ai shënjon vendosjen e harmonisë dhe të ekuilibrit, harmonisë ndërmjet të gjitha prirjeve që gjenden në qenien njerëzore, qofshin ato ndjesore, shoqërore, ekonomike, politike, kufizimet e të cilave nuk mund të tejkalohen vetëm nëse qenia njerëzore mund të transcendentohet. Ai shfaqi integrimin e këtyre prirjeve dhe fuqive me qëllimin që të themelonte një bazë e cila do të dërgonte në mënyrë të natyrshme drejt soditjes dhe shkrirjes në të Vërtetën. Rruga e tij shpirtërore do të thotë të pranosh gjendjen njerëzore e cila është normalizuar dhe shenjtëruar si themeli i kështjellës më të lartë shpirtërore. Spiritualiteti i Islamit, të cilin e përfaqëson në shkallën më të lartë profeti, nuk konsiston në mohimin e kësaj bote, por në transcendetimin e saj përmes integrimit drejt Qendrës dhe vendosjes së një harmonie mbi të cilën ngrihet kërkesa për Absolutin. Në këto cilësi të cilat ai i ka përfaqësuar në formë kaq të lartë, profeti është njëkohësisht prototipi i përsosmërisë njerëzore dhe shpirtërore dhe një udhëzues drejt realizimit saj, siç thuhet edhe në Kuran: "Me të vërtetë tek i dërguari i Zoti ju keni një shembull të mirë" (33:21).

Ebu Muadh
Anëtarë Fillestar
Anëtarë Fillestar

Numri i postimeve : 25
Points : 68
Reputation : 1
Data e Anëtarësimit : 24/05/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi