Feja Islame
Es Selam Alejkum
Mirë se erdhët në Forumin islam! Me sa duket ende nuk jeni regjistruar.

Join the forum, it's quick and easy

Feja Islame
Es Selam Alejkum
Mirë se erdhët në Forumin islam! Me sa duket ende nuk jeni regjistruar.
Feja Islame
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Besimi në engjëj

Shko poshtë

Besimi në engjëj Empty Besimi në engjëj

Mesazh nga melika Fri Apr 16, 2010 9:45 am

BESIMI NË ENGJËJ
Një nga bazat e imanit është edhe besimi në engjëj. Me këtë nënkuptohet bindjae fuqishme se engjëjt ekzistojnë, se All-llahu xhel-le shanuhu i ka krijuar ata nga nuri (drita), se ata përpikërisht i kryejnë urdhrat e All-llahut xhel-le shanuhu, se ata assesi nuk gabojnë dhe se kryejnë funksione të caktuara me të cilat i ka ngarkuar All-llahu xhel-le shanuhu.
Pra, engjëjt janë një lloj krijesash të All-llahut xhel-le shanuhu dhe imani i njeriut nuk është korrekt përderisa nuk beson në ekzistimin e tyre dhe në çdo gjë që thuhet në Kur’an dhe transmetohet në hadithe autentike për cilësitë dhe punët e tyre, pa kurrfarë shtimesh a cungimesh dhe pa kurrfarë shtrembëri-mesh. All-llahu xhel-le shanuhu thotë:
"Pejgamberi beson në atë që i shpallet nga Zoti i tij, dhe besimtarët; - të gjithë ata besojnë All-llahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij dhe Pejgamberët e Tij." (El-Bekare: 285)
Ndërsa në hadithin që e transmeton Buhariu nga Umeri r. a., kur Xhibrili e ka pyetur Pejgamberin alejhis-selam mbi imanin, qëndron se Pejgamberi alejhis-selam ka thënë: "Ta besosh All-llahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij, Pejgamberët e Tij, Ditën e Gjykimit dhe të besosh se çdo gjë që ndodh - prej të mirave dhe prej të këqijave - ndodh me përcaktimin e All-llahut xhel-le shanuhu".
Ekzistimi i engjëjve bazohet në argumente të pakontestueshme në të cilat është e pamundur të dyshohet. Andaj mohimi i ekzistimit të tyre, sipas pajtueshmërisë të të gjithë muslimanëve dhe sipas tekstit kur’anor, është kufër, sepse All-llahu xhel-le shanuhu thotë:
"... E ai që nuk beson All-llahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij, Pejgamberët e Tij dhe Ditën e Kiametit, ai, me të vërtetë, ka humbur larg prej udhës së drejtë." (En-Nisa’: 136)
Ai i cili i lexon të gjitha ajetet dhe të gjitha hadithet që flasin për engjëjt, për veçoritë e tyre, punët dhe gjendjet e tyre, do të konstatojë se ato (ajetet dhe hadithet) shpjegojnë raportin e tyre ndaj All-llahut xhel-le shanuhu, ndaj gjithësisë dhe ndaj njeriut. All-llahu xhel-le shanuhu na ka mësuar tërë atë që kemi nevojë për pastrimin e akides, për pastrimin e zemrave tona dhe për korrektësinë e veprave tona.
E, për sa i përket esencës së engjëjve, këtë All-llahu xhel-le shanuhu e ka lënë për Vete. Kjo është edhe njëra nga veçoritë themelore të besimit islam, i cili i përfshin të vërtetat e gjithë-mbarshme dhe na njofton për to vetëm aq sa kanë nevojë njerë-zit, në mënyrë që të veprojnë korrekt në këtë botë dhe që të jenë të shpëtuar në botën e ardhme, dhe vetëm aq sa është në gjendje të kuptojë mendja e tyre. Prandaj, All-llahu xhel-le shanuhu nuk na ka zbuluar të gjitha gjërat e gajbit (të paduk-shme), qoftë ato që kanë të bëjnë me All-llahun xhel-le shanuhu, cilësitë e Tij dhe emrat e Tij, qoftë me krijesat e padukshme të Tij.
Besimtari i sinqertë fuqimisht beson tërë atë që na ka informuar Zoti ynë, përgjithësisht dhe pjesërisht, dhe kurrgjë nuk do të shtojë ose të cungojë, as që do të përpiqet të kuptojë atë për çka All-llahu xhel-le shanuhu nuk na ka informuar nga gajbi, e as që do të hyjë në polemizime përkitazi më këtë.
Veçoritë e engjëjve
Nga ajo që parashtruam më lart, kuptohet se All-llahu xhel-le shanuhu nuk na ka informuar detajisht për veçoritë e engjëjve, porse vetëm diçka të vogël ka thënë për ta. Na informon se ata janë krijuar para Ademit. Në Kur’an përmendet se si All-llahu xhel-le shanuhu u ka lajmëruar atyre se Ai do ta krijojë njeriun dhe se atë do ta bëjë mëkëmbës të Vetin në Tokë:
"Kur Zoti yt u tha engjëjve: "Unë do të caktoj përfaqësuesin në Tokë." Ata thanë: "A do të jetë përfaqësuesi Yt ai që në të do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak? Ne të madhërojmë e të lavdërojmë dhe të ngremë ashtu si të takon Ty." Ai tha: "Unë di atë që ju nuk dini." (El-Bekare: 30)
E, për sa i përket materies nga e cila janë të krijuar, i Dërguari i All-llahut na informon se All-llahu xhel-le shanuhu i ka krijuar nga nuri. Imam Muslimi shënon hadithin nga Aishja radijAll-llahu anhu, se i Dërguari i All-llahut xhel-le shanuhu ka thënë: "Engjëjt janë krijuar nga nuri, e xhinët nga zjarri i flakëruar, kurse Ademi është krijuar nga ajo për çka ju është treguar tanimë."
Ajetet dhe hadithet që flasin për engjëjt provojnë se engjëjt janë krijuar nga nuri, se nuk kanë figurë materiale që mund të shihet a të ndihet me shqisat njerëzore dhe se ata nuk janë sikurse njerëzit, nuk hanë, nuk pinë, nuk flejnë dhe nuk martohen, nuk kanë pasione shtazarake dhe janë të mbrojtur nga mëkatet dhe gabimet dhe nuk zotërojnë asnjë veçori fizike nga ato të njerëzive.
Ata kanë mundësi të shndërrohen dhe të shfaqen në figurën njerëzore, me lejen e All-llahut xhel-le shanuhu. Për këtë na informon All-llahu xhel-le shanuhu në Kur’an, kur flet për Xhibrilin alejhis-selam, i cili i ka ardhur Merjemes në figurën e njeriut:
"Dhe përmende (o Muhamed!) në Libër (Kur’an) Merjemen (historinë e saj), kur u tërhoq nga familja në një vend në lindje, dhe mori një perde që të skajohet nga ata; Ne dërguam tek ajo engjëllin, Xhibrilin, dhe iu paraqit asaj në formën e mashkullit të zhvilluar mirë." (Merjem: 16-17)
Gjithashtu, Xhibrili përmendet edhe në hadithin e njohur kur erdhi t’i mësojë as’abët për domethënien e Islamit, imanit, ihsanit dhe shenjave të Ditës së Kiametit. Umeri radijAll-llahu anhu thotë se ai kishte ardhur në figurën e njeriut, rrobat e të cilit ishin jashtëzakonisht të bardha, e flokët i kishte jashtëzakonisht të zeza, në të cilin nuk vëreheshin gjurmët e udhëtimit dhe se ishte ulur përballë Pejgamberit alejhis-selam duke e mbështetur gjurin e vet në të tijin dhe duke i vënë duart e veta në këmbët e tij, e pastaj kishte filluar të pyeste.
All-llahu xhel-le shanuhu na informon se ata kanë krahë, numri i të cilëve dallon prej engjëlli në engjëll. All-llahu xhel-le shanuhu thotë:
"Falënderimi qoftë për All-llahun, Krijuesin e qiejve dhe të Tokës, i Cili i ka bërë lajmëtarë engjëjt me krahë, me nga dy, tre dhe katër. Ai shton në krijimtari çka të dojë. All-llahu, me të vërtetë, është i pushtetshëm për çdo gjë." (Fatir: 1)
Muslimi dhe Buhariu transmetojnë hadithin nga Abdull-llah b. Mes’udi radijAll-llahu anhu, ku thuhet se i Dërguari i All-llahut e ka parë Xhibrilin, i cili i kishte 600 krahë.
Kjo është e tërë ajo që na ka informuar All-llahu i Lartmadhërishëm për krijesat fisnike, për natyrën dhe karakterin e tyre, dhe ne i besojmë kësaj ashtu siç ka ardhur te ne dhe më nuk pyesim asgjë lidhur me këtë, sepse, sikurse të kishte ndonjë dobi nga shpjegimi në detaje, me siguri se kjo nuk do të fshihej nga ne. Ngase All-llahu xhel-le shanuhu është i Mëshirshëm dhe i Butë ndaj nesh dhe Ai na mëson të vërtetën dhe të mirën.
Robërit fisnikë
E, për sa i përket qëndrimit të tyre ndaj All-llahut xhel-le shanuhu, ky bazohet në dëgjueshmëri të plotë, në ibadet dhe në kryerje të tërësishme të urdhrave të Tij dhe vetëm në këtë kuptim flitet për qëndrimin e tyre ndaj All-llahut xhel-le shanuhu, ngase ata nuk janë zot në krahasim me Të, e as që janë pasardhës të Tij - djem a vajza të Tij - siç pohonin mushrikët (idhujtarët)
"Dhe ata thonë: "Mëshiruesi ka marrë për Vete fëmijë". - I pastër është Ai - Jo, ata (engjëjt) janë robër të ndershëm. Ata nuk flasin pa lejen e Tij dhe ata punojnë me urdhrin e Tij. Ai di se ç’kishte para tyre dhe çka do të ketë pas tyre, dhe (ata) ndërmjetësojnë vetëm për atë me të cilin është i kënaqur (All-llahu), e ata edhe vetë janë të brengosur nga frika prej Tij." (El-Enbija’: 26-28)
"I druajnë Zotit të tyre, që ka pushtet mbi ta dhe punojnë atë që u urdhërohet." (El-Nahl: 50)
"... Të cilët nuk u kundërshtojnë urdhrave të All-llahut dhe të cilët punojnë atë që urdhërohen." (Et-Tahrim: 6)
Pra, ata janë nga krijesat e shumta të All-llahut xhel-le shanuhu, janë të nënshtruara dhe nuk janë në gjendje të bëjnë asgjë nga vetvetiu, e as që janë në gjendje t’i propozojnë diçka All-llahut xhel-le shanuhu. Ata vijimisht janë të zënë me ibadet ndaj All-llahut xhel-le shanuhu dhe i kryejnë të gjitha urdhrat e Tij. All-llahu xhel-le shanuhu thotë:
"Çdonjëri prej nesh (engjëjve) e ka vendin e caktuar, ne jemi ata që qëndrojmë në radhë, dhe ne jemi ata që i lutemi Atij (All-llahut)." (El-Saffat: 164-165)
Kjo është e vërteta për engjëjt, prandaj, të besuarit se ata janë në gjendje të bëjnë çkado qoftë sipas dëshirës së tyre, bën pjesë në shirk. All-llahu xhel-le shanuhu thotë:
"Ai njeri nuk do t’u urdhërojë juve që engjëjt dhe Pejgamberët t’i konsideroni për zotë. Vallë! Si mund t’ju urdhërojë ai juve të bëheni mohues, pasi jeni bërë muslimanë?" (Ali ‘Imran: 80)

QËNDRIMI I ENGJËJVE NDAJ GJITHËSISË DHE NJERIUT
Pamë se qëndrimi i engjëjve ndaj Sunduesit ishte nënshtrimi i plotë dhe kryerja e përpiktë e urdhrave të Tij, ndërsa qëndrimi i tyre ndaj gjithësisë dhe njeriut është vetëm një pjesë e atij nënshtrimi. Ngase ibadeti i tyre nuk shfaqet vetëm me madhë-rim dhe lavdërim të All-llahut xhel-le shanuhu, por edhe me kryerj-en e urdhrave të Tij lidhur me rregullimin e tërë gjithësisë dhe për mirëmbajtjen e saj me të gjitha krijesat që gjenden në të. Këto urdhra i përkasin të gjitha lëvizjeve dhe aktiviteteve, të gjitha gjallesave dhe jogjallesave, të gjitha ligjeve dhe fuqive që gjenden në gjithësi dhe për realizimin e përcaktimit të Tij ashtu siç ka urdhëruar Ai, për të gjitha krijesat parcialisht (veç e veç). Ata i kryejnë urdhrat e All-llahut xhel-le shanuhu në përcjellj-en dhe shënimin e vëmendshëm të çdo gjëje që ndodh në gjithë-si nga lëvizjet e vetëdijshme dhe të pavetëdijshme. Ata janë të ngarkuar për qiejt dhe për Tokën, për çdo lëvizje në këtë botë, në mënyrë që të bëhet ashtu siç dëshiron All-llahu xhel-le shanuhu. Përkitazi me këtë All-llahu xhel-le shanuhu thotë:
"Dhe pasha engjëjt, të cilët me shpejtësi i rregullojnë të gjitha gjërat (i kryejnë të gjitha urdhrat)." (En-Nazi’at: 4)
Kur’ani dhe Suneti vënë në pah se ekzistojnë shumë lloj engjëjsh, të cilët janë të ngarkuar për lloj-lloj krijesash. All-llahu xhel-le shanuhu i ka caktuar engjëjt për Diellin e Hënën, për yjet, për malet, për retë, për shiun, për mitrën e nënës, për embrionin derisa kompletohet krijimi i tij, për çdo krijesë dhe për çdo gjë që ndodh në gjithësi nga dukuritë "natyrore", për të gjitha këto janë ngarkuar engjëj të caktuar.
E tërë kjo nuk është në kundërshtim me atë që vërejmë në gjithësi nga ligjet dhe rregullat, të cilat janë të ndërlidhura mes vete, ngase këto ligje dhe këto rregulla janë krijesa të All-llahut xhel-le shanuhu dhe engjëjt janë të ngarkuar edhe për to, ashtu siç i ruajnë dhe i mirëmbajnë edhe krijesat e tjera. Dhe sikur të mos ekzistonte vullneti i All-llahut xhel-le shanuhu për ruajtjen e këtyre ligjeve dhe dukurive dhe sikur të mos ekzistonte përcaktimi i All-llahut xhel-le shanuhu që engjëjt ta ruajnë njeriun, arsyeja nuk do të mund ta kuptonte shkakun dhe domosdoshmërinë e ekzistimit gjatë periudhave kaq të gjata të një sistemi kaq preciz dhe të përsosur.
E, për sa i përket njeriut, ai, gjithashtu, sipas natyrës së tij të lindur, i përket kujdesit të engjëjve, ngase edhe ai vetë është një nga krijesat e shumta të All-llahut xhel-le shanuhu në gjithësi, madje edhe më tepër, ai është krijesa të cilit All-llahu xhel-le shanuhu ia ka nënshtruar të gjitha krijesat e tjera në gjithësi. All-llahu xhel-le shanuhu thotë:
"A nuk po e shihni se si All-llahu ju ka mundësuar t’i shfrytëzoni të gjitha ato që gjenden në qiej dhe në Tokë..." (Llukman: 20)
Prandaj, ruajtja e qiejve dhe e Tokës, dhe e të gjitha atyre që janë në to nga ana e engjëjve, njëkohësisht, paraqet edhe ruajtjen e njeriut dhe ndihmesë atij që t’i kryejë obligimet e mëkëmbësisë së vet në Tokë.
Engjëjt kanë edhe obligime dhe detyra të tjera lidhur me jetën e njeriut, që kanë për qëllim, siç ka saktësuar All-llahu xhel-le shanuhu, t’i udhëzojnë dhe t’i bëjnë të lumtur njerëzit në këtë botë dhe t’u ndihmojnë në ibadetin e tyre ndaj All-llahut xhel-le shanuhu, të zgjedhin udhëzimin kundrejt lajthitjes dhe të flakin të keqen, çrregullimin dhe bredhjen. All-llahu xhel-le shanuhu i ka zgjedhur ata që t’ua dërgojnë njerëzve udhëzimin e Tij përmes Pejgamberëve të ndershëm të Tij. Engjëlli i caktuar për këtë detyrë të ndershme është Xhibrili alejhis-selam. All-llahu xhel-le shanuhu thotë:
"Dhe me të vërtetë, ai (Kur’ani) është Shpallje e Zotit të gjithësisë. Atë e e ka sjellë Shpirti i besueshëm (Xhibrili) në zemrën tënde, që të bëhesh nga ata që paralajmërojnë." (Esh-Shu’ara’: 192-194)
Ata e përcjellin njeriun në çdo moment të jetës së tij dhe kanë për detyrë ta udhëzojnë atë në të mirë dhe ta bëjnë të lumtur. U tregojnë sheshit të vërtetën, punët e mira dhe i nxisin t’i kryejnë ato.
Muhammedi alejhi-selam ka thënë: "Djalli (shejtani) ka ndikim te njeriu, por edhe engjëlli ka ndikim. Djalli e drejton atë në të keq dhe të vërtetën ia bën të rrejshme, ndërsa engjëlli e drejton atë në të mirë dhe ia vërteton të vërtetën. E, ai i cili prej nesh ndien diç nga kjo e mirë, le ta dijë se ajo është nga All-llahu xhel-le shanuhu, kurse nëse ndien të kundërtën e kësaj, le të kërkojë mbrojtje nga All-llahu xhel-le shanuhu nga shejtani i mallkuar." Pastaj ka recituar: "Djalli ju frikëson me skamje e varfëri dhe ju urdhëron të bëni mëkate (si koprracia etj.) Por All-llahu ju premton falje mëkatesh dhe dhuntinë e Tij. All-llahu është i Mëshirshëm pa masë dhe i di të gjitha." (El-Bekare: 268)
All-llahu xhel-le shanuhu na informon se i ka angazhuar ata që të bëjnë dua për besimtarët dhe të kërkojnë falje për mëkatet e tyre:
"Ata (engjëjt) që e mbajnë Arshin dhe ata që janë rreth tij, e madhërojnë Zotin e tyre me falënderim dhe i besojnë Atij, si dhe kërkojnë falje (prej All-llahut) për ata që kanë besuar (duke thënë): "O Zoti ynë, Ti përfshin çdo gjë me mëshirën dhe dijeninë Tënde; prandaj fali ata që u penduan dhe ndoqën rrugën Tënde dhe ruaji Ata prej dënimit të ferrit! O Zoti ynë, shpjeri ata në kopshtet e Adnit, të cilat jua ke premtuar atyre, dhe prindërit e tyre dhe bashkëshortet e tyre dhe pasardhësit e tyre, - ata që kanë qenë të mirë; Ti je i Plotfuqishëm dhe i Urtë. Dhe ruaji ata nga ndëshkimi për shkak të veprave të këqija, sepse, kë e ruan Ti atë ditë nga ndëshkimi për shkak të veprave të këqija - Ti e ke mëshiruar atë, e ky, me të vërtetë do të jetë sukses i madh!" (Mu’min: 7-9)
Pejgamberi i All-llahut ka thënë: "Çdo ditë me të gdhirë zbresin dy engjëj dhe njëri prej tyre thotë: "O All-llah i dashur, Ti dhuroji bereqet pasurisë së atij që jep", e tjetri thotë: "O All-llah i dashur, Ti shkatërroja pasurinë e atij që nuk jep."
Ata e nxisin njeriun të jetë i përulur dhe t’i bëjë ibadet Zotit të vet dhe ia bëjnë të këndshëm leximin e Kur’anit dhe përmendjen e All-llahut xhel-le shanuhu, duke e inkurajuar të përfitojë dijeni dhe të bëjë vepra të mira dhe janë të pranishëm gjatë namazit dhe leximit të Kur’anit nga ai. Për të gjitha këto flasin hadithet autentike.
Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Ebu Hurejre radijAll-llahu anhu, se Pejgamberi i All-llahut ka thënë: "Namazi i njeriut në xhemat është më i vlefshëm se namazi i tij në shtëpinë e tij a diku tjetër për njëzet e disa shkallë. Kush merr abdest në formën më të mirë, pastaj shkon në xhami me të vetmin qëllim që ta falë namazin me xhemat, duke mos i interesuar asgjë tjetër, për çdo hap të tij i shtohet nga një gradë dhe i shlyhet nga një mëkat derisa të hyjë në xhami, e kur të hyjë në xhami, atëherë në namaz është aq sa e ka përfshirë namazi. Secilin prej jush e bekojnë engjëjt, derisa të gjendeni në vendin ku keni falur namazin, ata thonë: "O Zot, mëshiroje! O Zot, fale! O Zot, pranoja pendimin!" Engjëjt veprojnë kështu përderisa njeriu të mos fillojë t’i mundojë të tjerët, ose ta prishë abdesin në xhami."
Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu transmeton se Pejgamberi i All-llahut ka thënë: "Engjëjt ndërrohen në kujdestari mbi ju, engjëjt e ditës dhe engjëjt e natës. Të gjithë ata mblidhen në namazin e sabahut dhe të ikindisë, pastaj ata që e kanë kaluar natën me njerëzit ngrihen tek All-llahu xhel-le shanuhu, e Ai i pyet, edhe pse Ai e di më së miri: "Si i latë robërit e Mi?" Ata përgjigjen: "Ne i kemi lënë e ata faleshin, siç i kemi lënë në namaz, kur kemi ardhur."
Për pjesëmarrjen e tyre nëpër ndejat e dhikrit kuptojmë nga hadithi që transmeton Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu, ku thotë: "I Dërguari i All-llahut alejhis-selam ka thënë: "Vërtet, All-llahu i Madhërishëm ka engjëj që udhëtojnë gjithnjë dhe kërkojnë ithtarë të dhikrit, e kur e gjejnë popullin që e përmend All-llahun e Madhërishëm, engjëjt thërrasin: ‘Ejani nga nevojat tuaja!’, e pastaj i rrethojnë me krahët e tyre deri në qiellin e kësaj bote, kurse Krijuesi i tyre, edhe pse e di më mirë se ata, i pyet: "Ç’po flasin njerëzit e Mi?" Ka thënë: "Engjëjt thanë: "Po të lavdërojnë (tesbih) Ty, po të madhërojnë (tekbir) Ty, po të falënderojnë (tahmid) Ty dhe po të lartësojnë (temxhid) Ty". All-llahu tha: A më kanë parë robërit e Mi? Engjëjt thanë: "Jo, për All-llahun, ata nuk Të kanë parë!" All-llahu pyeti: "Si do të ishin, sikur të më shihnin?" Engjëjt thanë: "Sikur të të shihnin, ata edhe më tepër do të të adhuronin, do të të falënderonin dhe do të të lavdëronin." All-llahu tha: "A po kërkojnë diçka robërit e Mi?" Engjëjt thanë: "Po, të lusin për Xhenet." Pejgamberi alejhis-selam tha: "All-llahu thotë: "A e kanë parë atë?". Engjëjt thanë: "Jo, për All-llahun, o Krijues, nuk e kanë parë Xhenetin". All-llahu atëherë u tha: "E si do të luteshin për Xhenetin, sikur ta kishin parë?" Engjëjt thanë: "Sikur ta kishin parë Xhenetin, ata edhe më shumë do të lakmonin për të, edhe më shumë do ta kërkonin, e edhe më shumë do ta dëshiro-nin." Atëherë All-llahu i pyeti ata: "Prej çka ata kërkojnë mbrojtje dhe strehim?" Engjëjt thanë: "Ata kërkojnë mbrojtje nga zjarri." All-llahu tha: "A e kanë parë ata zjarrin?" Engjëjt thanë: "Jo, për All-llahun, nuk e kanë parë!" All-llahu tha: "E si do të kërkonin ata mbrojtjen nga zjarri sikur ta kishin parë?" Engjëjt thanë: "Sikur ta kishin parë zjarrin, ata edhe më shumë do të iknin nga ai, e edhe më shumë do të frikësoheshin nga ai." All-llahu i Madhërishëm tha: "Bëhuni dëshmitarë që po ua fal atyre." Muhammedi alejhis-selam ka thënë: "Një prej engjëjve tha: "O Krijues, në mesin e tyre është një që nuk është prej tyre, ai ka ardhur në mesin e tyre për shkaqe private." All-llahu i Madhëruar tha: "Ata të gjithë së bashku ulen, nuk mund të jetë i pakënaqur një fqinj i tyre që qëndron ulur në shoqërinë e njëjtë."
Ndërsa për inkurajimin e dijetarëve (alimëve), të cilët kërkojnë dituri, Pejgamberi i All-llahut ka thënë: "Nuk ka kurrë njeri që braktis shtëpinë e vet për të kërkuar dituri, e që engjëjt nuk ia zgjasin krahët e vet të kënaqur me atë që bën ai." Ata po ashtu e përforcojnë njeriun të bëjë vepra të mira, posaçërisht për xhihad në rrugën e All-llahut xhel-le shanuhu All-llahu xhel-le shanuhu thotë:
"(Kujtoje) kur i urdhëroi Zoti yt engjëjt: "Unë jam me ju, andaj forconi ata që besojnë." Unë do t’u shtie frikën në zemër mohuesve, andaj rrihni ju ata në qafë dhe në të gjithë gishtërinjtë."(Enfal: 12)
Një nga detyrat e engjëjve, për të cilat na flet All-llahu xhel-le shanuhu, e që kanë ndikim të madh në jetën e njeriut dhe mbrojtjen e tyre nga mëkatet dhe të këqijat, është edhe mbikë-qyrja dhe përcjellja e tyre e zellshme e tërë asaj që punojnë njerëzit dhe shënimi i veprave të tyre. All-llahu xhel-le shanuhu thotë:
"Ne e kemi krijuar njeriun dhe Ne dimë se çka i pëshpërit shpirti atij, ngase Ne jemi më afër se damari i tij i qafës. Kur takohen dy veta dhe ulen njëri nga e djathta, e tjetri nga e majta, ai nuk e thotë asnjë fjalë e që pranë tij të mos jetë ai që mbikëqyr." (Kaf: 16-18)
"Dhe mbi ju, me të vërtetë, vigjilojnë rojtarët, që janë të çmuar tek Ne, që i shkruajnë veprat tuaja, të cilët dinë çka punoni." (Infitar: 10-12)
"Vallë, a mendojnë ata se Ne nuk dëgjojmë çka flasin ata tinëzisht dhe haptazi ndërmjet vete? Përkundrazi, Ne dëgjojmë, e të dërguarit Tanë (engjëjt), që janë pranë tyre, shënojnë."(Zuhruf: 80)
Dhe, në fund të ekspozesë sonë rreth qëndrimit të engjëjve ndaj njeriut dhe ndikimit të tyre në veprat e tyre të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme, t’i përmendim fjalët tejet të bukura të alimit Ibnul Kajjum El-Xhevziut mbi këtë temë, në veprën e tij të njohur "Igasetul Lehvan", ku thotë: "E engjëjt, të cilët janë të ngarkuar të kujdesen për njeriun që nga fillimi i jetës së tij e gjer në vdekje, kanë tjetër qëndrim ndaj tij. Ata janë të ngarkuar që ta formojnë atë dhe ta bëjnë figurën më të bukur, që ta mbrojnë atë në "thellësitë e tri errësirave", që t’ia shkruajnë nafakën (fatin), datën dhe çastin e vdekjes së tij, a do të jetë fatlum a fatkeq dhe që ta përcjellin në të gjitha situatat dhe punët e tij. Që t’i shënojnë fjalët e tij dhe çdo vepër të kryer gjatë jetës së tij, që ta ruajnë në jetën e tij, që t’ia marrin shpirtin në çastin e vdekjes së tij dhe ta dërgojnë atë para Zotit dhe Krijuesit të tij. Ata janë të ngarkuar edhe ta ndëshkojnë a ta shpërblejnë atë në jetën e Përtejvarrit (berzah) dhe pas ringjalljes, janë të ngarkur edhe për përdorimin e instrumenteve të kënaqësive dhe të ndëshkimeve. Ata e përforcojnë njeriun besimtar dhe ia mësojnë atë nga e cila do të ketë dobi, luftojnë duke e mbrojtur atë dhe i janë ndihmës edhe në këtë botë edhe në botën tjetër. Ata e udhëzojnë në të mirë, duke e thirrur në të, dhe e ndalojnë nga e keqja, duke ia tërhequr vërejtjen në të. Pra, ata janë mbrojtës dhe ndihmës të vërtetë, mbikëqyrës dhe mësues, këshillëdhënës, bëjnë dua dhe kërkojnë falje për të. Ata bëjnë salavat për të, përderisa ai i është nënshtruar Zotit të tij dhe përderisa i mëson të tjerët për të mirë. Ata i sjellin lajme të gëzuara për nderimin që e pret te Zoti i tij, me rast të ëndërrimit, vdekjes dhe ringjalljes. Ata e thërrasin të jetë i modestë në këtë botë dhe t’i japin përparësi ahiretit. Ata e përkujtojnë kur harron, e aktivizojnë kur e kaplon përtacia dhe e përforcojnë kur frikësohet. Ata punojnë për të mirën e tij në këtë botë dhe në botën e ardhme. Pra, ata janë të dërguarit e All-llahut xhel-le shanuhu, të ngarkur që të kujdesen për gjithë krijimtarinë dhe tërë atë lidhur me të dhe ata janë ambasadorët e Tij dërguar te njerëzit, sipas urdhrit të Tij, që zbresin në të gjitha pjesët e botës dhe ngrihen tek Ai, gjithashtu sipas urdhrit të Tij."



NUMRI I ENGJËJVE
Engjëjt janë aq të shumtë, saqë numrin e tyre nuk e di askush përveç All-llahut xhel-le shanuhu
"Ne kemi bërë rojtarë të zjarrit (engjëjt) dhe kemi caktuar numrin e tyre, vetëm për t’i provuar jobesimtarët; për t’u bindur njerëzit, të cilëve u është dhënë Libri; që
t’u shtohet (forcohet) besimi atyre që besojnë, e mos të dyshojnë, ata të cilëve u është dhënë Libri, dhe ata në zemrat e të cilëve ka sëmundje dhe ata që janë jobesimtarë, të thonë "Çka ka dashur Zoti (të tregojë) me këtë shembull?" Kështu, All-llahu e lë në huti (dhe në humbje) atë që do, dhe e udhëzon në rrugë të drejtë atë që do. Askush tjetër përveç Tij nuk e di numrin e ushtrisë së Zotit tënd. Kjo është vetëm këshillë për njerëzit." (El-Muddeththir: 31)
Tirmidhiu, Ibni Maxhe dhe Bezzari shënojnë hadithin nga Ebu Dherri, i cili transmeton nga Pejgamberi alejhis-selam, ku thuhet: "Kërcëllyen qiejt..., e si mos të kërcëllejnë kur në to nuk ka vend as sa katër gishtërinj, e që në të të mos bëjë sexhde ndonjë engjëll."
Në hadithin e Mi’raxhit, Pejgamberi i All-llahut ka thënë: "Pastaj qemë të ngritur gjer tek Bejt el-Ma’ëmur, e unë e pyeta Xhibrilin për këtë. Ai u përgjigj: "Ky është Bejt el-Ma’ëmuri, në të falen çdo ditë 70 mijë engjëj."

BESIMI NË ENGJËJ, INDIVIDUALISHT DHE PËRGJITHËSISHT
Jemi të obliguar t’u besojmë egjëjve, emrat e të cilëve janë përmendur individualisht në Kur’an dhe në Sunet. Më të zgjedhurit janë tre engjëj: Xhibrili, Mikaili dhe Israfili. Xhibrili është i obliguar të sjellë Shpalljen, e cila është jetë e zemrave dhe të shpirtrave. Xhibrili dhe Mikaili përmenden në këto ajete kur’anore:
"Thuaj: "Kush është armik i Xhibrilit? (duke qenë i lavdërueshëm); Ai e ka zbritur Kur’anin në zemrën tënde me lejen e All-llahut - për të vërtetuar Librat e Shenjtë - dhe është udhërrëfyes e sihariq për besimtarët. Kush është armik i All-llahut dhe i engjëjve të Tij, dhe i Pejgamberëve të Tij, dhe i Xhibrilit e Mikailit (ai është kafir) - e All-llahu është me të vërtetë armik i atyre që nuk duan të besojnë." (El-Bekare: 97-98)
All-llahu xhel-le shanuhu e lavdëron Xhibrilin në Kur’an në mënyrën më të bukur dhe e përshkruan atë me cilësi më të bukura:
"Dhe betohem në yjet që perëndojnë, të cilët lëvizin dhe zhduken nga shikimi (horizonti), dhe në natën kur errësohet, dhe në agimin kur gdhin (zbardhëllon drita), Kur’ani është me të vërtetë të dëftuarit e të Dërguarit fisnik (Xhibrilit), të fuqishëm, të çmuar nga Zoti i Arshit, të cilin e dëgjojnë (engjëjt) dhe është i besuar (i madh)." (Tekuir: 15-21)
"E mësoi atë një (engjëll) me fuqi të madhe, me inteligjencë të lartë, i cili u paraqit në figurën e vet." (En-Nexhm: 5-6)
Mikaili është engjëlli i obliguar për shiun, i cili është burim i jetës së tokës, i bimëve dhe i kafshëve.
Israfili është engjëlli i obliguar t’i fryjë Surit, zëri i të cilit është burim i jetës i të gjitha krijesave pas vdekjes së tyre.
Në Kur’an përmendet edhe engjëlli Malik, rojtar i Xhehenemit. All-llahu xhel-le shanuhu thotë:
"Ata (atëherë) do të thërrasin: "O Malik (engjëlli i mbikëqyrjes së zjarrit)! Le të bëjë Zoti yt që të vdesim!" - e ai do të thotë: "Ju, do të qëndroni përherë aty!" (Ez-Zuhruf: 77)
Ai përmendet edhe në një hadith autentik.
Jemi të obliguar të besojmë në engjëjt të përmendur individualisht dhe në engjëjt e tjerë, emrat e të cilëve janë përme-ndur në hadithet sahih, së bashku me detyrat e tyre me të cilat janë të ngarkuar. E, për sa u përket engjëjve që nuk janë përmendur individualisht, jemi të obliguar të besojmë në ekzistimin e tyre sipas llojeve, ashtu siç i përshkruan Kur’ani dhe Hadithi, me të gjitha punët e tyre që janë përmendur. Prandaj edhe besojmë në Kiramen Kitaben, të cilët All-llahu xhel-le shanuhu i ka obliguar të na ruajnë:
"Dhe mbi ju, me të vërtetë, vigjilojnë rojtarët, që janë të çmuar tek Ne, që i shkruajnë veprat tuaja, të cilët dinë çka punoni." (Infitar: 10-12)
"Njeriu ka përcjellës (engjëjt), para tij dhe pas tij, - e mbikëqyrin atë me urdhrin e All-llahut." (Er-Ra’d: 11)
"Vallë, a mendojnë ata se Ne nuk dëgjojmë çka flasin ata tinëzisht dhe haptas mes tyre? Përkundrazi, në dëgjojmë, e të dërguarit Tanë (engjëjt), që janë pranë tyre, shënojnë." (Ez-Zuhruf: 80)
Disa mufessirë, duke komentuar këtë ajet, thonë se ata janë dy engjëj nga ana e djathtë dhe dy nga ana e majtë e njeriut, të cilët i shënojnë të gjitha veprat e tij. Ai që rri në anën e djathtë shkruan veprat e mira, kurse ai që rri në anën e majtë shkruan veprat e këqija. Ndërsa dy të tjerët e mbrojnë dhe e ushqejnë atë, njëri është para tij e tjetri mbrapa tij, kështu që çdo njeri gjendet ndërmjet katër engjëjve.
Imam Muslimi dhe imam Ahmedi transmetojnë nga ‘Abdull-llah bin Mes’udi radijAll-llahu anhu se ka thënë: "Pejgamberi i All-llahut ka thënë: "Për çdonjërin është caktuar përcjellësi i tij nga xhinët dhe përcjellësi i tij nga engjëjt." Atëherë as’habët pyetën: "A edhe për ty, o Pejgamber i All-llahut?" "Po, edhe për mua, por mua All-llahu më ka ndihmuar kundër tij (xhinit - djallit), andaj m’u ka dorëzuar tërësisht dhe më udhëzon vetëm në të mirë." - tha Pejgamberi alejhis-selam."
Gjithashtu i besojmë edhe engjëllit të vdekjes, i cili është i obliguar për marrjen e shpirtrave:
"Thuaj: "Do t’jua marrë shpirtin engjëlli i vdekjes, i cili është caktuar për ju, e pastaj të ktheheni te Zoti juaj." (Es-Sexhde: 11)
Kur’ani nuk e ka përmendur emrin e tij, e as që ai përmendet në hadithe autentike, por në disa transmetime nga gjeneratat e para të muslimanëve thuhet se emri i tij është Azrail, e All-llahu e di më së miri. Dhe i besojmë mbajtësve të Arshit, për të cilët All-llahu xhel-le shanuhu na flet në Kur’an:
"Dhe engjëjt do të rrinë anëve të qiellit, kurse atë ditë - tetë (grupe engjëj) do ta mbajnë Arshin e Zotit tënd." (El-Hakka: 17)
Së bashku me ta do të jetë edhe Israfili, i cili do të fryjë në Sur.
Gjithashtu u besojmë edhe engjëjve të obliguar për Xhehenem All-llahu xhel-le shanuhu na ruajttë nga ai! - torturues (zebanitë) në krye të dymbëdhjetë engjëjve. All-llahu xhel-le shanuhu thotë:
"Dhe, ata që gjenden në zjarr, do t’u thonë rojtarëve të skëterrës: "Luteni Zotin tuaj që të na lehtësojë vuajtjet, (madje) qoftë edhe për një ditë!" (El-Mu’min: 49)
"O ju që besoni! Ruajeni veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lëndë djegëse të të cilit do të jenë njerëzit dhe gurët, dhe të cilin do ta mbikëqyrin engjëjt e fuqishëm dhe të ashpër, të cilët nuk u kundërshtojnë urdhrave të All-llahut dhe të cilët punojnë për atë që urdhërohen." (Et-Tahrim: 6)
"Mbi të vigjilojnë nëntëmbëdhjetë. Ne kemi bërë rojtarë të zjarrit engjëj dhe kemi caktuar numrin e tyre, vetëm për t’i provuar jobesimtarët." (El-Muddeththir: 30-31)
I besojmë edhe engjëjt e obliguar për pallatet dhe kopshtet e Xhenetit, të cilët janë të ngarkuar t’i gostisin dhe të kujdesen për banorët e tyre, duke u përgatitur rroba, ushqim, pije të llojllojshme dhe gjëra të tjera, çfarë syri i njeriut kurrë nuk ka parë dhe veshi kurrë nuk ka dëgjuar dhe çfarë atij as që ka mundur t’i bjerë ndërmend.

ROLI DHE RËNDËSIA E BESIMIT NË ENGJËJ
NË JETËN E NJERIUT
Thamë se e tërë ajo që na ka informuar All-llahu xhel-le shanuhu nga gjërat e gajbit (të padukshme, të panjohura) paraqet mençuri të madhe dhe janë tejet të vlefshme për ne. Prandaj All-llahu xhel-le shanuhu, nga mëshira e madhe e Tij ndaj nesh, na ka informuar për këto krijesa fisnike dhe besimi në to është një pjesë e besimit në gajb, besim ky që i përshkruhet besimtarëve të sinqertë. All-llahu xhel-le shanuhu thotë:
"Elif, Lam, Mim. Ky libër, në të cilin nuk ka dyshim aspak, është udhëzim për të devotshmit, të cilët e besojnë të fshehtën, e kryejnë faljen dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne." (El-Bekare: 1-3)
Besimi në engjëj ka ndikime të mëdha në jetën e njeriut, nga të cilat janë:
- Qëndrueshmërianë rrugën e All-llahut xhel-le shanuhu, ngase ai i cili e ndien me plot zemër ekzistimin e engjëjve, ushtarëve të All-llahut xhel-le shanuhu, dhe beson se ata përcjellin çdo lëvizje dhe çdo fjalë të tijën dhe se janë të pranishëm në çdo situatë të tij, do të turpërohet nga All-llahu xhel-le shanuhu dhe nga ushtarët e tij, e nuk do t’i kundërvihet urdhrit të Tij e as që do të jetë i padëgjueshëm ndaj Tij, as haptazi as fshehurazi. Sepse si mund t’i lejojë vetes diçka të tillë duke qenë i vetëdijshëm se të gjitha shihen, kundrohen dhe shënohen.
- Durimidhe vazhdimi i xhihadit pa pikëllim, por duke ndier kënaqësi dhe qetësi. Këto domethënie janë fuqimisht të lidhura me besimin në engjëj dhe në atë që na ka informuar All-llahu xhel-le shanuhu përkitazi me ta. Prandaj, kur njeriu (besimtari) të gjendet në shoqërinë e atyre që kanë lajthitur nga rruga e drejtë, të cilët i sundon xhahilijeti, dhe kur të bëhet i huaj në atdheun e vet, ndër të afërmit dhe ndër popullin e vet, i përqeshur, i nënçmuar dhe i penguar në përulshmërinë e tij ndaj All-llahut xhel-le shanuhu dhe në qëndrueshmërinë në rrugën e Tij, në gjendje të tillë ai i gjen vetes shokun dhe mikun i cili e përcjell, e shoqëron, i jep zemër, e nxit të jetë i durueshëm dhe e ndihmon të marshojë rrugës së All-llahut xhel-le shanuhu. Sepse ushtria e All-llahut xhel-le shanuhu është me të, e adhuron All-llahun siç e adhurojnë edhe ata, aspiron nga Krijuesi i qiejve dhe i Tokës sikurse edhe ata dhe i inkurajojnë hapat e tij dhe e ndihmojnë atë, duke ia përkujtuar të mirat që e presin te Zoti i tij. Pra, ai nuk është i vetmuar në rrugë, por udhëton i shoqëruar në varganin e madh së bashku me shumë krijesa të All-llahut xhel-le shanuhu, me engjëjt fisnikë - të dërguarit e All-llahut xhel-le shanuhu, - me qiejt dhe me Tokën. Pra, ai ka shumë shoqëri dhe mbështetje më të madhe sesa të tjerët. Kjo ndjenjë e sinqertë e bën atë të durueshëm dhe të qetë, kështu që pengesat e njerëzve vetëmsa ia përforcojnë qëndrueshmërinë në xhihad.
Shih, o vëlla i dashur, sa shumë na ka shpërblyer All-llahu xhel-le shanuhu me krijimin e engjëjve dhe me besimin në ta, gjë që paraqet ndikim të madh në zemrat tona, në veprat tona dhe në korrektësinë e jetës sonë në këtë botë. E, imani në engjëj është njëkohësisht edhe vërtetimi i Fjalëve të All-llahut xhel-le shanuhu dhe fjalëve të Pejgamberit të Tij besnik.

melika
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 193
Points : 542
Reputation : 3
Data e Anëtarësimit : 15/04/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi