Feja Islame
Es Selam Alejkum
Mirë se erdhët në Forumin islam! Me sa duket ende nuk jeni regjistruar.

Join the forum, it's quick and easy

Feja Islame
Es Selam Alejkum
Mirë se erdhët në Forumin islam! Me sa duket ende nuk jeni regjistruar.
Feja Islame
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Çlirimi i shpresës së burgosur

Shko poshtë

Çlirimi i shpresës së burgosur Empty Çlirimi i shpresës së burgosur

Mesazh nga Dhulkarnejn Thu Mar 18, 2010 4:52 pm

Pesimizmi është një fenomen shumë i përhapur dhe format e shprehjes së tij janë të ndryshme.

Fragment i shkëputur nga libri me titull "Strategjia e perceptimit te dinamizmit".





Pesimizmi është një fenomen shumë i përhapur dhe format e shprehjes së tij janë të ndryshme.

Ai mund të shprehet në forma të drejtpërdrejta si psh: "Nuk ia vlen. S`jemi në gjendje të bëjmë gjë. Të tjerët janë shumë para nesh. Bota përparon ndërsa ne po kthehemi prapa. Shiko se në ç`gjendje jemi”!

Të gjitha këtyre shprehjeve të pesimizmit u korrespondojnë në kampin tjetër të aktivistëve islam, shprehje të tjera që janë treguese të po këtij fenomeni, por të shprehura në formë jo të drejtpërdrejtë si psh: "Ne do të triumfojmë inshallah. E ardhmja është e Islamit”. Aparenca e kësisoj shprehjeve e ka të vështirë ta mbysë zërin e pesimizmit që gurgullon brenda tyre. Kjo do të thotë se shprehja: "Insha Allah”, në shumë raste është shprehje e gjendjes së dyshimit dhe jo e sigurisë së plotë.

Shejhul islam Ibën Tejmija i nixste ushtarët muslimanë për xhihad duke iu thënë: "Do të triumfojmë ndaj tatarëve”. Dikush i irrituar i tha: "Thuaj Insha Allah”!

Ibën Tejmija ia ktheu: "Them Inshallah duke qenë i sigurtë në ndihmën e Allahut (Ala tahkik) dhe jo duke qenë i dyshimtë (Ala ta`lik).

Citimi i këtyre frazave, ajeteve dhe haditheve që flasin për shpresën, mënyra e shprehjes së tyre si dhe pasiviteti që i shoqëron ato, i gjithë ky kontekst është tregues i pesimizmit dhe jo i shpresës.

Në rastin kur hasim një pjesë të mirë të muslimanëve, që argumentojnë për shpresën e rrënjosur thellë në zemrat e tyre me ajetin kuranor: "Nuk i humb shpresat tek mëshira e Allahut përveç se njerëzit jobesimtarë”. (Jusuf 87) e pas përkujtimit të këtij ajeti, i shikon të tërhiqen nga frika e punës reale islame, për të kërkuar shpëtimin personal, që konkretizohet tek fenomeni i haxhit dhe umres së njëpasnjëshme dhe tek mexhliset e vogla të dijes, të cilat pa dyshim janë të mira, ky lloj argumentimi i pashoqëruar me punë reale apo projekte konkrete të mbartura mbi shpatullat e këtyre burrave, në pamje të jashtme është shpresë, por në brendësinë dhe esencën e tij është pesimizëm.

Ky është një model i ri sufizmi, i cili duket se është brenda kufinjve të sunetit profetik dhe nuk del jashtë kuadrit të tij të ligjshëm, mirëpo përderisa mjaftohet me këtë sipërfaqe kaq të ngushtë veprimi, ai del, madje arratiset nga beteja e vërtetë, e cila konsiston në mbartjen e një pjese të shqetësimit islam, i madh apo i vogël qoftë, ose për ta realizuar vetë ose duke ndihmuar të tjerët në realizimin e tij. Kështu do të merrnin kuptimin e duhur mexhliset e dijes dhe edukimit shpirtëror, duke shërbyer si energji ndihmuese në punën reale për nxjerrjen e ummetit musliman nga gjendja e përgjumur.

Në këto çaste të vështira në historinë e çdo ummeti, që kristalizohen më së miri nga fjala e Allahut të madhëruar: "(nuk dërguam tjetër vetëm burra e ndihma u vonua) Derisa të dërguarit gati e humbnin shpresën (se do t’i besojë populli), dhe menduan se u përgënjeshtruan (pse ende nuk i kapi dënimi), atëherë u erdhi atyre (të dërguarve) ndihma Jonë. Ne e shpëtuam atë që deshëm. E dënimi Ynë kundër popullit idhujtar nuk zbrapset” (Jusuf 110). "Kur ata u erdhën juve edhe prej së larti edhe prej së poshtmi, dhe kur shikimet u shtangën, e zemrat arritën në fyt, e ju sajonit mendime të llojllojta për All-llahun”. (Ahzab 10), vjen roli i veprimit të liderëve të ringritjes dhe fjalës së tyre, e cila lë ndikimin e magjishëm në zemrat e njerëzve dhe i nxjerr nga ky gjumë i thellë.



KATËR MËNYRA TË TRAJTIMIT TË PESIMIZMIT

Pesimizmi përbën një burg të madh mendor për popujt dhe shoqëritë. Për të çliruar mendjet dhe zemrat e shoqërive nga ky burg i madh, duhet të shemben të katër muret e tij.

Për shembjen e këtyre mureve duhen përdorur katër çekanë.

Çekani i parë: SHKENCA E SOCIOLOGJISË

Kjo shkencë na bën të qartë një çështje të rëndësishme e cila konsiston në faktin se realitetet e të sotmes janë ëndrra e së djeshmes dhe ëndrrat e të sotmes janë realiteti i së nesërmes.

Studimet e sociologjisë, në lidhje me fushën e studimit të kësaj shkence, pohojnë se kjo shkencë studion fenomenet shoqërore, të cilat lindin si pasojë e pranisë së njeriut në shoqëri. Si rezultat i pranisë së tij brenda këtij kuadri shoqëror, formësohen mentaliteti dhe parimet e tij.

Sjellja e tij shoqërore nuk pasqyrohet nga një mendim dhe planifikim paraprak për t`u paraqitur si e tillë, por realizohet vetvetiu. Njeriu përsërit atë që thuhet, merr pjesë në atë që ndodh dhe bashkëvepron me çka e rrethon. Kur formohet kallëpi i mentalitetit dhe mendimit pesimist nën ndikimin e kësaj trysnie shoqërore dhe të përsëritjeve të njëpasnjëshme të parimeve dhe sjelljeve pesimiste, tek ne lind një lloj i ri i mendimit masiv pesimist.

Këtu vjen roli i liderëve të ringritjes, që konsiston në thyerjen e këtij kallëpi të mentalitetit pesimist.

Shumë gjëra që njerëzit me mentalitetin e tyre masiv, në një epokë të caktuar historike i kanë konsideruar të pamundura dhe donkishoteske, në etapat vijuese janë bërë të realizueshme e llogjike, ndërsa të kundërtat e tyre janë konsideruar çmenduri dhe prapambetje.

Nëse do të përfytyroje një shfaqje teatrale, ku një grup njerëzish shikojnë të habitur dhe me keqardhje Abas Ibnu Fernasin (për mendjen e tij të ikur), i cili po shkruan idetë e tij rreth fluturimit të njeriut e pas kësaj, të kalosh faqet e disa shekujve për të kaluar me të shpejtë në Europë, në një shfaqje tjetër teatrale, e cila personifikon deklaratën e nxjerrë nga kisha, i cili pohon se Zoti i ka krijuar peshqit me luspa për të notuar në det, zogjve u ka krijuar fletë për të fluturuar në ajër, njeriut i ka krijuar këmbë për të ecur në tokë e nëse do të kishte dashur, që njeriu të fluturonte, do ta kishte pajisur me fletë. Kështu që çdokush që pohon apo mendon se fluturimi i tij është i mundshëm, është në kundërshtim me librin e shenjtë dhe meriton të penalizohet për herezi dhe apostazi.

E nëse me të dy shfaqjet atë të Abas Ibnu Fernasit dhe atë të deklaratës së kishës, do të kalonim në botën tonë aktuale, do të vërenim se qëndrimi dhe reagimi ndaj shfaqjes së parë do të ishte i ndryshëm nga ai ndaj së dytës.

Nëse do të shfletonim faqet e historisë, do të gjenim se njerëzit kanë menduar që ummeti musliman nuk mund t`i realizojë ëndrrat e tij. Ndërsa në një etapë tjetër gjejmë se ky ummet ka arritur majat më të larta, saqë i ka bërë njerëzit të mendojnë, se ky ummet nuk ka përjetuar kurrë dobësi.

Shkenca e sociologjisë na prezanton me një fenomen shoqëror të përsëritshëm. Në një etapë të caktuar dhe nën trysninë e një aktualiteti të caktuar, njerëzit mendojnë se nuk mund të arrihet asgjë. Ndërsa në një etapë tjetër e kundërta e këtij të menduari konsiderohet çmenduri.

Si e realizon kjo shkencë shembjen e murit të pesimizmit?

Nën trysninë e aktualitetit të sotëm pesimist në shoqëritë tona, shumë mendojnë se kalimi ynë tek një gjendje tjetër sociale dhe tek koncepte e ide të tjera është i pamundur. Por shkenca e sociologjisë na njofton për të kundërtën. Ëndrrat tona për ringritje, përparim, transformim dhe ndryshim do të jenë me lejen e Allahut (xh.sh) realitet i sigurtë, sepse ëndrrat e së djeshmes janë realitet i të sotmes dhe ëndrrat e të sotmes do të jenë realitet i të nesërmes.

Çekani i dytë: SHKENCA E HISTORISË

Kësaj shkence i është besuar shembja e murit të dytë që rrethon mendimin e pesimistëve.

Për shembjen e këtij muri nuk na duhet studimi i të gjithë historisë, por na mjafton të marrim prej saj vetëm një fenomen apo ligj, që është garant për rrënimin e këtij muri, ligji "Premisat zero”.

Për ta kuptuar këtë fenomen duhet të shtrojmë pyetjet e mëposhtme:

- Cila ka qenë gjendja e gadishullit arabik, nga i cili nisi ftesa islame, në kohën kur zbriti revelata islame?

- Cila ka qenë gjendja e Francës para se të ndodhte revolucioni, i cila e çoi atë në Francën aktuale, që shohim sot?

- Si ka qenë gjendja e Japonisë moderne e industriale para se të nisi të bëhet ajo që është sot?

- Po Kina, nga e cila nisi revolucioni maovit? Ç`gjendje ka përjetuar para këtij revolucioni?

Diskutimi rreth premisave që shfrytëzuan liderët e ringritjeve dhe zhvillimeve si dhe rreth gjendjes së përgjithshme morale e mbizotëruese në shoqëri, të cilën e trashëguan nga brezat paraardhës, nxjerr në pah një tregues real për të gjithë liderët dhe dashamirësit e ringritjes, se të gjitha ringritjet janë nisur nga pista e gjendjes së prapambetjes dhe nga premisa jo thjesht të dobëta e të vështira, por zero.



PËRVOJA PROFETIKE DHE PREMISAT ZERO.

Le të sjelim si shembull gadishullin arabik.

Kur zbriti revelata hyjnore me Kuranin fisnik tek një burrë, i cili posedonte vetëm pak hurma dhe pak ujë, në një vend të egër, tek shpella e largët në majë të malit, erdhi me një mision dhe përgjegjësi madhore dhe të vështirë.

Cili qe ky mision? Kush qe i ngarkuari me të? Për çfarë u ngarkua?

Kjo përgjegjësi dhe ky mision i rëndë e i vështirë konsiston tek thënia e Allahut (xh.sh): "Nuk të kemi dërguar përveç se mëshirë për të gjithë botërat” (Enbija 107).

I ngarkuari me këtë mision ishte një burrë tek të 40-tat. Mundohu të përfytyrosh realitetin e mjedisit dhe popullit mes të cilëve jetonte. Natyra e misionit dhe përgjegjësisë konsistonte tek përcjellja dhe transmetimi i ftesës islame për të gjithë botërat, njerëz dhe xhinde kudo që të jenë, në lindje dhe perëndim, në jug e veri të tokës.

Nëse do të krahasosh mes mundësive, që kishte në dorë Muhamedi (a.s) dhe natyrës së misionit me të cilin ishte ngarkuar, do të shohësh se realizimi i këtij misioni është i pamundur. Nëse do të meditojmë mbi aktualitetin e mjedisit të egër, në të cilin jetonte profeti (a.s), numrin e madh të njerëzve që nevojiteshin si në aspektin sasior, ashtu edhe në aspektin cilësor, për të realizuar këtë mision, për të depërtuar deri në Kinë, Persi apo Bizanti, do të konstatojmë se bëhej fjalë vetëm për një ëndërr të pamundur. Edhe nëse do të ekzistonte sasia e duhur e njerëzve, nuk ekziston komanda cilësore e pregatitur, e aftë dhe e gatshme për të realizuar këtë rol të madh.

Problemi nuk qëndron vetëm tek mundësia e këtyre dy elementëve, por edhe tek mënyra negative me të cilën e pritën idenë dhe tek rezistenca, që i bënë asaj. Historia e jetës së profetit (a.s) na mëson se pas trembëdhjetë vitesh punë dhe përpjekje të mundimshme, ideja nuk arriti të bëjë për vete më shumë se tetëdhjetë e ca persona, banues të Mekes, burra e gra, pleq, fëmijë, robër e të lirë. A është e mundur që kjo sasi heterogjene njerëzish të mbartte një mision si ky?!

Nëse do të supozojmë se ky rajon i botës, i cili përbëhej nga fise beduine, çobanë që migronin nga një vend në tjetrin, ku nuk kishte familje të paprekur nga gjakmarrja, që luftonin kundër njëra – tjetrës për vite të tëra, për hir të një deveje apo gare kuajsh, që ekonominë e kishin të bazuar mbi grabitjen, plaçkitjen dhe sulmet behëse dhe nuk ishte e ambjentuar me punën e organizuar – u arrit të përfshihet brenda projektit rilindës islam, shtrohet pyetja: "Cilat ishin aftësitë e tij për t`u përballur me dy perandoritë madhështore bizantine dhe perse”? Cilat ishin aftësitë e tj shkencore që i mundësuan mirëadministrimin e procesit të ringjalljes civilizuese të shoqërive, që synojnë t`i bëjnë pjesë të vetes?

Është shumë e lehtë të sundosh ushtarakisht, por ta bësh atë pjesë të civilizimit tënd, kjo është çështje tjetër!!

Një projekt si ai i Muhamedit (a.s) nuk kishte synim plaçkitjen dhe grabitjen, por zgjerimin civilizues, që gjuha dhe feja e lirë të stabilizohej në këto vende. Cila ishte aftësia e këtyre arabëve, që nuk njihnin as shkrim e as lexim dhe nuk kishin ndonjë përvojë në fushën e civilizimit, për të predominuar ndaj kulturave, filozofive dhe rrymave të ndryshme të përhapura në këto shoqëri të reja?!

Premisat që gëzonte Muhamedi (a.s) në këtë moment historik ishin zero dhe nuk përgëzonin kurrësesi për këto rezultate që arritën muslimanët pas 40 vitesh veprimtarie civilizuese.

Le të hedhim pak dritë mbi përvojat e tjera historike, rilindase, jomuslimane, në të cilat feja nuk ka pasur rol qëndror.



PËRVOJA KINEZE DHE PREMISAT ZERO

Situata e Kinës në fundin e shekullit të 19-të dhe në fillimin e shek 20-të na vendos përpara një shteti shumë të gjerë e të shtrirë që vuante nga një dendësi demografike shumë e madhe, më një numër banorësh prej 900 milionësh, shumica e të cilëve ishin bujq. Në aspektin shëndetësor vuante nga skamja, uria dhe sëmundjet të shumta, veçanërisht ajo e verbërisë që ishte tmerrësisht e lartë. Shtoji kësaj edhe 100 milion të alkoolizuar.

Në aspektin kulturor vuante nga injoranca dhe prapambetja teknologjike. Klasa intelektuale ishte e magjepsur me perëndimin dhe kulturën e tij.

Në aspektin ekonomik vuante nga embargot e ashpra ekonomike që buronin nga marrëveshjet e padrejta dhe të pabarabarta me perëndimin. Përveç kësaj mund të përmendim edhe shkatërrimin që i bëri Japonia ekonomisë kineze.

Në aspektin shoqëror Kina kërcënohej ashpër nga shkatërrimi dhe zbërthimi i rrjetit shoqëror për shkak të dobësisë së madhe të këtij rrjeti. Konfliktet ishin të mëdha për shkak të etnive të ndryshme e të shumta.

Aspekti politik ishte shumë i rënduar. Brenda saj, Kina po përjetonte përplasje të shumta mes kombeve dhe etnive të ndryshme, të cilat kërkonin të kundërshtonin dhe të shkëputeshin nga qeveria qendrore.

Në sferën e jashtme Anglia kishte pushtuar disa pjesë të Kinës dhe i kishte kthyer në koloni të saj, si ajo e Hong-Kongut e më pas Perëndimi shpall ndaj Kinës luftën e Opiumit në vitin 1840, si pasojë e së cilës pati 100 milion të droguar. Në vitin 1895 Kina pushtohet nga Japonia.

Në këto kushte shfaqet një djalosh me emrin Mao Ce Dun nga shtresat e mesme, i cili nuk vinte nga familje që qeverisnin apo që ishin në majë të piramidës politike e as piramidës së forcës, por ishte një student i vitit të dytë, në fakultetin e Filozofisë që synonte dhe ishte i vendosur të riorganizonte popullin kinez dhe arsimin e tij, madje ngritjen e tij deri në kulmin e arsimimit. Ishte i vendosur të triumfonte ndaj faktorëve të destabilizimit dhe shkatërrimit të shoqërisë se tij, të përballej me qeverinë qëndrore, rrëzimin e saj, rikthimin e pronave të vendit të tij, çlirimin e tij nga pushtuesit britanikë dhe japonezë, përvetësimin e të gjitha llojeve të teknologjisë bërthamore dhe të gjitha llojeve të forcës që Kina i kishte të nevojshme për mbrojtjen nga armiku i jashtëm. Ai ishte gjithashtu i vendosur të zgjidhte problemin e sëmundjes dhe opiumit!

Shkurt ishte i vendosur për një Kinë të bashkuar, të fortë dhe të përparuar.

Nëse kjo është shpresa dhe ëndrra e madhe që mbante ky djalosh i thjeshtë kinez që kishte të bënte me ato kushte dhe premisa mbi të cilat mund të lëvizte, cila ishte mundësia e suksesit?!

Bashkë me Mao Ce Dunin lëvizte edhe ajo masë njerëzish e ndërgjegjësuar që kaluan me qindra sfida të papritura, prova të dështuara, katastrofa të mëdha dhe humbje madhore e megjithatë një projekt i madh u nis në Kinë dhe vazhdoi përparimin e tij ditë pas dite.

Vallë a u realizua kjo ëndërr? Ku ka arritur Kina sot? Cila është pozita e saj ndërkombëtare? Sa arrin buxheti i saj tregtar në marrëdhëniet me Kombet e Bashkuara? Çfarë orientimi ka? Sa është përqindja e zhvillimit ekonomik aktual? Cili wshtë qëndrimi Hong-Kongut dhe Tajvanit ndaj saj? Si e shikon bota e sotme të ardhmen e Kinës?

Nëse do të shikosh premisat fillestare zero e t`i krahasosh me rezultatet aktuale të Kinës, do të dalim në konkluzionin se ngritja e civilizimeve të mëdha nga premisat zero është një e vërtetë e pamohueshme dhe shembujt e shumtë historikë e vërtetojnë një pohim të tillë.



Argumenta të tjerë historikë.

Janë të shumtë shembujt historikë që vërtetojnë këtë ligj dhe mbështesin vërtetësinë e tij.

Në ç`gjendje ishte Japonia pas luftës së dytë botërore e cila përfundoi më dorëzimin dhe gjunjëzimin e saj? Si ishte situata në Japoni, pasi ajo u godit me dy bomba bërthamore, të cilat vranë, plagosën, deformuan e shpërngulën me miliona njerëz? Ku është tani Japonia?

Ku ishte Gjermania e cila përbëhej nga 300 shtete të vogla, të cilat i bashkoi Bismarku e më pas u mund në luftën e dytë botërore? Si u rindërtua populli gjerman, pasi u shkatërrua moralisht, u shemb e pasi u coptuan disa pjesë të tokave të saj.

Si u ngjit në kupolën e botës për t`u përballur me shtetet superfuqi në një ndër luftërat më të mëdha e të ashpra, luftën e dytë botërore?

Në ç`gjendje u kthye pasi u shkatërrua, u nda dhe u pushtua nga alealët triumfatorë?

Gjermania u shkatërrua plotësisht në luftën e dytë botërore. Burrat që janë shtylla e rigritjes së saj u pakësuan shumë, shkatërrimi mbuloi çdo cep të saj. Përveç kwsaj, ndaj saj u vendosën kushte dhe embargo shumë të ashpra. Ku ka arritur sot Gjermania?

Ku ishte Hindia, ai popull i madh, me fe, etni dhe gjuhë të shumta dhe si ishte rrjeti i saj shoqëror? Si i përballoi dhe si veproi me ato kushte dhe premisa, që konsistonin tek kolonializimi, injoranca, fukarallëku dhe degjenerimi i rrjetit shoqëror? Si ka mundur tw bwhet sot forcë bërthamore e teknologjike nw shkallw botërore?

Ky fenomen apo ligj historik është i aftë, të shembë murin e dytë të pesimizmit, madje është një burim i madh përgëzimi e shprese i përhapjes së kulturës dhe aftësisë për të vepruar në shoqëritë islame në këtë etapë të rëndësishme historike të këtyre shoqërive.



Çekani i tretë: LLOGJIKA

Llogjika të pajis me bindjen se është i fituar çdokush që punon, mundohet dhe lodhet sinqerisht për Allahun duke iu përgjigjur thirrjes së Tij: "dhe thuaj: "Punoni se punën tuaj do e shohë Allahu, profeti i Tij dhe besimtarët”. (Teube 105).

Nëse jeta përfundon para realizimit të ëndrrave, s`ka dyshim se ai ka për të qenë prej fituesve të kënaqësisë së Allahut në ahiret. Por edhe në dynja e ka shijuar jetën e tij duke jetuar e luftuar për një çështje madhore. E nëse ëndrrat realizohen, ka fituar të dy gëzimet: gëzimin e triumfit dhe sundimit në dynja "dhe atë ditë do të gëzohen besimtarët me triumfin e Allahut” (Rrum 4-5) dhe gëzimin me kënaqësinë e Allahut (xh.sh) në ahiret si rezultat i punës dhe sinqeritetit të tij.

Ndërsa ai, i cili nuk pregatitet, nuk lodhet e nuk mundohet, do ta shijojw dëshpërimin dhe pendimin në dynja dhe në ahiret për shkak të humbjes së rastit të dhënë apo për arsye të djersës së paderdhur, që ka si pasojë zemërimin e Allahut (xh.sh).

Llogjika pohon se puna në të gjitha situatat është anija e shpëtimit, apo anija e Nuhut (a.s) në dynja dhe ahiret.



Çekani i katërt: PËRGËZIMET KURANORE DHE PROFETIKE PËR TRIUMFIN DHE SUNDIMIN E KËTIJ UMMETI

Kur ummeti zmbrapset për njëfarë kohe dhe rënkon nën trysninë e aktualitetit të rëndë e të dhimbshëm, ngrihen zërat duke pyetur: "Ku është zgjidhja”?

Kjo qe ajo, që ndodhi me Habab Ibnu Eretin, i cili shkoi tek profeti (a.s) pasi i kishin mbaruar mundësitë e qëndresës ndaj dhunës dhe padrejtësisë së politeistëve në Meke. Ai tha: "O profet i Allahut pse nuk lutesh për ne? Pse nuk i kërkon Allahut triumfin për ne”?

Pra kur shtohet trysnia e aktualitetit dhe rëndohet pesha e tij, njerëzit fillojnë të kërkojnë për zgjidhjen. Këtu shfaqen përgëzimet, për të shembur murin e fundit të pesimizmit.

Prej përgëzimeve që trajton Kurani fisnik, është dialogu mes faraonit e popullit të tij dhe mes Musait (a.s) dhe pasuesve të tij.

Allahu i Madhëruar thotë: "Paria e popullit të faraonit thanë: A do të lejosh Musain dhe populin e tij të bëjnë përçarje në tokë e të të braktisin ty dhe zotat e tu? Faraoni tha: "Do t`ua mbysim djemtë e do t`i lemë të gjalla gratë e tyre. Ne jemi dominues ndaj tyre”. Musai i tha popullit të vet: "Kërkoni ndihmë prej Allahut dhe kini durim. S`ka dyshim se toka është e Allahut, ia lë trashëgim atij që do nga robtë e Tij dhe e ardhmja e lumtur është për të devotshmit. Ata (populli i Musait) thanë: "Ne ishim të shtypur para se të vije ti e edhe pasi na erdhe”. Ai (Musai) tha: "S`ka dyshim se Allahu do ta shkatërrojë armikun tuaj e ju do t`ju mëkëmbë mbi tokë e do t`ju shikojë se si do të punoni”

Prej përgëzimeve ësht fjala e Allahut të Madhëruar: "Ata duan ta shuajnë dritën e Allahut me gjuhët e tyre, por Allahu do ta plotësojë dritën e Tij edhe pse e urrejnë jobesimtarët një gjë të tillë. Allahu është Ai që dërgoi profetin e Tij me udhëzim të qartë e fe të vërtetë, për ta bërë mbizotërues mbi të gjitha fetë edhe pse idhujtarët e urrejnë” (Saff 8-9)

Siç thotë Allahu i madhëruar: "e tashmë fjala (premtimi) Jonë u është dhënë më parë robërve Tanë të dërguar se ata, pa dyshim do të jenë të ndihmuar”. (Safat 171-172).

Libri i Allahut është i mbushur më përgëzime të tilla, të cilat zgjojnë shpresën në shpirtra.

Prej përgëzimeve të shumta që përmban tradita profetike është hadithi i profetit Muhamed (a.s): "Kjo fe ka për të arritur deri atje ku ka arritur nata dhe dita (pra në të gjithë tokën)” Transmeton Imam Tirmidhiu.

Si dhe hadithi: "Allahu i Madhëruar ma tkurri tokën dhe shikova lindjet dhe perëndimet e saj. Mbretërimi i ummetit tim do të përfshijë të gjithë atë që kam parë”. Transmeton Imam Muslimi.

Përdorimi i këtyre katër çekanëve: sociologjia, historia, llogjika dhe përgëzimet, bëjnë të mundur çlirimin e shpirtit njerëzor nga robëria e saj, shkatërron prangat e saj dhe shemb burgun e saj në të cilin është burgosur për njëfarë kohe, për t`i hyrë punës me "Inshallah”-un e sigurisë së plotë tek ndihma e Allahut të Madhëruar.

Liderët dhe nxënësit e ringritjes, me anë të këtyre katër mjeteve, mund të shembin muret e pesimizmit, që rrethojnë individin e sotëm musliman. Dalja prej rrethit të pesimizmit është hapi i parë drejt daljes nga ky aktualitet.

Autor: Xhasim Sulltan

Perktheu: Sabaudin Jashari

www.vizion-islam.com
Dhulkarnejn
Dhulkarnejn
Forumist
Forumist

Numri i postimeve : 184
Points : 512
Reputation : 14
Data e Anëtarësimit : 02/02/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi