Feja Islame
Es Selam Alejkum
Mirë se erdhët në Forumin islam! Me sa duket ende nuk jeni regjistruar.

Ndikimi i adhurimeve në kalitjen e shpirtrave

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Ndikimi i adhurimeve në kalitjen e shpirtrave

Mesazh nga Ebu Hattab prej Sun Mar 21, 2010 3:31 pm

Ndikimi i adhurimeve në kalitjen e shpirtrave

Prej mirësive madhore të Islamit është të qenët fe gjithëpërfshirëse për të gjitha sferat e jetës. Në të nuk ka ndarje ndërmjet adhurimit dhe sjelljes e as ndërmjet dijes dhe të vepruarit. Nuk ka aspak dyshim se prej synimeve më madhore të adhurimeve që i ka ligjësuar Islami – qofshin ato të detyrueshme ose të rekomanduara- është pastrimi i shpirtrave, kalitja dhe përmirësimi i tyre drejt karakterit dhe sjelljes së mirë, në mënyrë që muslimani, i cili i kryen obligimet ndaj Allahut të Lartësuar, të jetë njeri me moralin dhe sjelljen më të mirë. Këtë synim e gjejmë në të gjitha ritet dhe shtyllat islame.

Namazi, që është ndër shtyllat më të rëndësishme në Islam pas njësimit të Allahut të Madhërishëm, gjejmë se është një ndër mjetet më të fuqishme për pastrimin e shpirtrave, ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar: "...dhe fale namazin! Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar" (Ankebut, 45)

Për këtë shkak, kur i është thënë të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, se filani falet tërë natën, por kur gdhihet, vjedh. Ai u tha: "Do ta ndalojë nga kjo namazi i tij." Shënon Ahmedi dhe të tjerët.

Nga kjo kuptojmë se realiteti i namazit është pastrimi dhe dëlirja e shpirtit nga moralet e ulëta dhe nga cilësitë e këqija.

Prej synimeve më madhore të agjërimit është realizimi i devotshmërisë dhe ruajtja nga të këqijat, ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar: "O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat." (Bekare, 183)

Nuk mund të arrihet devotshmëria dhe ruajtja nga të këqijat te besimtari përveç nëse përmirësohet morali i tij me krijesat e Allahut të Lartësuar. Për këtë shkak, i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, ka bashkuar porosinë për devotshmëri dhe porosinë për sjellje të mirë kur thotë: "Kije frikë Allahun kudo që të jesh! Pasoje të keqen me të mirë që ta fshijë atë! Sillu mirë me njerëzit!” Disa njerëz mendojnë se nëse i kryen mirë adhurimet ndaj Allahut të Lartësuar, mund të mos sillen mirë me krijesat, prandaj i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, i udhëzoi në domosdoshmërinë e bashkimit të frikës ndaj Allahut dhe sjelljes së mirë me njerëzit, ashtu siç i udhëzoi drejt domosdoshmërisë së stolisjes me butësinë dhe moralin e mirë kur iu drejtua agjëruesve me fjalët: "Kur të agjërojë ndokush, le të mos flasë fjalë të ndyta dhe mos ta ngrejë zërin, e nëse dikush e ngacmon apo e sulmon, le të thotë ‘unë jam agjërueshëm’."

Zekati gjithashtu është një ndër adhurimet dhe obligimet si dhe prej mjeteve më të mëdha për pastrimin e shpirtit nga koprracia dhe egoizmi si dhe mjet për mbjelljen e dashurisë, mëshirës e dhembshurisë. Për këtë Allahu i Lartësuar thotë: "Merr nga pasuria e tyre lëmoshë me të cilën t'i pastrosh ata dhe t'ua rrisësh veprat e mira!" (Tevbe, 103)

Sa i përket haxhit, që është shtylla e pestë e Islamit, në të vërejmë ndikimin e mrekullueshëm në përmirësimin e moralit dhe sjelljes së mirë. Si të mos jetë kështu kur Allahu i Lartësuar thotë: "Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar. Kush vendos të kryejë haxhillëkun, le të largohet nga marrëdhëniet (me gruan), grindjet dhe sharjet." (Bekare, 197)

Ndërsa i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, kur komenton për mirësinë e haxhillëkut duke thënë se mirësia e tij është "fjalë të buta dhe ushqimi i njerëzve", në këtë vërejmë ndikim jashtëzakonisht të madh në sjelljet e shumë haxhilerëve e vizituesve të Qabes kur kujdesen që haxhillëku i tyre të jetë i pranuar, sillen dhe u flasin butë vëllezërve të tyre, i duron dhe u përmbahet sjelljeve, veprimeve dhe fjalëve të tyre në haxhillëk, që ndoshta nuk mund t'iu përmbahet jashtë haxhillëkut. Njeriun duke qenë në ihramin e tij e sheh teksa kujdeset që t'i largohet grindjes dhe debatit, madje nuk ia kthen të keqes me të keqe. Ndërsa po të ndodhte kjo jashtë kohës së veshjes së ihramit, ndoshta do të shpërthente, nxehej dhe trazohej, mirëpo qartazi vërehet ndikimi i adhurimit në sjelljen dhe veprimet e tij.

Sikur muslimanët të inspiroheshin me këtë frymë dhe ta ndienin këtë synim nga adhurimet e tyre në të gjitha situatat e tyre, do të përmirësohej shumë mirësjellja dhe shoqëria muslimane do të mbushej me dashuri, mëshirë dhe dhembshuri, mirëpo realiteti e shtyn njeriun të mendojë se disa njerëz ndoshta kanë përfituar përkohësisht nga ndikimi i adhurimeve të tyre dhe gjurmët nuk kanë lënë karakter vazhdues dhe të përhershëm. Kjo pa dyshim se është një defekt në praktikë që kërkon përkujtimin se prej synimeve më madhore të ligjshmërisë së adhurimeve në Islam është pastrimi i shpirtrave dhe përmirësimi i tyre, largimi nga joshja dhe shmangia nga moralet e këqija e gjërat e ulëta.
avatar
Ebu Hattab
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 75
Points : 200
Reputation : 0
Data e Anëtarësimit : 27/02/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi