Feja Islame
Es Selam Alejkum
Mirë se erdhët në Forumin islam! Me sa duket ende nuk jeni regjistruar.

Mënyra si është zgjedhur Ebu Bekri r.a. halif

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Mënyra si është zgjedhur Ebu Bekri r.a. halif

Mesazh nga Ebu Amar prej Fri Apr 02, 2010 7:27 pm

Mënyra si është zgjedhur Ebu Bekri r.a. halif

Se Ebu Bekri r.a. kishte shumë besim në Pejgamberin a.s., se ishte i pari që e kishte besuar Muhamedin a.s. për profet dhe se ishte përkrahësi më i afërt i Pejgamberit a.s., këtë e dëshmojnë shumë ngjarje historike, shumë hadithe të Pejgamberit a.s. dhe shumë argumente të tjera, të cilat ne i kemi shtruar në punimin paraprak rreth Ebu Bekrit r.a.. Po ashtu, ka edhe shumë ngjarje, argumente dhe thënie pejgamberike që dëshmojnë për dashurinë, respektin dhe afërsinë që kishte Pejgamberi a.s. ndaj Ebu Bekrit r.a. duke u bazuar në kontributin dhe në ndikimin që Ebu Bekri ka dhënë për Islamin në përgjithësi. Për dashurinë dhe respektin që kishte Pejgamberi
a.s. ndaj Ebu Bekrit, tregon edhe kjo ngjarje: “Doli Pejgamberi a.s. një ditë para ashabëve në xhami dhe pyeti se ku ishte Ebu Bekri. Ai u ngrit, e Pejgamberi a.s., kur e pa, i tha eja pranë meje. Pastaj pyeti se ku është Omeri. Edhe ai u ngrit, e Pejgamberi a.s. i tha edhe atij të shkonte pranë tij. Pastaj i mori të dy për dore, i ngriti lart dhe tha: “Kështu do të ringjallemi në Ditën e Kiametit”1 Në një rast tjetër, kur ishte pyetur Pejgamberi a.s. se kush ishte njeriu më i dashur për të, ai ishte përgjigjur: “Aishja”. I thanë: “E kush prej burrave?” Tha: “Baba i saj”. Pejgamberi a.s. një ditë tjetër pati thënë: “O Ebu Bekër, ti je shoku im në shpellë dhe në varrezë”.2 Pejgamberi a.s. nuk kishte insistuar që ta emëronte prijësin e myslimanëve, i cili do të vinte pas tij, për shkak të urtësisë që del nga vetë natyra e fesë islame, e mbështetur në metodën e trasuar nga Kur’ani: “Dhe të cilët bëjnë marrëveshje për punët e tyre”.3 Sipas këtij ajeti, myslimanët çështjet e veta duhet t’i zgjidhin vetë. Edhe Muhamedi a.s. çështjen e hilafetit (udhëheqjes) e kishte lënë ta zgjidhnin vetë myslimanët midis tyre përmes sistemit “shura” (marrëveshje koncesuale). Kjo nuk do të thotë se Pejgamberi a.s. nuk i kishte këshilluar ashabët e tjerë, sepse duhet të mbajmë parasysh se ai ishte Pejgamber i tyre që bënte thirrje gjithherë në rrugë të drejtë. Animin nga Ebu Bekri, Pejgamberi a.s. e shfaqte përmes ishareteve të tij profetike, të cilat në momente të caktuara i kuptonin vetëm disa ashabë, e më pastaj edhe të tjerët.

Përparësia e Ebu Bekrit ndaj ashabëve të tjerë

1. Kur Pejgamberi a.s. mbushi gjashtëdhjetë e tri vjet, tek ai filluan të shfaqeshin shenjat e lodhjes e të sëmundjes. Erdhi një grua ta pyeste Pejgamberin a.s. dhe kërkoi nga ai diçka, e Pejgamberi a.s. i sugjeroi të vinte në vitin tjetër. Kjo grua i tha Pejgamberit a.s:
“Nëse vij vitin tjetër e nuk të gjej ?”, duke aluduar për vdekjen e tij, ngase tek ai kishte parë shenjat e lodhjes e të sëmundjes. Ai i tha: “Nëse nuk më gjen, atëherë shko te Ebu Bekri”. Kjo ishte një shenjë e Pejgamberit a.s. se Ebu Bekri duhej të ishte halif i myslimanëve pas vdekjes së Pejgamberi a.s.. Pas këtij rasti, Pejgamberi a.s. udhëtoi për Haxhin e fundit lamtumirës, kur i zbriti ajeti i tretë i sures El-Maide. Për zbritjen e këtij ajeti u gëzuan të gjithë ashabët, përveç Ebu Bekrit, i cili qau, ngase ky ajet përmbante edhe lajmin për ndarjen e Pejgamberit a.s. nga kjo jetë.
2.Pas keqësimit edhe më shumë të shëndetit të Pejgamberit a.s., siç transmetohet nga Tirmidhiu, Pejgamberi a.s. e kishte porositur Aishen me këto fjalë: “Urdhërojini Ebu Bekrit t`u prijë njerëzve në namaz”. Atë herë Aishja tha: “Nëse Ebu Bekri të zëvendëson në namaz, ai ka zë të dobët dhe ndikohet nga Kur’ani dhe njerëzit nuk do të dëgjojnë asgjë nga vaji i tij, prandaj urdhëroje Omerin t`u prijë njerëzve”. Njësoj mendonte edhe Hafseja. Pejgamberi a.s. tha: “Me të vërtetë ju jeni njësoj si gratë në rastin e Jusufit a.s. dhe duke thënë prapë: I urdhëroni Ebu Bekrit që t`u prijë njerëzve”… (Tirmidhiu, hadithi është Hasenun Sahih)4. Pas këtij rasti Ebu Bekri u
priu myslimanëve në namaz, ndërsa Pejgamberi a.s. i shikonte derisa faleshin në rreshta pas Ebu Bekrit, dhe buzëqeshte nga kënaqësia. Dijetarët islamë janë të mendimit se me këtë veprim (pra, me insistimin e Pejgamberit a.s. që Ebu Bekri të dilte imam i myslimanëve), Pejgamberi a.s. dëshironte të arrinte diçka. Transmetohet se Ebu Bekri në kohën sa ishte në jetë Pejgamberi a.s., tri herë u kishte prirë njerëzve në namaz.5
3. Përparësia tjetër e Ebu Bekrit tek Pejgamberi a.s. vërehet edhe në rastin e mbylljes së derës së mesxhidit, nëpër të cilën hyhet nga shtëpitë në xhami. Pejgamberi a.s. urdhëronte që të mbylleshin dyert nëpër të cilat hyhet në xhami, përveç asaj të shtëpisë së Ebu Bekrit, ngase Pejgamberi a.s. konsideronte se asnjë njeri nuk i kishte ofruar atij miqësi më të mirë sesa Ebu Bekri r.a.. Në një rast tjetër Pejgamberi a.s. kishte thënë: “Nëse
do të zgjidhja nga robërit e All-llahut ndonjë shok-ndihmës (i cili do të kishte pozitë të veçantë në fe), do ta
pranoja Ebu Bekrin…”6

Qëndrimi i vendosur i Ebu Bekrit me rastin e vdekjes së Pejgamberit a.s.

Pas kalimit të Pejgamberit a.s. në Ahiret, bashkëshortja e tij, Aishja, nuk dinte ç’ të bënte. Më vonë u ngrit dhe hyri në xhaminë e Pejgamberit a.s. dhe bërtiti me sa zë pati: “Vdiq Pejgamberi i Allahut”! Me këtë rast tërë xhamia u mbulua në vaj. Aliu r.a. nuk mundi të qëndronte në këmbë, Othman bin Afani u bë si fëmijë, e merrnin nga e majta në të djathtë dhe anasjelltas. Fatimja, bija e Pejgamberit a.s. thoshte: “O babai im, Iu përgjigje Zotit që të thirri! O babai im, në Xhenetin Firdeus e ke vendin…”! Omeri r.a., kur kishte dëgjuar lajmin për vdekjen e Pejgamberit a.s., mori shpatën dhe u bërtiti njerëzve në xhami duke u thënë: “Kush thotë që Muhamedi a.s. ka vdekur, do t`ia pres kokën. Ai ka shkuar te Zoti i tij, siç shkoi më parë Musai a.s.,biri i Imranit, për tu takuar me Zotin e tij, kur pas dyzet ditësh u kthye pra Pejgamber tek populli i vet…”7 Ndërsa shoku më i qëndrueshëm me rastin e vdekjes së Pejgamberit a.s. ishte ai që e deshi më së shumti Ebu Bekri. Ai hyri në dhomën e Pejgamberit a.s., e shploi dhe e vërtetoi se kishte ndërruar jetë Pejgamberi a.s., e mori në gjoksin e tij, e puthi në mes dy syve dhe tha: “Sa i bukur ishe i gjallë e sa i bukur je i vdekur, o i Dërguari i All-llahut!” Dhe thoshte: “O i Dërguar, o i Zgjedhur, o Shok, o i Dërguar i All-llahut!… Pastaj Ebu Bekri u largua nga Pejgamberi a.s. dhe hyri në xhami, ku gjeti Omerin duke folur, dhe tha: “Hesht, o Omer!” Omeri nuk pushoi së foluri, ndërsa Ebu Bekri, me sa zë që pati, tha: “O ju njerëz, kush prej jush ka adhuruar Muhamedin a.s., le ta dijë se ai ka vdekur, e kush ka adhuruar All-llahun, le ta dijë se All-llahu është gjallë e nuk vdes”. Pastaj lexoi ajetin
Kur’anor: “Muhamedi nuk është tjetër veçse i dërguar.
Edhe para tij pati të dërguar (që vdiqën ose u vranë).E nëse ai vdes ose mbytet, a do të ktheheshit ju prapa (nga feja ose lufta)? E kushdo që kthehet prapa, nuk i bën dëm All-llahut aspak, kurse All-llahu do t’i shpërblejë mirëbërsit”.8

Ebu Bekri halif

Menjëherë pas vdekjes së Pejgamberit a.s. ashabët dhe myslimanët e tjerë filluan të mendonin për zgjedhjen e udhëheqësit të shtetit islam, që do ta zëvendësonte Pejgamberin a.s.. Ata për këtë filluan të mendojnë ende pa e përgatitur kufomën dhe pa e varrosur trupin e Pejgamberit a.s., në mënyrë që të mos lihej ndonjë vakum i qeverisjes së shtetit islam dhe mbrojtjes së shtetit islam. Ky veprim është një tregues i qartë për rëndësinë që kishte dhe ka sistemi i qeverisjes dhe i politikës në Islam.Tani do të prezentojmë historinë e zgjedhjes së Ebu Bekrit halif të parë të myslimanëve, të transmetuar nga Umer Ibn Hatabi. Transmetohet nga Ibn Abbasi, se Umeri
r.a. ka thënë: “Kur vdiq i Dërguari i Allahut, ne u ndamë në disa grupe. Aliu dhe Zubejri në shtëpinë e Fatimes, ensarët u mblodhën në shtëpinë e familjes Sai’de, ndërsa ne emigrantët nga Meka u tubuam tek Ebu Bekri. Unë i thashë Ebu Bekrit: “Le të shkojmë te vëllezërit tanë ensarë dhe ta zgjidhim këtë problem”. U nisëm, por rrugës takuam dy burra të mirë, të cilët na pyetën: “Për ku jeni nisur, o muhaxhirë?” Unë thashë: “Po shkojmë te vëllezërit tanë ensarë”. Ata thanë: “Mos shkoni atje, po kthehuni nga keni ardhur”.Unë thashë: “Betohem për Allahun se do të shkojmë”, dhe ashtu bëmë. Kur arritëm atje, i gjetëm të mbledhur nën çatinë e familjes Sa’ide. Në qendër të tyre qëndronte një njeri i mbështjellë me rroba. “Kush është ky dhe çfarë ka?”-pyeta unë. “Ai është Sa’ad ibn Ubade dhe është i sëmurë”- thanë. Pasi u ulëm, u ngrit një njeri orator prej tyre dhe, pasi falënderoi e lavdëroi Allahun, tha: “Ne jemi ndihmësit e Allahut dhe ushtria e Islamit, kurse ju muhaxhirë nga ne,
përse një grup prej jush kërkon të na largojë nga ajo që na përket”.9

Muhaxhirët dhe Ensarët dhanë besën (mubajea ) Ebu Bekrit

Kur ai mbaroi, unë dëshirova të thosha një fjalë të bukur përpara Ebu Bekrit, të cilën e kisha përgatitur që përpara, por Ebu Bekri më ndaloi. Unë nuk dëshirova ta zemëroja, prandaj heshta…Ai filloi të fliste: “Çdo gjë që thatë ju, e meritoni, por arabët nuk i kanë parë këto cilësi që i përmendët veçse tek këta pjesëtarë të kurejshëve (dhe bëri me dorë nga muhaxhirët). Këta janë njerëzit më të mesëm, si në origjinë ashtu edhe në shtëpi, dhe unë po zgjedh për ju dy prej tyre, kurse ju merrni kë të dëshironi”.
Pastaj më ngriti mua dhe Ebu Ubejde ibn Xherrahun. Kjo ishte gjëja e vetme që nuk më pëlqeu nga fjalimin e tij. Betohem për Allahun se, në qoftë se mua do të më kërcënonin me vdekje, nuk do të pranoja kurrë të udhëhiqja një popull në mesin e të cilëve do të ishte Ebu Bekri…Njëri nga ensarët u ngrit e tha: “Unë jam ai që ju nevojitet. Unë e kam zgjidhjen e duhur për problemin tuaj. Unë them se ne duhet të zgjedhim një prijës nga ne dhe një
prijës nga ju”. Atëherë dhoma filloi të gumëzhinte nga zërat e lartë që shpërthyen pas asaj fjale. Unë u tremba se mos përçaheshim dhe i thashë Ebu Bekrit të zgjaste dorën, në mënyrë që t’i jepja besën. Pas meje dhanë besën muhaxhirët dhe pas muhaxhirëve ensarët”. (Transmeton Ahmedi).10 Zgjedhja e Ebu Bekrit u bë në ditën e hënë, më 12 të muajit rebiul evel të vitit 11 h. (6 qershor 632). Personat që nuk ishin të pranishëm në këtë betim, ishin: Abasi, Aliu, dhe Zubejr ibn Avvami, të cilët ishin të zënë me përgatitjen e xhenazes së të nderuarit-Pejgamberit a.s.. Por në ditën tjetër, më datë 13, u bashkuan që të gjithë njerëzit në Xhaminë e Pejgamberit a.s. dhe dhanë betimin për Ebu Bekrin.11 Enes ibn Maliku transmeton detajet e betimit të dytë, që u bë një ditë
më pas në Xhaminë e Pejgamberit a.s.. Ai citon: “Në ditën e martë, Umer ibn Hatabi hipi në minberin e Pejgamberit a.s., ndërsa Ebu Bekri qëndroi anash këtij minberi i heshtur. Pasi u mblodhën të gjithë njerëzit në xhami, Umeri u ngrit para tyre dhe u foli: “Sa e kam dëshiruar që të jetonte Pejgamberi a.s., të ishte i fundit që do të vdiste nga ne…Por, me vdekjen e tij, Allahu nuk e la Ymetin e tij të shuhet. Ai u la dritën, e cila është Syneti i Pejgamberit a.s.. Ebu Bekri ishte shoku më i ngushtë i Pejgamberit a.s., ishte i vetmi që e shoqëroi Pejgamberin a.s. në emigrimin e tij, duke qëndruar me të në shpellën ”Thever”…Ju shumë mirë e dini se nuk ka më të mirë se ai ndër të gjithë myslimanët. Pra, ejani dhe jepini besën Ebu Bekrit si halif i besimtarëve. Pastaj Umeri i thotë Ebu Bekrit: “ngjitu në minber!”. Ebu Bekri u ngjit dhe që aty filloi betimi i popullit ndaj Ebu Bekrit. Betimi vinte edhe nga muhaxhirët edhe nga ensarët.12 Pas betimit, Ebu Bekri mbajti fjalimin e tij historik, ku, përveç falënderimit të Allahut xh.sh. dhe përshëndetjes së Pejgamberit a.s. , ndër të tjera, tha: “O njerëz , unë u zgjodha nga ju, por nuk jam më i mirë se ju. Nëse punoj mirë, atëherë më ndihmoni! Nëse punoj keq, atëherëë më drejtoni. Sinqeriteti është premtimi im që e bëj para Zotit për ju…Nëse një popull do të neglizhojë në luftën për hir të Zotit, Allahu do t’i poshtërojë ata. Nëse në një popull përhapet degjenerimi, Allahu do t’u hedhë atyre
sëmundje dhe fatkeqësi”.13

Ebu Bekri i dha fund krizës së largimit nga feja

Në betim fillimisht nuk morën pjesë Ali ibn EbiTalibi dhe Zubejr ibn Avvami. Ebu Bekri menjëherëë dërgoi njerëz që t’i thërrisnin ata, të cilëve, sapo arritën, Ebu Bekri u tha: “A dëshironi të thyeni besën e myslimanëve”? Që të dy u përgjigjën: “Jo, mos ki merak, o halif i Pejgamberit a.s.”. Pastaj u afruan dhe dhanë betimin e tyre. Në përfundim duhet të themi se, kushdo që trajton këtë temë pak sa më thellë, do të arrijë në konstatimin se EbuBekri r.a. ishte zgjedhur halif i myslimanëve me miratimin etë gjithë ashabëve, duke mos rënë ndesh me paralajmërimin e mëparshëm të Pejgamberit a.s. kur kishte thënë: “Allahu dhe besimtarët nuk lejojnë veçse Ebu Bekrin”. Në bazë të kësaj thënieje profetike, nuk fshihet respekti dhe dëshira e Pejgamberit a.s. për Ebu Bekrin r.a., po kjo nuk do të thotë se Pejgamberi a.s. kishte ndërhyrë apo e kishte caktuar vetë Ebu Bekrin për halif të myslimanëve, sepse vetë në këtë thënie Pejgamberi a.s. kishte përmendur Allahun xh.sh. dhe besimtarët, të cilët do të gjykojnë dhe do të vendosin për halifin mysliman pas Muhamedit a.s.. Pra, Pejgamberi a.s. nuk e kishte caktuar as Ebu Bekrin, siç pretendojnë një pjesë e Ehli-Synetit, as Aliun siç pretendojnë shiitët. Është shumë e sigurt dhe e argumentuar se i Dërguari i Allahut nuk kishte zgjedhur njeri për të qenë zëvendës i tij në
udhëheqjen e myslimanëve. Edhe Aliu r.a., në lidhje me zgjedhjen e Ebu Bekrit, në një rast para njerëzve kishte thënë: “O njerëz ! I dërguari i Allahut nuk ka thënë asgjë për çështjen e drejtimit të myslimanëve, por ne e pamë të arsyeshme se kjo gjë i përkiste Ebu Bekrit më përpara se kujtdo tjetër…”.14 Zgjedhja e Ebu Bekrit për halif të myslimanëve, ishte caktimi i Allahut xh.sh., dëshirë e Pejgamberit a.s. dhe vendim i mbështetur nga të gjithë ashabët e Muhamedit a.s. dhe nga të gjithë myslimanët, qofshin muhaxhirë a ensarë. Emërtimi i tij për halif, i gëzoi të gjithë, burra e gra, pleq, të rinj e fëmijë. E donin që të gjithë, meqë e njihnin si njeri të butë dhe shumë të sinqertë.
Kur Ebu Bekri mori halifatin, shumica e kabileve arabe ishin larguar nga Islami. Hapi i parë që ndërmori ai, ishte luftë për rikthimin e të gjithëve nën flamurin e Islamit dhe dhënia fund e krizës së largimit nga feja. Pastaj ushtria myslimane në kohën e tij çliroi Persinë, mposhti bizantinët dhe hapi tjetër ishte iniciativa për përmbledhjen e Kur’anit në një libër.

_________________
Ebu Umame r.a. thotë se e ka dëgjuar të Dërguarin e All-llahut duke thënë:“Lexojeni Kur’anin, vërtet ai do të ndërmjetësojë Ditën e Gjykimit për të zotët e vet”.(Muslimi)

avatar
Ebu Amar
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 320
Points : 894
Reputation : 2
Data e Anëtarësimit : 08/01/2010
Vendndodhja: : Në tokën e Allahut

http://www.feja-islame.albanianforum.net

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi