Feja Islame
Es Selam Alejkum
Mirë se erdhët në Forumin islam! Me sa duket ende nuk jeni regjistruar.

Dashuria për Profetin është Kusht i Besimit

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Dashuria për Profetin është Kusht i Besimit

Mesazh nga Ebu Beker prej Tue Mar 16, 2010 12:41 am

Dashuria për Profetin është Kusht i Besimit

Dashuria për profetin Muhamed (a.s.) është njësia matëse e imanit (besimit) tonë dhe imani ynë plotësohet dhe përsoset vetëm atëherë kur dashuria për profetin (a.s.) është më e madhe se dashuria për çdo gjë tjetër në këtë botë, duke përfshirë dhe vetveten. Allahu thotë në Kur'an:

"Pejgamberi është më i ndishëm ndaj besimtarëve se sa ata ndaj vetvetes së tyre..." (El Ahzabë: 6)

Ky ajet na tregon se besimtari i vërtetë duhet t'a dojë profetin (a.s.) më shumë se jetën e tij. Në mbështetje të kësaj, profeti (a.s.) transmetohet të ketë thënë:

"Asnjë nga ju nuk do të jetë besimtar (i mirë) derisa unë nuk do të jem më i dashur te ai se prindërit e tij, fëmija i tij dhe njerëzia përgjithësisht" (Buhariu dhe Muslimi).

Transmetime të tjera shtojnë: "se jeta e tij, pasuria e tij dhe familja e tij".

Besimtarët më të mirë, sahabët (shokët e profetit a.s), kishin dashuri të jashtëzakonshme për profetin (a.s). Një herë në Medine, Aliu r.a, duke folur në emër të të gjithë sahabëve, transmetohet të ketë thënë:

"Profeti i nderuar është më i dashur për ne se pasuria jonë, fëmijët tanë, prindërit tanë, dhe uji i freskët në kohë thatësire."

Parimi në Islam se imani ynë është aq i fortë sa dashuria jonë për profetin (a.s), shprehet bukur dhe qartë nga një poet i cili thotë:

"Pa dashuri për profetin, vështirë të gjehet Zoti,

ai që nuk e do profetin, nuk mund ta dojë Zotin.

Pa dashuri për Muhamedin, i plotë nuk mund të jetë besimi,

për të qenë mysliman nuk mjafton besimi në Zot.

Namazi, zekati, agjërimi dhe haxhi të gjitha të mira janë,

por vetëm këto nuk mund të më bëjnë prej të devotshmëve.

Derisa të jem gati të sakrifikohem për nderin e Muhamedit,

Zotin kam dëshmitar, besimi im, përsosmërinë nuk mund ta arrijë."

Dashuria për profetin (a.s.) i jep jetë praktikës tonë fetare. Pa të, feja kthehet në aderim bosh, në rregulla dhe rituale pa jetë.


Kuptimi i Dashurisë për Profetin (a.s.)

Në pamje të parë duket qartë pse të devotshmit duhet t'a duan profetin (a.s). Ai është mësuesi dhe udhëzuesi i tyre dhe është e pamundur që ai t'i mësojë, dhe t'i udhëzojë nëse ata nuk kanë dashuri për të. Por ka edhe një kuptim më të thellë të parimit se dashuria për profetin (a.s.) është një parakusht thelbësor për imanin.

Dashuria për profetin (a.s.) është njëkohësisht dhe dashuri për bukurinë dhe fisnikërinë e karakterit të tij, për drejtësinë, modestinë dhe forcën e brendëshme të njeriut dhe që profeti si el-insan el-kamil (njeriu perfekt) e zotëron në shkallën më të lartë. Dashuria për profetin (a.s.) do të thotë të pranosh dhe të lartësosh potencialin për mirësi që Zoti ka krijuar brenda njeriut.

Kjo gjithashtu do të thotë dhe dashuri për njerëzimin, jo vetëm për potencialin e tij për përsosmëri, por dhe për paaftësinë për ta realizuar atë potencial dhe pavarësisht nga mangësitë dhe dobësitë e shumta nga të cilat ai vuan. Profeti (a.s.) nuk është vetëm njeriu më i përsosur, ai është dhe njeriu që në Ditën e Gjykimit do të përfaqësojë mbarë njerëzimin dhe do ti lutet Zotit t'i falë ata për mangësitë e tyre.

Për këtë arsye, dashuria për profetin (a.s.) nga njëra anë na nxit ta lakmojmë arritjen e përsosmërisë dhe nga ana tjetër na ndihmon ta pranojmë paaftësinë tonë për të qenë të pagabueshëm dhe në këtë mënyrë na shtyn të jetojmë në paqe me veten si robër të penduar të Zotit, me shpresë në mëshirën e Tij. Kjo është arsyeja pse dashuria për profetin (a.s.) është kusht i imanit. Çfarë është imani nëse nuk është pendim për mangësitë dhe dobësitë e tua dhe përpjekje për të arritur përsosmërinë?

Imani ka dy anë të ndërlidhura ngushtë. Njëra është hyjnore dhe konsiston në njohjen e Zotit dhe të qenit në paqe me Të. Tjetra është njohja e vetvetes dhe të qenit në paqe me të. Të dy palët janë si dy anët e një monedhe, njëra nuk mund të jetë pa tjetrën. Kjo vërtetohet nga ajete dhe hadithe të shumta. Për shembull, transmetohet se profeti (a.s.) ka thënë se njeriu që njeh vetveten njeh dhe Zotin e tij. Nga ana tjetër, Allahu thotë në Kur'an:

"ata që e harruan Allahun, e Allahu bëri që ata ta harrojnë vetveten" (El Hashr: 19).

Fjala Islam do të thotë të jesh në paqe me Zotin dhe në Kur'an kjo lidhet me të qenit në paqe me vetveten.

Dashuria për profetin (a.s.) paraqet anën njerëzore të besimit. Dashuria e dikujt për profetin (a.s.) tregon se ai person (femër apo mashkull) ka pranuar vetveten dhe është në paqe me të dhe se ai gjithashtu e njeh Zotin e tij dhe është në paqe me Të dhe i është dorëzuar Atij.


Edhe Profeti kishte Dashuri për Ne

Nëse të devotshmit kanë dashuri për profetin (a.s), ata duhet të dinë se edhe profeti (a.s.) ka dashuri për ta. Allahu dëshmon për këtë në Kur'an:

"Juve ju erdhi i dërguari nga lloji juaj, atij i vjen rëndë për vuajtjet tuaja, sepse është lakmues i rrugës së drejtë për ju, është i ndijshëm dhe i mëshirshëm për besimtarët" (Et Tevbe: 128).

Profeti (a.s.) nuk kishte dashuri vetëm për besimtarët. Ai i donte të gjitha krijesat e Zotit. Zoti thotë në Kur'an:

"E Ne të dërguam ty (Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat" (El Enbija: 107).

Është e vërtetë se profeti (a.s.) i luftoi armiqtë e tij. Por edhe këtë ai e bëri nga mëshira dhe dashuria dhe jo nga armiqësia apo urrejtja. Është e lehtë t'i lejosh të tjerët të ndjekin rrugën që çon në shkatërrim dhe humbje. Nevojitet dashuri dhe guxim i madh për t'i ndihmuar ata, dhe pikërisht këtë u përpoq të bënte profeti (a.s). Fakti që profeti (a.s.) motivohej nga mëshira, madje dhe për kundërshtarët e tij, vërtetohet me mënyrën se si ai i fali ata gjatë hyrjes më Mekke.


Vuajtjet e Profetit

Ndër shenjat e dashurisë së profetit (a.s.) për njerëzimin, janë dhe vuajtjet e panumërta që iu shkaktuan nga kundërshtarët e tij të cilët profeti (a.s.) i fali me aq lehtësi pas fitores së tij.

Në fillimet e misionit, pothuajse të gjithë banorët e qytetit të tij (mekasit) e kundërshtuan megjithëse profeti (a.s.) ishte njohur deri atëherë nga vetë populli i tij si fjalëdrejti, i besueshmi. Fillimisht ata e sulmuan me fjalë, dhe më pas vazhduan me tortura fizike. Ata merrnin gjemba dhe mbeturina dhe i hidhnin në rrugën ku kalonte profeti (a.s). Një herë, ai (a.s.) u kthye me rroba të pluhurosura në shtëpi. Një nga vajzat e tij, me lotë në sy ia shkundi pluhurin. Profeti (a.s.) u lëndua më shumë nga lotët e vajzës së tij sesa nga trajtimi i mekasve. Ai e qetësoi duke i thënë: "Vajza ime, mos qaj, pasi Zoti do e ndihmojë babain tënd."

Një herë banorët e Mekkes u përpoqën t'a lëndonin në një formë tjetër profetin (a.s), duke mos i folur. Me heshtjen e tyre ata kërkonin ti thonin profetit (a.s): "ti nuk je nga mesi ynë sepse ti flet kundër zakoneve të të parëve tanë". Heshtja e tyre e lëndoi profetin (a.s.) më shumë se fyerjet dhe talljet e tyre.

Kokëfortësia dhe këmbëngulja e mekasve për të mos e pranuar mesazhin e tij, e shtynë profetin të kërkonte mbështetjen e fiseve të tjera jashtë Mekkes kur vinin gjatë sezonit të haxhit. Por kundërshtarët e tij i pengonin përpjekjet e tij. Ebu Lehebi, e ndiqte pas profetin (a.s.) dhe thërriste me zë të lartë: "Mos e besoni atë, ai është i çmendur". Një ditë këto sjellje të mekasve e hidhëruan më shumë se çdo herë tjetër profetin (a.s). Por ai u

mjaftua duke shikuar lart drejt qiellit dhe tha: "O Zot, nëse Ti do, nuk do të jetë gjithmonë kështu!"

Në vitin 620, profeti (a.s.) vendosi të udhëtonte jashtë Mekkes që të mund të predikonte mesazhin e tij pa u përndjekur nga armiqtë e tij. Qyteti i Taifit ishte zgjedhja e tij e parë. Gjashtëdhjetë milje në lindje të Mekkes, Taifi ishte qyteti me ndikimin më të madh pas Mekkes në gadishullin arabik. I shoqëruar vetëm nga Zejdi r.a, profeti (a.s.) bëri një udhëtim të lodhshëm për në Taif. Ai qëndroi dhjetë ditë në Taif duke i ftuar në besim kryetarët e fiseve dhe njerëzit e thjeshtë. Por ata të gjithë e kundërshtuan duke i thënë se nuk donin t'i prishnin marrëdhëniet me mekasit për hir të një feje të re. Me kalimin e ditëve,

banorët e Taifit u bënë gjithmonë e më armiqësorë dhe në ditën e dhjetë ata filluan ta godasin profetin (a.s.) me gurë. Megjithëse ai u largua nga qyteti, një turmë e pamëshirshme e ndoqi duke e goditur me gurë deri dy apo tre milje jashtë qytetit të Taifit. I lodhur dhe me gjakun që i rridhte nga goditjet e gurëve, profeti (a.s.) gjeti një kopësht dhe hyri brenda që të pushojë. Zejdi i cili ishte përpjekur t'a mbronte profetin (a.s.) nga gurët, ishte plagosur në kokë.

Dy vjet më vonë, profeti (a.s.) arriti të fitonte mbështetjen e banorëve të një qyteti tjetër, Medines, dhe vendosi të shkonte atje. Por armiqtë e tij komplotuan për ta vrarë para se të emigronte për në Medine dhe ky komplot për pak pati sukses.

Vuajtjet e tij vazhduan edhe pas largimit të tij nga Mekka. Kurejshët dhe fise të tjera arabe nën ndikimin e tyre, e luftuan ashpër atë dhe pasuesit e tij. Në Medine, hebrenjtë e munduan profetin (a.s.) me kurthet dhe komplotet e tyre dhe njëherë u përpoqën t'a helmonin. Hipokritët, armiqtë e tij të fshehtë, të cilët shtireshin si besimtarë, thurnin intriga dhe shpifje kundër profetit (a.s). Një shembull janë akuzat kundër bashkëshortes së tij, Aishes r.a; akuza të cilat i shkaktuan dhimbje jo vetëm Aishes r.a por edhe profetit (a.s). Ndonjëherë edhe besimtarët i shkaktonin dhimbje pa qëllim profetit (a.s). Për shembull, largoheshin papritur duke e lënë vetëm në këmbë. Në lidhje me këtë, Allahu thotë në Kur'an:

"Kur ata shohin ndonjë tregti ose ndonjë aheng mësyhen atje, kurse ty të lënë në këmbë..." (El Xhumua: 11)

Këto dhe shumë vuajtje të tjera pësoi profeti i nderuar (a.s.) për vite me radhë. Ai nuk kishte pse i duronte këto vuajtje të mëdha. Para se të fillonte misionin e tij, ai gëzonte çdo të mirë: shëndet të mirë, një biznes të begatë, një grua të dashur, fëmijë të mbarë, të afërm dhe miq besnikë si dhe respektin e banorëve të qytetit të tij. Nëse do të kishte dashur, profeti (a.s.) mund të kishte jetuar një jetë të rehatshme. Por ai zgjodhi rrugën e vuajtjeve dhe vështirësive. Ai e bëri këtë nga dashuria për të njëjtët njerëz që e persekutuan vetëm pse ai mundohej për mirëqenien e tyre.


Domethënia e Vuajtjeve të Profetit (a.s.)

Si të gjitha aspektet e jetës së profetit (a.s), edhe vuajtjet e tij përmbajnë mësime të çmuara për të gjithë ne. Ato dëshmojnë se kjo botë është një luftë e pandërprerë mes të mirës dhe të keqes, të vërtetës dhe gënjeshtrës, drejtësisë dhe tiranisë. Vuajtjet e tij na mësojnë se mirësia, e vërteta dhe drejtësia do të triumfojnë gjithmonë, edhe pse kjo fitore mund të vonojë.

Vuajtjet e profetit (a.s.) gjithashtu na kujtojnë për potencialin për mirësi si dhe për potencialin për ligësi që ka njeriu. Profeti i fundit përfaqëson njeriun me potencialin më të madh për mirësi ndërsa kundërshtarët e tij përfaqësojnë njerëzit me potencialin më të madh për ligësi. Por nuk na takon neve ti dënojmë ata që e persekutuan profetin (a.s) pasi vuajtjet e profetit u shkaktuan nga i njëjti potencial për ligësi që gjendet brenda secilit prej nesh. Kush e di me siguri se nëse do të kishte jetuar në kohën e profetit (a.s), nuk do t'i kishte hedhur mbeturina apo nuk do t'a kishte lënduar atë në ndonjë mënyrë tjetër? Njerëz më të mëdhenj se ne, si Umeri r.a dhe Halid ibn Ualidi r.a, para se të pranonin Islamin, e përndoqën profetin (a.s). Profeti nuk vuajti në mënyrë që ne të mund të dënojmë këtë apo atë. Ai vuajti që ne të kemi shpresë dhe përulësi. Ai vuajti që ne të mund të kuptojmë potencialin brenda nesh për mirësi dhe për ligësi. Ne duhet t'i shohim të dy këto potenciale brenda nesh. I pari na jep shpresë për fatin e njeriut në përgjithësi dhe i dyti na bën që të jemi të përulur para Allahut. Ne kemi nevojë për të dyja, për shpresë dhe përulësi, që të arrijmë shpëtimin.

Kështu, vuajtjet e profetit (a.s) duhet të na shtyjnë të mendojmë për potencialin për ligësi që ne të gjithë kemi brenda nesh dhe të na bëjnë të vendosur për ta mposhtur atë. Mënyra më e mirë për ta mposhtur ligësinë është nëpërmjet dashurisë për profetin (a.s), pasi sa më shumë që t'a duam profetin (a.s.) aq më shumë do t'a forcojmë elementin e mirësisë si dhe t'a mundim të keqen që të gjithë kemi brenda vetes./vizion-islam/

_________________
E kush është në rrugë më të mirë se ai që thërret në rrugën e All-llahut, që bën vepra të mira dhe që thotë: “Unë jam prej muslimanëve?” (Fussilet/33)
avatar
Ebu Beker
Anëtarë Aktiv
Anëtarë Aktiv

Numri i postimeve : 300
Points : 624
Reputation : 0
Data e Anëtarësimit : 09/01/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi