Feja Islame
Es Selam Alejkum
Mirë se erdhët në Forumin islam! Me sa duket ende nuk jeni regjistruar.

Haxhi i Profetit (a.s.) nje pershkrim i hollesishem

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Haxhi i Profetit (a.s.) nje pershkrim i hollesishem

Mesazh nga Ebu Amar prej Thu Mar 18, 2010 4:31 pm

Muslimi tregon: “Ebu Bekër ibën Ebi Shejbe dhe Is’hak ibën Ibrahimi, të cilët transmetojnë nga Hatimi se Ebu Bekri ka thënë: “Na ka treguar Hatem ibën Ismail El Medani, që transmeton nga Xhafer ibën Muhamedi dhe ky i fundit prej babait të tij, se ai ka thënë: “Ne e vizituam Xhabir Ibën Abdullahun (ai ishte i verbër) dhe ai filloi të pyeste për njerëzit që kishin ardhur ta shihnin derisa erdhi radha ime. Unë i thashë: “Unë jam Muhamedi, i biri i Ali ibën Husejnit”. Ai vuri dorën në kokën time. Më pas hapi kopsën e sipërme dhe pastaj atë të poshtmen të veshjes sime dhe vuri dorën në gjoksin tim. Ato kohë unë isha djalë i ri dhe ai më tha: “Mirë se erdhe djali i vëllait tim! Më pyet çfarë të duash”. Unë i bëra një pyetje, por ishte koha e faljes. Ai u ngrit duke u mbështjellë me mantelin që kishte. Sa herë që përpiqej të rregullonte fundet e mantelit në supet e tij, ato rrëshqisnin sepse ajo veshje ishte e shkurtër. Megjithatë, një tjetër mantel ishte në raftin e rrobave aty afër. Ai e veshi atë dhe drejtoi faljen. Unë i thashë: “Më trego për haxhin e Profetit (a.s.)”. Ai ngriti lart nëntë gishta të duarve dhe tha: “Profeti (a.s.) qëndroi në Medine për nëntë vjet, por nuk e kreu haxhin. Pastaj, në vitin e dhjetë, ai bëri një shpallje publike, ku lajmëronte se i Dërguari i Allahut ishte gati që të kryente haxhin. Një numër i madh njerëzish erdhi në Medine dhe të gjitha ata mezi prisnin të bënin të njëjtën gjë si Profeti (a.s.) dhe të ndiqnin veprimet e tij. Ne u nisëm bashkë me të derisa arritëm në Dhul-Hulejfe, ku Esmaja, e bija e Umejsit, lindi Muhamed ibën Ebu Bekrin. Ajo dërgoi të pyeste Profetin (a.s.) se çfarë duhet të bënte. Ai i tha: “Lahu, lidhi pjesët e tua intime dhe vish ihramin”.[1]

Pastaj Profeti (a.s.) u fal në xhami dhe i hipi Kasvas[2] dhe ajo ndenji më këmbë me të në kurriz në një vend të quajtur El Bejda. Unë shihja kalorës dhe këmbësorë aq sa mund të më shihte syri përpara, pas, djathtas dhe majtas. I Dërguari i Allahut dallohej mes nesh, ndërkohë që po i zbriste shpallja e Kuranit dhe ai i njihte më së miri interpretimet e vërteta të tij. çfarë bëri ai, e bëmë dhe ne. Ai ngriti zërin duke thënë lutjen e mëposhtme:



Lebejke Allahume lebejke

Lebejke la sherijke leke lebejke

Innel hamde uan-niamete leke uel mulk

La sherijke leke



(O Allah! Unë nxitoj për te Ti. Ti nuk ke shok në sundimin Tënd. Unë nxitoj për te Ti. Gjithë lavdërimi dhe mirësia janë të Tuat dhe Sovraniteti të takon vetëm Ty. Ti nuk ke shok në sundimin Tënd). Njerëzit e shqiptuan po ashtu këtë telbije[3], e cila shqiptohet dhe sot. I Dërguari i Allahut nuk kundërshtoi askënd, por ai vazhdoi me telbijen e tij.

Xhabiri tregon: “Ne nuk kishim asnjë synim përveç haxhit, duke qenë të pavetëdijshëm përsa i përket umrës, por kur erdhëm me Profetin (a.s.) në Shtëpinë e Allahut, ai preku Gurin e Zi (El Haxher el Esued) dhe i erdhi shtatë herë përqark, duke vrapuar tre herët e para dhe duke ecur katër herët e tjera. Pastaj, duke shkuar për te vendqëndrimi i Ibrahimit, ai recitoi:

وَاتَّخِذُوا مِنْ مَقَامِ إِبْرَاهِيمَ مُصَلًّى

“Pranojeni për vend faljeje vendin ku qëndroi Ibrahimi!”. (El-Bekare, 125) Ai qëndroi në vendin ku kishte qëndruar më parë Ibrahimi, i cili ishte ndërmjet tij dhe Qabes. Atje fali dy rekate duke recituar Suren El Ihlas dhe Suren El-Kafirun. Pastaj u kthye te Guri i Zi dhe e puthi atë.

Më pas ai doli nga porta për në Safa dhe, ndërsa po i afrohej asaj, recitoi:

إِنَّ الصَّفَا وَالْمَرْوَةَ مِنْ شَعَائِرِ اللَّهِ

“Safa dhe Merve[4] janë nga shenjat (për adhurimin) e Allahut...” (El-Bekare, 158). Pastaj shtoi: “Unë fillova më atë që filloi Allahu”. Ai u ngjit së pari në Safa derisa pa Qaben dhe në drejtim të saj tha duke e madhëruar Allahun:



La ilahe il-Allah uahdehu la sherijke lehu

Lehul mulku ue lahul hamdu

Ue hue ala kulishejin kadijr

La ilahe il-Allahu uahdehu

Enxheze ua’dehu ua nasera abdehu

Ue hezemel ehzaba uahdehu



(Nuk ka zot tjetër veç Allahut, Ai është i vetëm dhe nuk ka shok. Ai është Sovrani, Atij i takon lavdërimi dhe Ai është i Plotfuqishëm mbi gjithçka. Nuk ka zot tjetër përveç Allahut, i Cili e përmbushi premtimin e Tij, ndihmoi robin e Tij dhe i mposhti i Vetëm të gjitha grupacionet)[5].

Ai i tha këto fjalë tre herë duke përmendur lutje të tjera ndërmjet tyre. Pastaj, ai zbriti dhe eci drejt Mervas dhe kur këmbët e tij prekën fundin e luginës, ai vrapoi. Pastaj, kur filloi të ngjitej, filloi të ecte më këmbë derisa arriti në Merva. Atje bëri siç kishte bërë në Safa.

Kur ishte hera e fundit e ecjes në Merva, ai tha: “Po ta kisha ditur më parë se çfarë do të mësoja më pas, nuk do të kisha sjellë kafshë për kurban (flijim) dhe do ta kisha bërë veç umrën. Ai që nuk ka marrë me vete kafshë për kurban, duhet ta heqë ihramin dhe ta konsiderojë këtë umre”.

Suraka ibën Malik ibën Hathami u ngrit dhe tha: “O i Dërguar i Allahut! A vlen kjo vetëm për këtë vit apo për gjithmonë?” Pas kësaj, i Dërguari i Allahut mpleksi gishtat e njërës dorë me ato të dorës tjetër dhe tha dy herë: “Umra është përfshirë në haxh”. Më pas shtoi: “Përgjithmonë”.

Njëherë Aliu erdhi nga Jemeni me një kafshë për kurban për Profetin (a.s.) dhe pa Fatimenë (r.a.), e cila kishte hequr ihramin, ishte veshur me rroba me ngjyra dhe kishte përdorur kohl.[6] Aliu shfaqi mospëlqimin e tij për të dhe për këtë ajo i tha: “Babai më ka urdhëruar për ta bërë këtë”. Transmetuesi tregon se Aliu thoshte në Irak: “Unë shkova te i Dërguari i Allahut duke i shfaqur mërzitjen për Fatimenë për atë që kishte bërë”. Pasi e kishte dëgjuar, Profeti (a.s.) i kishte thënë: “Ajo ka thënë të vërtetën, ajo ka thënë të vërtetën”.

Pastaj Profeti e pyeti Aliun: “çfarë the ti kur veshe ihramin?” Aliu tha se kishte thënë: “O Allah! Unë po e vesh ihramin për të njëjtin qëllim siç e veshi i Dërguari Yt”. Pas kësaj, Profeti (a.s.) i tha: “Unë kam marrë me vete kurban, kështu që nuk e heq ihramin”.

Xhabiri vazhdon: “Numri i atyre që kishin sjellë kafshë për kurban nga Aliu prej Jemeni dhe i atyre të sjella nga Profeti (a.s.) ishte njëqind. Të gjithë njerëzit, përveç Profetit (a.s.) dhe ata që kishin me vete kafshë për kurban, e hoqën ihramin dhe i qethën flokët. Kur erdhi dita e Teruijes,[7] ata shkuan në Mina dhe e veshën ihramin për të kryer haxhin. I Dërguari i Allahut shkoi dhe drejtoi atje namazin e drekës, iqindisë, akshamit, jacisë dhe sabahut. Pastaj ai priti pak derisa lindi dielli dhe urdhëroi që t’i ngrihej një tendë në Nemira (vend në Arafat).

Pastaj Profeti (a.s.) u largua dhe Kurejshët nuk kishin dyshim se ai do të ndalonte në El-Mesh’ar El-Haram (vendi i shenjtë), siç bënin ata në periudhën para-islame.[8] Megjithatë, i Dërguari i Allahut vazhdoi rrugën derisa shkoi në Arafat dhe pa se ishte ngritur tenda për të në Nemira. Atje, ai zbriti dhe qëndroi aty derisa dielli kaloi meridianin dhe urdhëroi që t’i sillnin devenë. Pasatj ai shkoi në shtratin e luginës dhe iu drejtua njerëzve duke u thënë:

“Me të vërtetë gjaku dhe pasuria juaj janë po aq të shenjta e të paprekshme, sa edhe shenjtëria e kësaj dite tuajën, në këtë muaj tuajin, në këtë qytet tuajin. Dëgjoni! Çdo gjë që i përket ditëve të injorancës është nën këmbët e mia dhe i është dhënë fund njëherë e përgjithmonë. I është dhënë fund gjithashtu edhe gjakmarrjeve gjatë ditëve të injorancës. Akuza jonë e parë mbi gjakmarrjen, të cilës unë i dhashë fund, është ajo për të birin e Rabia ibën Harithit, i cili u rrit në fisin e Seadit dhe u vra nga Hudhejli. Po ashtu, i është dhënë fund dhe praktikës së dhënies së parave me fajde në periudhën para-islame. E para prej fajdeve tona që unë i jap fund është ajo e Abas ibën Abdul Mutalibit, sepse fajdeve iu është dhënë fund krejtësisht. Frikësojuni Allahut në lidhje me gratë! Me të vërtetë ju i keni marrë ato me garancinë e Allahut dhe marrëdhënia seksuale me to është bërë e ligjshme për ju nëpërmjet fjalës së Allahut. Ju gjithashtu keni të drejta mbi to në atë që ato nuk duhet të lejojnë këdo që ju nuk e pëlqeni të ulet në shtratin tuaj. Nëse ato e bëjnë këtë, ju mund t’i ndëshkoni ato, por jo rëndë. Të drejtat e tyre mbi ju janë që ju duhet t’i furnizoni ato me ushqime dhe veshje në një mënyrë të përshtatshme. Unë kam lënë mes jush Librin e Allahut dhe nëse ju i përmbaheni atij, nuk do të merrni kurrë rrugë të keqe. Ju do të pyeteni për mua (në Ditën e Ringjalljes) dhe çfarë do të thoni?”

Të pranishmit thanë: “Ne dëshmojmë se ti na e ke përcjellë mesazhin, e ke përmbushur detyrën e profetësisë dhe na ke këshilluar në mënyrën më të mirë”.

Pastaj transmetuesi thotë: “Profeti ngriti gishtin tregues drejt qiellit dhe duke e drejtuar atë te njerëzit, tha tre herë: “O Allah, bëhu dëshmitar! O Allah, bëhu dëshmitar! O Allah, bëhu dëshmitar!”

Pastaj u thirr ezani, u bë ikameti dhe Profeti (a.s.) drejtoi faljen e namazit të drekës. Pastaj u bë përsëri ikameti dhe Profeti (a.s.) drejtoi faljen e namazit të iqindisë dhe ai nuk kreu asnjë falje tjetër ndërmjet këtyre të dyjave.[9] Më tej i Dërguari i Allahut hipi në devenë e tij dhe shkoi në vendin ku do të qëndronte dhe e ktheu devenë drejt anës shkëmbore, ku zgjatej përpara tij shtegu i këmbësorëve. U kthye nga Qabja dhe qëndroi aty deri në perëndimin e diellit, kur drita e diellit u zbeh disi dhe e kuqërremta e tij u zhduk krejtësisht.

Ai e uli Usamen prapa dhe tërhoqi frerët e devesë me aq forcë, sa koka e saj preku samarin (me qëllim që ta mbante nën kontroll sa më mirë). Ai e ngrinte dorën e djathtë dhe i këshillonte njerëzit që të ishin më të përmbajtur (përsa i përket shpejtësisë) duke u thënë: “O njerëz! Me qetësi, me qetësi!”. Kur kalonte në ndonjë malore, lironte lehtazi frerët e devesë së dhe kështu vazhdoi derisa u ngjit lart. Në këtë mënyrë ai arriti në Muzdelife.

Atje drejtoi faljen e namazit të akshamit dhe të jacisë me një ezan dhe dy ikamete dhe nuk fali rekate vullnetare ndërmjet tyre. Pastaj i Dërguari i Allahut fjeti deri në agim dhe fali namazin e sabahut me një ezan dhe një ikamet, kur drita e mëngjesit zbardhi në horizont. Pastaj i hipi sërish devesë dhe kur shkoi në Mesh’ar El-Haram, u kthye nga Qabja dhe iu lut Allahut, e lavdëroi Atë, deklaroi se Ai është i Një e i Vetëm dhe vazhdoi të qëndronte derisa zbardhi krejtësisht.

Pastaj ai u largua me shpejtësi përpara se të lindte dielli dhe i ulur pas tij në deve ishte Fadl ibën Abasi, një burrë me flokë të bukur, fytyrëçelët dhe i pashëm. Ndërsa i Dërguari i Allahut ecte, aty po kalonte dhe një grup grash hipur mbi deve. Fadli filloi t’i shihte. I Dërguari i Allahut vuri dorën mbi fytyrën e Fadlit, i cili e ktheu kokën në anën tjetër dhe filloi të shihte. I Dërguari i Allahut e ktheu dorën nga ana tjetër dhe e vuri mbi fytyrën e Fadlit. Ai përsëri e ktheu kokën në anën tjetër derisa zbritën në fund të luginës së Muhasirit. Ai e lëvizi paksa devenë dhe duke ndjekur rrugën e mesit[10], e cila del nga Xhumra (shtylla) më e madhe, ai erdhi te Xhumra, e cila është afër pemës. Atje hodhi shtatë guralecë duke thënë: “Allahu Ekber”, ndërkohë që hidhte secilin prej tyre në mënyrën me të cilën hidhen guralecët (duke i mbajtur me gishtërinj) dhe këtë e bëri në kohën që ishte në shtratin e luginës”.[11]

Pastaj shkoi në vendin e kurbanit dhe preu kurban gjashtëdhjetë e tre deve me dorën e tij. Devetë që kishin mbetur ia la Aliut, i cili i bëri kurban. Pastaj ai urdhëroi që një pjesë e mishit nga çdo kafshë e bërë kurban të vendosej në një poçe. Kur u gatua, të dy (Profeti dhe Aliu) hëngrën mish dhe pinë nga lëngu i tij. I Dërguari i Allahut ngau përsëri devenë dhe shkoi në Qabe, ku kreu Tavaf Al-Ifadah (rrotullimi i dytë i detyruar rreth Qabes) dhe fali namazin e drekës në Mekë. Ai shkoi te fisi i Abdul Mutalibit, i cili ishte duke i furnizuar haxhilerët me ujë te burimi i Zemzenit dhe u tha: “Nxirrni ujë o Benu Abdul Mutalib! Sikur njerëzit të mos ndërhynin në të drejtën tuaj për t’i furnizuar me ujë, unë do të kisha nxjerrë ujë bashkë me ju”. Kështu që ata i dhanë një kovë dhe ai piu prej saj.[12]

Dijetarët muslimanë thonë se ky hadith është shumë madhështor. Ai përmban mjaft informacione të çmuara.

El Kadi Ijad ka thënë: “Shumë dijetarë kanë folur gjerësisht rreth urdhëresave ligjore në këtë hadith”.

Ebu Bekër ibën El Mundhiri ka renditur një pjesë të madhe të këtyre duke klasifikuar rreth njëqind e pesëdhjetë urdhëresa. Ai vëren se, nëse do ta kishte analizuar më me imtësi, ky numër pothuajse do të dyfishohej.

Dijetarët thonë se ky hadith tregon se për gratë që kanë lindur një fëmijë ose janë me menstruacione është sunet - dhe më tepër se kaq për të tjerat - që të lahen kur synojnë të veshin ihramin që të kryejnë haxhin ose umren. Gjithashtu, ky hadith na mëson se gratë që janë ende me menstruacione ose vazhdojnë të jenë lehona pas lindjes së fëmijës, duhet që të pastrohen si duhet, të mbulojnë pjesët e tyre intime me një copë të pambuktë dhe pastaj të veshin ihramin.

Gjithashtu, ky tregon se ihrami duhet të deklarohet pas një namzi farz apo vullnetare. Pasi të vishet ihrami duhet të shqiptohet telbija me zë të lartë dhe është me e pëlqyshme përdorimi i të njëjtave fjalë si ato të përdorura nga Profeti (a.s.). Megjithatë, nuk ka problem në shtimin e fjalëve të ngjashme siç bëri Umeri: “O Allah! Unë i përgjigjem thirrjes Tënde, sepse Ti je Ai që jep bekime dhe mirësi. Unë i përgjigjem thirrjes Tënde duke t’u frikësuar Ty dhe duke dëshiruar mirësinë Tënde”. Ky hadith tregon gjithashtu se haxhiu duhet të shkojë së pari në Mekë, ku të kryejë rrethrrotullimin e arritjes në Mekë (tavaf-el-kudum- rrethrrotullimi i parë i detyrueshëm në Mekë) dhe të prekë Gurin e Zi - nëse është e mundur - dhe të bëjë me vrap tre xhirot e para, ndërsa katër të tjerat që mbeten me ecje normale. Vrapimi bëhet rreth Qabes, përveçse ndërmjet Qoshes së Jemenit dhe Gurit të Zi.

Pas kryerjes së këtij tavafi, duhet të shkohet në Vendqëndrimin (mekamin) e Ibrahimit (a.s.) dhe të recitohet ajeti kuranor:

وَاتَّخِذُوا مِنْ مَقَامِ إِبْرَاهِيمَ مُصَلًّى

“Pranojeni për vendfaljeje vendin ku qëndroi Ibrahimi!”. (El-Bekare, 125) Me këtë përfundon edhe tavafi.

Pastaj, duke qëndruar aty, në Vendqëndrimin e Ibrahimit mes vetes dhe Qabes duhet të falen dy rekate duke lexuar pas Fatihasë Suren El-Kafirun në rekatin e parë dhe Suren El-Ihlas në të dytin. Gjithashtu, ky hadith tregon se këshillohet (nëse është e mundur) prekja përsëri e Gurit të Zi përpara largimit nga Xhamia e Shenjtë, ashtu siç bëhet kur hyhet në të. Ndër dijetarët ka një mendim të përbashkët se prekja (puthja) e Gurit të Zi është sunet.

Pas kësaj duhet të bëhet sa’ji. Shkon në kodrën Safa, ngjitesh në të, kthehesh me fytyrë nga Qabja dhe i lutesh Allahut tri herë. Pastaj duhet të zbritet poshtë dhe të ecet drejt Mervas, duke vrapuar me ecje të shtuar nëpër zonën e shënuar të quajtur “bejne el milain” ndërmjet Safas dhe Mervas çdo herë që kalohet kjo zonë gjatë të shtatë xhirot - jo vetëm në tri xhirot e para si në Tavaf. Me të mbërritur në Merve, duhet të ngjitesh në të ashtu si në Safa, të lutesh dhe të kujtosh Allahun.

Plotësimi i këtyre riteve plotëson umren. Pastaj personi duhet të rruajë kokën ose të qethë flokët me qëllim që të dalë nga gjendja e ihramit. Pikërisht kjo ka qenë ajo që bënë sahabët, kur Profeti (a.s.) i urdhëroi ta ndryshonin haxhin e tyre në umra. Përsa i përket atij haxhiu, që ndërthur haxhin me umren, ai nuk duhet t’i rruajë apo qethë flokët, por duhet të qëndrojë në gjendjen e tij të ihramit.

Në ditën e tetë të Dhul-Hixhes, ata që e kishin veshur ihramin pas kryerjes së umres, duhet ta veshin përsëri ihramin për të kryer haxhin dhe pastaj të drejtohen për në Mina me ata që ndërthurin haxhin me umren. Është sunet që të falen të pesë vaktet e faljeve të përditshme në Mina dhe të kalohet nata e nëntë e Dhul-Hixhes atje.

Sunet është edhe të mos largohesh nga Mina për në Arafat deri pas lindjes së diellit dhe të mos shkelësh në Arafat derisa dielli të fillojë të ulet pas faljes së namazit të drekës dhe atij të iqindisë, namaze të cilat Profeti (a.s.) i fali në Nemira, e cila nuk është pjesë e Arafatit. Profeti (a.s.) nuk hyri në strehën e tij në Arafat derisa fali drekën dhe iqindinë. Veç kësaj, gjithashtu është sunet i Profetit (a.s.) që haxhiu të bëjë disa falje nafile ndërmjet këtyre dy faljeve.

Imami duhet të mbajë hytbe përpara faljes, e cila është një nga hytbet sunet të haxhit. Hytbja e dytë mbahet nga imami në ditën e shtatë të Dhul-Hixhes pas faljes së namazit të drekës në Qabe. E treta e këtyre hytbeve sunet mbahet në ditën e dhjetë të Dhul-Hixhes, ditën e kurbanit. Dhe e katërta e këtyre hytbeve mbahet në ditën që largohen njerëzit, pra në ditën e njëmbëdhjetë të Dhul-Hixhes.

Gjithashtu, ky hadith përmban disa rregulla mirësjelljeje dhe edukate të rëndësishme për kryerjen e haxhit dhe të umres:

1) Është më mirë që të shtyhet shkuarja në tendë në Arafat, derisa të falet dreka dhe iqindia.

2) Është mirë që të kalohet koha duke ecur hipur mbi kafshën e ngarkesës nëpër Arafat.

3) Është më mirë që të qëndrohet anash shkëmbinjve ose shumë afër tyre, siç bëri Profeti (a.s.).

4) Në Arafat duhet të kthehesh me fytyrë nga Qabja.

5) Duhet qëndruar në Arafat deri në perëndim të diellit.

6) Duhet t’i falesh Allahut, duke ngritur duart deri në gjoks dhe pas perëndimit të diellit, të largohesh me qetësi dhe pa zhurmë nga Arafati. Nëse dikush është në pozicionin e udhëheqësit, duhet t’u kërkojë të tjerëve të sillen po në këtë mënyrë.

7) Me të mbërriturr në Muzdelife, duhet të falet së bashku namazi i akshamit me jacinë me një ezan dhe dy ikamete.

Cool Nuk duhet të falet asnjë namaz vullnetar ndërmjet këtyre dy faljeve. Dijetarët muslimanë pajtohen në mendim rreth bashkimit të këtyre dy namazeve. Megjithatë, ata kanë mendime të ndryshme në lidhje me arsyen për ta bërë këtë. Disa pretendojnë se është pjesë e riteve të haxhit, ndërsa disa të tjerë thonë se është lejuar për arsye se njerëzit janë në udhëtim dhe kjo është arsyeja e ligjshme për bashkim.

9) Kalimi i natës në Muzdelife është gjithashtu sunet. Të gjithë dijetarët e pranojnë se ky qëndrim është pjesë e riteve të haxhit. Megjithatë, ata kanë mendime të ndryshme në është i detyrueshëm apo sunet kalimi i natës atje.

10) Është gjithashtu sunet që të falet namazi i sabahut në Muzdelife dhe pastaj të bëhet nisja prej aty për në Mesh’ar El-Haram për të qëndruar atje dhe për t’u lutur. Qëndrimi atje është pjesë e riteve të haxhit.

11) Është sunet që të largohesh nga Mesh’ar El-Haram kur ka aguar mirë dhe të shkohet në shtratin e luginës së Muhasirit. Kur gjendesh në atë luginë, duhet të ecësh shpejt, sepse ky është vendi ku zemërimi i Allahut ra mbi Poseduesit e Elefantit[13].

12) Me të mbërritur në Xhemratu El Akaba duhet të goditet me shtatë guralecë dhe çdo herë të thuhet Allahu Ekber. Guralecët nuk duhet të jenë më të mëdhenj se një kokërr bathe.

13) Pas kësaj, duhet të prehet kurbani, nëse ke një të tillë, duke e therur me duart e tua. Pas therjes, duhet të rruhen flokët.

14) Pastaj duhet të shkohet në Mekë për të kryer Tavaf El-Ifada, i njohur gjithashtu si Tavaf Ez-Zijare ose rrethrrotullimi i vizitës.



Pastaj lejohet të bësh ato veprime të lejuara, të cilat në gjendjen e ihramit nuk lejohen, përfshirë dhe marrëdhëniet seksuale me bashkëshorten. Një person i cili ka hedhur guralecë në Xhemratu El Akaba, por që nuk ka kryer rrethrrotullimin e vizitës mund të bëjë veprimet e lejuara, përveç marrëdhënieve seksuale me bashkëshorten.

Ky është udhëzimi i Profetit (a.s.) në lidhje me haxhin. Kjo shpjegon se çfarë donte të thoshte ai, kur ka thënë: “Merrini ritet tuaja prej meje”,[14] sepse vetëm haxhi i tij është haxhi i vërtetë dhe saktë.

_________________
Ebu Umame r.a. thotë se e ka dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë:“Lexojeni Kur’anin, vërtet ai do të ndërmjetësojë Ditën e Gjykimit për të zotët e vet”.(Muslimi)

avatar
Ebu Amar
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 320
Points : 894
Reputation : 2
Data e Anëtarësimit : 08/01/2010
Vendndodhja: : Në tokën e Allahut

http://www.feja-islame.albanianforum.net

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi