Emrat e bukur të Allahut – Esmaullahi-l-Husna
Faqja 1 e 1

Allahu xh.sh. në Kur’anin Fisnik thotë:
وَلِلَّهِ الْأَسْمَاءُ الْحُسْنَى فَادْعُوهُ بِهَا وَذَرُوا الَّذِينَ يُلْحِدُونَ فِي أَسْمَائِهِ سَيُجْزَوْنَ مَا كَانُوا يَعْمَلُونَ
- “Allahu ka emrat më të bukur (mirë), prandaj Atë thirreni me ta” , (El-A’ëraf, 180)
قُلْ ادْعُوا اللَّهَ أَوْ ادْعُوا الرَّحْمَانَ أَيًّا مَا تَدْعُوا فَلَهُ الْأَسْمَاءُ الْحُسْنَى
- “Thuaj: “Thërrisni: Allah ose thërrisni Er-Rrahman, me cilindo që ta thërrisni (prej këtyre dy emrave), emrat e Tij janë më të bukurit…”, (Isra’ë 110)
اللَّهُ لَا إِلَهَ إِلَّا هُوَ لَهُ الْأَسْمَاءُ الْحُسْنَى
- “Ai është Allahu, nuk ka zot tjetër pos Tij. Atij i takojnë emrat më të bukur”, (Ta-Ha,
هُوَ اللَّهُ الْخَالِقُ الْبَارِئُ الْمُصَوِّرُ لَهُ الْأَسْمَاءُ الْحُسْنَى
- “Ai është Allahu, Krijuesi, Shpikësi, Formëdhënësi. Të Tij janë emrat më të bukur.” (El-Hashr, 24)
Transmetohet nga Ebu Hurejra të ketë thënë: Ka thënë Pejgamberi a.s.: “Allahu i ka nëntëdhjetë e nëntë emra, njëqind pa një, Ai është tek dhe e do tekun. Ai që i numëron (mëson) këta emra të Tij, do të hyjë në Xhennet. Allahu është Ai, përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër, Ai është: i Gjithëmëshirëshmi (Falësi i të mirave), Mëshirëploti (i Mëshirshmi), Sunduesi, i Pastri (i Shenjti, i Shndritshmi), Paqedhënësi (i Pastri pa të meta), Siguruesi, Mbizotëruesi, Fuqiploti, i Gjithëfuqishmi, i Madhërishmi, Krijuesi, Filluesi, Formëdhënësi, Gjithëfalësi, Mposhtësi, Dhuruesi, Furnizuesi, Zgjidhjedhënësi, i Gjithëdituri, Shtrënguesi, Dhënësi (Çliruesi), Përulësi, Lartësuesi, Ngritësi, Nënshtruesi, Dëgjuesi, Vështruesi, Gjykuesi, i Drejti, i Buti, i Gjithinformuari, Përdëllimtari, Madhështori, Falësi, Mirënjohësi, i Larti, i Madhi, Ruajtësi, Ushqyesi, Llogarimarrësi, Fisniku, Bujari, Vigjëluesi, Lutjepranuesi, Gjithëpërfshirësi, i Urti, i Dashuri, i Lavdishmi, Ringjallësi, Dëshmuesi, i Vërteti, Përkujdesësi, i Forti, i Pathyeshmi, Mbrojtësi, i Falënderuari, Gjithënjohësi, Nismëtari, Rikrijuesi, Jetëdhënësi, Jetëmarrësi (Vdekjeprurësi), i Gjalli, i Përjetshmi, Kreatori, i Nderuari, i Vetmi, i Domosdoshmi (Strehimtari), i Fuqishmi, i Gjithëmundshmi, Përparuesi (Nismëtari), Paslënësi (Ai i Cili të vonon), i Pari, i Fundit, i Dukshmi, i Padukshmi, Udhëheqësi (Drejtuesi), i Gjithëlartësuari, Mirëbërësi, Pendimpranuesi, Ndëshkuesi (Ai që hakmerret), Mëkatfalësi, i Dhembshuri, Pushtetmbajtësi, Atij i takon madhështia dhe nderi, Drejtësidhënësi, Tubuesi, i Pasuri, Pasuridhënësi, Privuesi, Dëmsjellësi (Ai i Cili jep dëmin), Dobiprurësi, Drita, Udhëzuesi, Shpikësi, i Përhershmi (i Amshueshmi), Trashëguesi, Frymëzuesi (Udhëzuesi në të mirë), Durimtari”
* * *
Çështja e emrave të bukur të Allahut dhe komentimi i tyre, kanë qenë objekt shqyrtimi dhe komentimi i shumë dijetarëve në kohë, duke filluar nga ata të akaidit (apologjetikës), pastaj ata të hadithit, të tefsirit etj..
Dijetarët, pa dallim, janë unikë rreth faktit se këta emra të bukur të Allahut, në të vërtetë janë cilësi të Allahut xh.sh., me të cilat Ai e ka cilësuar dhe përshkruar Vetveten.
Prej këtyre emrave-cilësive ka të tillë që përshkruajnë Madhështinë e Tij si: “El-Adhim”-“Madhështori”, “El-Muteali”-“I Gjithëlartësuari”, “El-Mexhid”-“I Lavdishmi”, “El-Kuddus”-“I Pastërti”, “Dhul Xhelali vel Ikram”-“Atij i takon madhështia dhe nderi”. etj.
Pastaj ka prej këtyre emrave që dëftojnë për kreativitetin e Tij si Krijues: “El-Bariu”-“Filluesi i krijimit”, “El-Musavviru”-“Formëdhënësi”, “El-Haliku”-“Krijuesi”, “El-Bediu”-“Shpikësi”, etj.
Ka cilësi të tjera që përshkruajnë fuqinë e Tij hyjnore si: “El-Kavijj”-“I Forti”, “El-Kadir”-“I Fuqishmi”, “El-Kahhar”-“Mposhtësi”, “El-Muhejmin”-“Mbizotëruesi” etj.
Pastaj ka të tilla që përshkruajnë dhe shprehin diturinë dhe urtësinë e Tij hyjnore si: “El-Aliim”-I Gjithdijshmi”,“El-Hakim”-“I Urti”,“El-Habir”-“I Gjithëinformuari”, etj.
Ndërsa ka prej këtyre emrave që përshkruajnë mëshirën dhe butësinë e Tij ndaj robërve të Tij si: “Er-Reuf”-“I Dhembsuri”, “Er-Rrahman”-“I Gjithëmëshirshmi”, “Er-Rrahim”-“Mëshirëploti”,“El-Gafur”-“Falësi”, “El-Halim”-“Përdëllimtari” “Et-Tevvab”-“Pendimpranuesi”, “El-Letif”-“I Buti” etj, por, që të gjithë këta emra-cilësi, edhe pse në dukje mund të kenë ngjashmëri me disa cilësi që i posedojnë edhe krijesat, assesi nuk mund të krahasohen me cilësitë hyjnore, sepse Allahu është i Vetmi Zot i kësaj gjithësie, në sundimin e të Cilit nuk mund t’i përzihet askush. As nuk ka shok e as të ngjashëm me Të:
لَيْسَ كَمِثْلِهِ شَيْءٌ
“ Asnjë send nuk është si Ai…” (Esh-Shura, 11)
Siç e pamë nga hadithi që kanë transmetuar Tirmidhiu, Ibn Hibani dhe Bejhekiu nga Ebu Hurejra e ky nga Pejgamberi a.s., Allahu xh.sh. i ka 99 emra, por ky përkufizim në 99-të assesi nuk do të thotë se Allahu nuk ka edhe emra të tjerë, të cilët ne nuk i dimë, e nuk i ka ditur madje as vetë i Dërguari i Allahut-Muhammedi a.s. Argument për këtë është vetë thënia (duaja) e Resulullahut s.a.v.s., e përcjellë nga Abdullah ibn Mes’udi, i cili e kishte dëgjuar Pejgamberin a.s. duke thënë: “Ai njeri që e kaplon ndonjë mërzi ose brengë dhe thotë: “O Allah, unë jam robi Yt, bir i robit Tënd dhe bir i robëreshës Sate, Jeta ime (ballukja ime) është në Duart e Tua, i nënshtrohem plotësisht gjykimit të çështjes Sate në mua, Dhe çdo gjykim Yti në mua është i drejtë. Për hir të kësaj, O Zot i madhëruar, po të lutem (po kërkoj nga Ti) me secilin emër të ndritur që ke, me të cilin e ke quajtur (cilësuar) Veten, ose e ke përmendur në Librin Tënd (Kur’anin), ose të cilin ia ke mësuar ndokujt prej krijesave të Tua, ose të cilin e ruan vetëm në Diturinë Tënde të fshehtë, që Kur’anin e madhëruar ta bësh freski të zemrës sime, dritë të gjoksit tim, dhe largim të çdo brenge dhe dëshpërimi tim”, atij njeriu, Allahu do t’ia largojë dëshpërimin dhe mërzinë dhe në vend të tyre do t’i sjellë gëzim”. Atëherë as’habët e pyetën: O i Dërguari i Allahut a nuk duhet t’i mësojmë ne këto fjalë (këta emra)? Tha: Po gjithsesi, madje është e pëlqyeshme për atë që i dëgjon, edhe t’i mësojë”.
Dijetarët janë përpjekur të japin sqarime të mundshme rreth kuptimit të vërtetë që është synuar nga fjalët e Pejgamberit a.s.: ”…men ahsaha dehalel xhenneh…”.
Nga aspekti gjuhësor këto fjalë nënkuptojnë: ”kush i numëron”, por këtu qëllimi është shumë më i gjerë, dhe nënkupton jo vetëm numërimin por edhe mësimin e tyre dhe veprimin me këta emra (cilësi). Me një fjalë, besimtari duhet të stoliset me këto virtyte.
Në këtë kuptim të numërimit dhe të ruajtjes na vjen në këtë ajet:
“Në Ditën kur Allahu i ringjall ata të gjithë, i njofton për atë që kanë punuar, sepse Allahu i ka mbajtur ato shënime, edhe pse ata i kanë harruar. Allahu është Ai që sheh dhe përcjell çdo gjë.” , (El-Muxhadele, 6)
Kuptimi i fjalës “ahsahullahu” në këtë ajet nënkupton numërimin, por edhe mosharresën, sepse Allahu nuk i harron veprat e njerëzve, qofshin ato të mira ose të këqija.
Pastaj fjala “ihsaun”-“numërim”, vjen edhe në kuptim të gjithëpërfshirjes e jo vetëm të përkufizimit në numërim:
“…Edhe në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i përkufizoni (në numër)…”, (Ibrahim, 34).
Kjo nënkupton se me gjithë përpjekjet e njerëzve që të numërojnë mirësitë e Allahut ndaj tyre, ato është e pamundur të përkufizohen në ndonjë numër.
Dhe në këtë kontekst, nëse kthehemi edhe një herë tek fjalët e Resulullahut s.a.v.s., atëherë është e qartë se nuk bëhet fjalë vetëm për numërimin e tyre, por për të vepruarit me këto cilësi dhe me këta emra të bukur. F.v., çdo besimtar duhet të stoliset me virtytin e mëshirës, që ta mëshirojë atë që është më i dobët dhe i pafuqishëm;, duhet të jetë i drejtë gjatë ndonjë gjykimi me peshë; duhet të jetë i butë dhe i kujdesshëm me njerëzit që i drejtohen për ndonjë nevojë; duhet të jetë falës, nëse ndokush i ka bërë ndonjëherë ndonjë padrejtësi dhe i ka kërkuar falje; duhet t’i ofrojë ndihmë vëllait musliman, kurdo që e kërkon nevoja, etj.
Besimtari jeton nën hijen e këtyre emrave të bukur, sepse afrimi tek Allahu është caku dhe synimi i secilit prej nesh, sepse vetë Allahu xh.sh. thotë:
“Allahu i ka emrat më të bukur (mirë), prandaj Atë thirreni me ta” , (El-A’ëraf, 180)
Të përmendurit e Allahut është detyrim i çdo besimtari në çdo kohë, në mëngjes e mbrëmje, në gëzime e dëshpërime, në rrugë e në shtëpi. Për këtë jemi të urdhëruar nga i Lartmadhërishmi në Kur’anin fisnik:
“Pra ju më kujtoni Mua (me adhurime), Unë ju kujtoj (me shpërblim). Më falënderoni e mos më mohoni”, (El-Bekare, 152)
Pastaj:
“E i përmende shumë Zotin tënd dhe madhëroje mbrëmje e mëngjes”, (Ali Imran, 41).
Emrat e bukur të Zotit janë burim i shumë mirësive, të cilat njeriu as që mund t’i imagjinojë. Në lidhje me këtë, i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kushdo prej jush që kur të zgjohet thotë tri herë: “Eudhu bil-lahi es-Semiil Alim mine shejtani rraxhim”-“Kërkoj mbrojtjen e Allahu, Dëgjuesit dhe të Gjithdijshmit nga cytjet e shejtanit të mallkuar”, dhe i lexon tri ajetet e kaptinës “El-Hashër” (22-23-24, këto ajete përmbajnë 16 emra të bukur të Allahut: (“Ai është Allahu që nuk ka zot tjetër; vetëm Ai që e di të fshehtën dhe të dukshmën; Ai është Mëshiruesi, Mëshirëbërësi. Ai është Allahu që nuk ka zot tjetër përveç Tij, Sundues i përgjithshëm, I Pastër (prej të metave që i mvishen), Shpëtimtar (që shpëton njerëzit prej ndëshkimit), Sigurues (që siiguroi njerëzit me premtimin e vet dhe pejgamberët me mrekulli), Mbikëqyrës (që mbikëqyr dhe përcjell çdo send), I Plotfuqishëm, Mbizotërues, I Madhërishëm. I Lartësuar është Allahu nga çka i shoqërojnë! Ai është Allahu, Krijuesi, Shpikësi Formëdhënësi. Të Tij janë emrat më të bukur. Atë (Allahun) e madhëron çka në qiej e në Tokë dhe Ai është Ngadhënjyesi, I Urti”), Allahu do t’i autorizojë 70 mijë melaike që të luten për të derisa të ngryset (të vijë mbrëmja), dhe në qoftë se ai person vdes gjatë asaj dite, ai vdes si shehid (dëshmor), dhe po ashtu ai që i thotë këto fjalë kur të bjerë në gjumë, e ka të njëjtën gradë (derisa të zgjohet)”
Cili është emri më i madh i Allahut?
Dijetarët, në përpjekjet nga ixhtihadi i tyre personal, janë munduar të japin mendime të ndryshme se cili mund të jetë emri më madhështor i Allahut xh.sh., sepse ky emër, për shkak të një urtësie të madhe, është i fshehur, dhe atë nuk e ka treguar madje as vetë Pejgamberi a.s. Ka mendime që thonë se pa dyshim emri më i madh i Allahut është vetë emri “Allah”, i cili në Kur’an është përmendur mbi 2690 herë. Ky është njëri prej mendimeve më të forta dhe më të pranueshme nga dijetarët, sepse ky emër përmban vërtet shenjtërinë hyjnore. P.sh., kur të përmendet i vetëm, është “Allah”, nëse i hiqet elifi i parë, prapë mbetet “Lil-lah”-“Për Allahun”, nëse hiqet lami i parë, mbetet “Lehu”-“për Të”, po nëse hiqet edhe lami i dytë, prapë mbetet “Hu” ose “Huve”-“Ai”.
Transmetohet nga Aishja r.a. se një ditë i Dërguari i Allahut xh.sh. i kishte thënë asaj: “Oj Aishe, a e dite se Allahu ma dëftoi një emër të Tij, me të cilin po të lutej, Ai do të përgjigjej ? Aishja thotë: E përbeva Pejgamberin në babë e nënë që të ma mësonte atë emër, por ai më tha: “Nuk bën të ta mësoj, oj Aishe”. Atëherë thotë Aishja r.a., u përkula në shenjë nderimi, u ula për disa çaste dhe pastaj u ngrita, ia putha kokën të Dërguarit a.s. dhe me përultësi e luta: “Të lutem, ma mëso atë emër, o i Dërguar i Allahut!, kurse ai prapë ma ktheu: “Nuk bën të ta mësoj, oj Aishe, sepse me atë emër nuk bën të kërkosh ndonjë gjë të kësaj bote”.
Pasi i dëgjova këto fjalë, thotë Aishja r.a., u ngrita, mora abdest, i fala dy rekate dhe fillova të lutesha: “O Zoti im, unë po të lutem Ty, o Allah, po të lutem o i Gjithëmëshirshëm - (Er-Rrahman), po të lutem o Mirëbërës - (El-Berr) dhe Mëshirëplotë - (Er-Rrahim), po të lutem me të gjithë emrat e Tu të bukur që ke, me ata që unë i di dhe me ata që nuk i di, që të më falësh e të më mëshirosh mua”. Atëherë, thotë Aishja r.a., e pashë Resulullahun s.a.v.s. duke buzëqeshur dhe më tha: “Ai emër i madh i Allahut, është në njërin prej këtyre emrave me të cilët e lute Atë”.
- Në koleksionin e Tirmidhiut transmetohet nga Esma’ë bin Jezid, se i Dërguari a.s. ka thënë: “ Emri i Madh i Allahut është në këto dy ajete: “Ve ilahukum ilahun vahid, la ilahe il-la huve er-Rrahmanu er-Rrahim”-“Zoti juaj (që meriton adhurimin) është një, Allahu, nuk ka zot pos Tij, është mëshirplotëe dhe mëshirbërës” (El-Bekare, 163) dhe ajeti i dytë i kaptinës Ali Imran: “Allahu la ilahe il-la huve el-Hajjul Kajjum” – “Allahu është një, nuk ka zot tjetër përveç Atij. Ai është Mbikëqyrës i përhershëm dhe i përjetshëm”, (Ali Imran 2)
Në lidhje me këtë hadith, Tirmidhiu pohon se është në gradën sahih.
- Në Musnedin e Imam Ahmedit, po edhe në Sahihun e Hakemit, transmetohet nga Ebu Hurejra, nga Enes bin Maliku dhe Rebiate bin Amiri, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Lidhuni për këtë fjalë dhe shqiptojeni gjithmonë: “Ja Dhel Xhelali vel Ikram”.
- Na është transmetuar po ashtu nga Ebu Hurejra, fjalët e të cilit i ka shënuar Tirmidhiu, se i Dërguari i Allahut, sa herë që e preopkuponte diçka, kur lutej, lutej me përultësi dhe thoshte: “Ja Hajj, ja Kajjum”
- Në Sahihun e Hakemit, transmetohet një hadith nga Ebi Emamete, e ky nga i Dërguari a.s. të ketë thënë: “Emri madhështor i Allahut është në njërën prej këtyre tri kaptinave: El-Bekare, Ali Imran dhe Ta-Ha.”
Thotë Kasimi, e kam kërkuar këtë emër në këto tri kaptina dhe mendoj se ai është ajeti: “Allahu la ilahe il-la huve el-Hajjul Kajjum” – “Allahu është një, nuk ka zot tjetër përveç Atij. Ai është Mbikëqyrës i përhershëm dhe i përjetshëm”, (Ali Imran 2) dhe (El-Bekare, 255)
Në vazhdim do të cekim mendimet kryesore të disa dijetarëve në lidhje me emrin e madh të Allahut xh.sh.
Mendimi i Imam Gazaliut:
Imam Gazaliu në lidhje me këtë thotë: “Dituria rreth emrave të bukur të Allahut është prej dijeve më të mëdha. Dijetarët ndërkaq, sa i përket emrit më të madh të Allahut, janë ndarë me tri mendime:
1. Emri më i madh i Allahut është secili emër me të cilin Ai të përgjigjet në rast të ndonjë nevoje ose shqetësimi.
2. Disa të tjerë kanë thënë se emri i madh i Allahut është vetë emri “Allah”, mendim ky që është pa dyshim më i sakti. Ca të tjerë kanë thënë se ky emër është: “Dhul Xhelali vel Ikram”; disa të tjerë se ai emër është “El-Letif”. Një grup tjetër kanë shprehur mendimin se ky emër është fjala ”Selamun kavlen min rabi-rr-Rrahim”. Një mendim tjetër është për emrin “El-Vedud”, pastaj për emrat “El-Hannan el Mennan, dhul Xhelali vel Ikram”.
Mund të jetë ky emër i madh i Allahut edhe në ndonjërën prej shkronjave simbolike në fillim të disa sureve, të ashtuquajtura shkronja të dritës, si “Elif Lam Mim”, “Elif Lam Mim Sad”, “Elif Lam Mim Ra”, ose “Kaf Ha Ja Ajn Sad” …etj..
3. Ky emër mund të jetë emri më gjithëpërfshirës i Allahut, prej të cilit rrjedhin të gjithë emrat e tjerë të Tij. Dhe këtë emër i Plotfuqishmi e ka lënë të fshehtë, sigurisht për një urtësi shumë të madhe. Qëllimi i tërë kësaj urtësie është që secili t’i lutet Allahut me emrin më të ndritur, me të cilin shpreson se Ai do t’i përgjigjet për nevojën e tij…”
Mendimi i Sujutiut:
Në lidhje me emrin madhështor të Allahut, Imam Sujutiu sjell 20 mendime të ndryshme. Ai ndër të tjera thotë: “Jam pyetur nga disa njerëz për këtë emër dhe për hadithet që trajtojnë këtë temë, dhe them: Secili emër i Allahut është i madh, dhe nuk bën të dallohet njëri prej tjetrit. Zaten, ky mendim është edhe mendim i shumë dijetarëve të mëdhenj para meje, si Ebu Xha’fer Et-Taberiu, Ebul Hasen El Esh’ariu, Ibn Hibbani, El-Bakilaniu etj.
Mendim tjetër i Sujutiut është se ky emër është ifshehtë në dijen e Allahut dhe nuk ia ka zbuluar askujt prej krijesave, ashtu siç e ka lënë të fshehtë edhe natën e Kadrit apo momentin e Kiametit. etj.
Sujutiu në vazhdim cek edhe tetëmbëdhjetë mendimet e tjera, të cuilat flasin në lidhje me mundësinë se cili mund të jetë emri më i madh i allahut. Ai mund të jetë emri “Huve”, një mendim që e përcjell nga Fahru Rraziu, pastaj cek emrin “Allah”, për të cilin thotë se është emër i përveçëm, me të cilin nuk është cilësuar askush pos Allahut si Qenie Absolute, kurse të tjerët emra vetëmsa janë shtesë plotësuese e këtij emri të madh. Në lidhje me këtë mendim, sjell një transmetim nga Xhabir bin Abdil-lah bin Zejdi, i cili thotë se emri Allah është emri më i madh. A nuk e shihni se si e ka shprehur këtë gjë Allahu xh.sh. në Kur’anin fisnik: “Huvallahu ledhi la ilahe il-la huve alimul gajbi ve shehadeh huve rrahmanu rrahim”.-“Ai është Allahu që nuk ka zot tjetër,; vetëm Ai që e di të fshehtën dhe të dukshmën; Ai është Mëshiruesi, mëshurëbërësi”, (El-Hashr, 22).
Emri i madh i Allahut mund të jetë edhe në njërin prej këtyre tre emrave: “Allah-Rrahman – Rrahim” duke u bazuar në hadithin që përcillet nga Aishja r.a., e cila i qe lutur Allahut: “…O Zoti im, unë po të lutem Ty, o Allah, po të lutem, o i Gjithëmëshirshëm (Er-Rrahman), po të lutem, o Mirëbërës (El-Berr) dhe Mëshirëplotë (Er-Rrahim)…”, pas së cilës dua, i Dërguari i Allahut kishte buzëqeshur dhe kishte thënë: ““Ai emër i madh i Allahut është në njërin prej këtyre emrave me të cilët e lute Atë”.
Më pastaj Imam Sujutiu sjell edhe mendimet e tjera, se ai emër i madh i Allahut mund të jetë: “Dhul Xhelali vel Ikram”, ose mund të jetë edhe ky emër: “Allahu la ilahe il-la huve el Ehadu es-Samed, el-ledhi lem jelid ve lem juled ve lem jekun lehu kufuven ehad”-“Allahu është Ai pos të Cilit nuk ka tjetër zot. I Vetmi, të Cilit i drejtohen krijesat për nevojat e tyre,Strehimtari, Zotëria dhe Sunduesi, i Cili nuk ka lindur kë e as nuk është i lindur dhe askush nuk është i barabartë me Të”. Në lidhje me këtë mendim kemi një hadith sahih të transmetuar nga Burejde, të cilin e kanë transmetuar Ebu Davudi, Tirmidhiu, Ibni Maxhe dhe Hakemi, të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut dëgjoi një njeri duke u lutur, i cili thoshte: “Allahumme inni es-eluke bienni eshhedu enneke ente Allah el-ledhi la ilahe il-la Ente, El-Ehadu Es-Samed, el-ledhi lem jelid ve lem juled ve lem jekun lehu kufuven ehad”-“O Zoti im!, po të lutem dhe po kërkoj nga Ti duke dëshmuar se ti je Allahu dhe se nuk ka zot tjetër përveç Teje, Një, dhe i Vetmi Strehimtar, për të cilin kanë nevojë të gjithë, i Cili nuk ka lindur kë e as është i lindur dhe as që dikush është i barabartë me Të”, për se i Dërguari i Allahut ka thënë: Vërtet e ke lutur Allahun me emrin e Tij më madhështor e më të ndritur, me të cilin, kur t’i lutesh, të jep dhe të përgjigjet”. Në lidhje me këtë hadith, Ibn Haxher el Askelani thotë se është me senedin më të saktë prej haditheve që flasin për emrin e madh të Allahut.
Sujutiu në vazhdim cek edhe mendime të tjera se ky emër mund të jetë ; “El-Hajjul Kajjum”, ose “Rabb”, ose “Malikul Mulk”, ose “Bediu semavati vel erd, dhul Xhelali vel Ikram”-“Shpikësi i Qiejve dhe i Tokës, Vetëm Atij i takon Madhështia dhe Nderi”, ose “Allahumme”, ose “Dëshmia islame : “La ilahe il-lallah”, ose disa prej shkronjave simbolike si “Elif Lam Mim”, etj.
Imam Sujutiu sjell edhe një mendim tjetër shumë të fuqishëm se ai emër i madh i Allahut mund të jetë duaja e Junusit a.s. në barkun e peshkut, kur u pendua tek Allahu, e ato janë fjalët: “La ilahe il-la ente, Subhaneke inni kuntu mine-dh- dhalimin”. “Nuk ka Zot pos Teje. Ti je i Pastër, nuk ke të meta. Unë i bëra të padrejtë vetes!”, (Junus 87)..
Transmetojnë Ibn Xheriri dhe Hakemi nga Seid bin Ebi Vekasi e ky nga Pejgamberi a.s. të ketë thënë: “A t’ju tregoj për emrin e madh të Allahut? Ai emër është në “duanë e Junusit” që e bëri në bark të peshkut”. Disa e pyetën: A mos ka qenë kjo dua e veçantë vetëm për Junusin a.s. për se ai u përgjigj: “A nuk e shihni se ç’thotë Allahu xh.sh. “Festexhebna lehu ve nexhejnahu minel gammi ve kedhalike nunxhi el mu’minin”-“Ne iu përgjigjëm atij, e shpëtuam nga tmerri. Kështu i shpëtojmë Ne besimtarët”, (El-Enbija, 88).
Mendimi i Sha’raviut
Mumammed M. Sharaviu pasi përmend disa mendime të dijetarëve se cili mund të jetë emri madhështor i Allahut, se a mund të jetë ai “Malikul Mulk”, apo “El-Hajjul Kajjum”, apo “Er-Rrahman” etj,. ndër të tjera, thotë se ky emër i Madh i Allahut, mund të jetë vetëm ai emër që përfshin të gjitha cilësitë e përsosura, dhe konstaton: “Emri i madh i Allahut është pa dyshim vetë emri “Allah”… Duaja me emrat e bukur të Allahut nënkupton faktin që t’i lutesh Allahut me atë emër i cili ty të përshtatet për atë nevojë, p.sh.: O i Urtë, më dhuro urtësi, ose o i Gjithëdijshëm, më dhuro dituri, O i Mëshirshëm m më mëshiro, kurse nëse lutesh: “O Allah”, atëherë dije se e ke lutur të Lartmadhërishmin me të gjitha cilësitë e përkryera, të domosdoshme.”
KOMENT I SHKURTËR I EMRAVE TË BUKUR E TË NDRITUR TË ALLAHUT XH.SH.
1. ALL-LLAH- Zoti. Është emri më i madh i Krijuesit që dëfton për Qenien Absolute, emër me të cilin përfshihen të gjitha cilësitë dhe atributet e tjera hyjnore. Është emër i përveçëm dhe nuk është i prejardhur, do të thotë nuk rrjedh prej ndonjë fjale tjetër. Si term i tillë përdoret vetëm për të dëshmuar Ekzistencën e Domosdoshme dhe Absolute. Çdo emër tjetër i bukur i Allahut vjen si shtesë me të, kur janë së bashku. p.sh. “Huvallahu ledhi la ilahe il-la huve”- “Ai është Allahu që nuk ka zot tjetër përveç Tij…” (El-Hashr,23) ose “Allahu la ilahe il-la huve rabbul Arshil adhim”-“Allahu është një, nuk ka Zot tjetër përveç Tij, Zot i Arshit të madh”, (En-Neml, 26)etj.
Në Kur’an ky emër është përdorur 2690 herë, ndërsa nëse ia shtojmë edhe emërtimin që rrjedh po prej këtij emri “Lil-lah”, ose “ilah” ose “lehu” ose “huve”, atëherë ai del se është përmendur mbi 2700 herë.
Me këtë emër hyjnor nuk është emërtuar dhe as që mund të emërtohet dikush tjetër. Madje ky është edhe një sfidim hyjnor për mbarë njerëzimin, sepse Allahu xh.sh. thotë : “A di ti për Të (Allahun) emërtues tjetër” ?! (Merjem, 65)
Me fjalën Allah, janë hapur mbi tridhjetë e pesë ajete kuranore të shpërndamë nëpër kaptina të ndryshme të Kur’anit.
Emri Allah, do të thotë se nuk ka të adhuruar tjetër që meriton të adhurohet përveç Tij.
Pa dyshim është emri më i madh dhe më i ndritur i Krijuesit, për të cilin ka dhënë shenjë edhe Pejgamberi ynë, se, po t’i lutet dikush Zotit me emrin e Tij më të madh, njeriut ia jep atë që kërkon.
Duhet ditur se vetëm me emrin Allah plotësohet dëshmia islame e cila është “La ilahe il-la Allah, Muhammedun resulullah”.
Me këtë emër të lartë hyjnor, fillojmë çdo punë, dhe me këtë emër hapen të gjitha kaptinat e Kur’anit, do të thotë me
(Bismil-lahi Rrahmani Rrahim).
2. ER-RRAHMAN - i Gjithëmëshirëshmi,
Është Ai që shtrin mëshirën e Tij mbi të gjitha krijesat, pa dallim në mes besimtarëve dhe pabesimtarëve.
3. ER-RRAHIM – Mëshirëploti. Ai i Cili shpërblen besimtarët me mëshirën e Vet, sidomos në botën e ardhshme.
4. EL-MELIK – Sunduesi. Ai i cili sundon këtë gjithësi ashtu siç dëshiron Vetë.
5. EL-KUDDUS - i Pastri , i Shenjti, i Shndritshmi – Allahu është i pastër dhe i zhveshur nga çdo e metë a mangësi që mund t’i mvishet.
6. ES-SELAM – Paqedhënësi – Ai jep paqe dhe qetësi, vetëm tek Ai është shpëtimi.
7. EL-MU’MIN – Siguruesi dhe Mbajtësi i premtimit. Allahu i madhërishëm nuk e thyen premtimin e Vet, do të thotë se në Ditën e Gjykimit, Ai do t’i mbrojë robërit e Vet të sinqertë nga ndëshkimi i zjarrit.
8. EL-MUHEJMIN – Mbizotëruesi, Mbikëqyrësi. Kuptim tjetër i këtij emri hyjnor është edhe se Allahu është Mbrojtës dhe Mbikëqyrës i çdo gjëje që ndodh në këtë ekzistencë.
9. EL-AZIZ – Fuqiploti, Madhështori. Fuqia e Tij mbulon këtë gjithësi; askush nuk është i barabartë me Fuqinë e Tij.
10. EL-XHEBBAR - i Gjithëfuqishmi. Mbizotëruesi ndaj çdo gjëje. Ai me vullnetin e Tij ka nënshtruar çdo krijesë për respektimin e Madhërisë së Tij.
11. EL-MUTEKEBBIR - i Madhërishmi. Madhështia e Tij nuk mund të krahasohet me të përceptuarit e mendjes njerëzore.
12. EL-HALIK – Krijuesi, i Cili ka krijuar tërë këtë ekzistencë, që e shohim dhe nuk e shohim. Krijues i vetëm dhe i Pashoq.
13. EL-BARIU – Filluesi, i Cili krijoi krijesat pa ndonjë model paraprak, dhe Vullneti i Tij është zbatuar dhe zbatohet nëpërmjet urdhrit hyjnor: “Bëhu”!
14. EL-MUSAVVIR – Formëdhënësi. Ai i Cili u dha formë të gjitha krijesave, e ndër këto krijesa e dalloi njeriun, të cilin e krijoi në formën më të bukur.
15. EL-GAFFAR – Gjithëfalësi. Ai i Cili fal robërit e Tij, sa herë që ata i drejtohen për falje. Emri Gaffar ka edhe domethënien se Allahu i mbulon të këqijat e njerëzve-robërve të Tij, dhe i fal ato në Ahiret.
16. EL-KAHHAR – Mposhtësi, i Cili mposht çdo kriminel dhe e shkatërron si në këtë jetë, ashtu edhe në Ahiret.
17. EL-VEHHAB – Dhuruesi. Ai i Cili krijesave të Tij u dhuron mirëqenie dhe mirësi të panumërta.
18. ER-RREZAK – Furnizuesi. Ai i Cili furnizon çdo krijesë me nevojat jetësore, pa marrë parasysh nëse është besimtar apo pabesimtar.
19. EL-FETTAH – Zgjidhjedhënësi. Është Ai i Cili hap depot e mëshirës së Tij për robërit e sinqertë, por edhe Që gjykon me drejtësi në çdo çështje.
20. EL-’ALIM - i Gjithëdituri. Dijes së Tij nuk mund t’i shmanget asnjë veprim në këtë gjithësi. Ai di çdo gjë, të fshehtat tona dhe veprimet e hapura. Dija e Tij përfshin tërë këtë ekzistencë.
21. EL-KABID – Shtrënguesi. Në Kur’an ka ardhur me disa kuptime. Ndër të tjera, marrja e shpirtrave. Pastaj vjen në kuptim të ndaljes së mëshirës së Tij në Ditën e Gjykimit për pabesimtarët, etj.
22. EL-BASIT – Dhënësi. Ai që shtrin mëshirën dhe rrëskun-furnizimin për robërit e devotshëm.
23. EL-HAFIDU – Përulësi. Ai që përul dhe nënçmon çdo mendjemadh e tiran.
24. ER-RAFIU – Lartësuesi. Është Ai që ngre dhe lartëson të dashurit e Tij.
25. EL-MUIZZU – Ngritësi. Ai që përkrah dhe fuqizon robërit e Tij të devotshëm, të cilët synim e kanë përfitimin e dashurisë dhe të mëshirës së Tij, dhe atë që Allahu e ngre dhe fuqizon, s’ka forcë që mund t’i thyejë shpirtin dhe moralin e tij.
26. EL-MUDHIL-L – Nënshtruesi. Është Ai që nënshtron dhe poshtëron pabesimtarët për shkak të kufrit-mosbesimit të tyre
27. ES-SEMI’U – Dëgjuesi, që dëgjon çdo gjë, madje edhe pëshpëritjen më të vogël. Atij nuk mund t’i shmanget asnjë zë e të mos e dëgjojë. Ai dëgjon lutjen e nevojtarit, dhe të atij që i është bërë e padrejtë, dhe atë lutje nuk e kthen prapa pa e pranuar.
28. EL-BESIR – Vështruesi. Ai që sheh çdo gjë, dhe që mbikëqyr çdo gjë në këtë ekzistencë. Atë nuk e merr as gjumi e as kotja. Në Dorën (kujdesin) dhe vigjëlimin e Tij është tërë ekzistenca.
29. EL-HAKEM – Gjykuesi. Është gjykuesi më i drejtë që nuk i bën askujt të padrejtë në gjykimin e Tij.
30. EL-’ADL - i Drejti. Ai nuk ndikohet nga ndjenjat dhe emocionet që dikujt t’i bëjë padrejtësi. Drejtësia e Tij është absolute.
31. EL-LETIF - i Buti. Bëmirës ndaj robërve të Tij.
32. EL-HABIR - i Gjithinformuari, i Cili është i njohur dhe i dijshëm për çdo gjë që ka ndodhur dhe do të ndodhë. Është Ai i Cili i di të fshehtat dhe të hapurat, dhe është i informuar për çdo imtësi në këtë gjithësi.
33. EL-HALIM – Përdëllimtari. Ai që nuk ngutet për hakmarrje, është i dhimbshëm për robërit e Vet.
34. EL-ADHIM – Madhështori, Madhështia e të Cilit nuk mund të perceptohet kurrsesi nëpërmjet shqisave njerëzore. Askush nuk është i ngjashëm dhe i barabartë me madhështinë e Tij.
35. EL-GAFUR – Falësi. Ai që fal robërit e Tij dhe pranon pendimin e tyre.
36. ESH-SHEKUR – Mirënjohësi. Ai i Cili i shpërblen pa masë robërit e Vet të devotshëm me shpërblime, për hir të veprave të tyre të kryera në emër të Tij. Allahu është mirënjohës ndaj robërve të Tij, ani pse nuk ka nevojë për falënderimin e tyre.
37. EL-ALIJJ - i Larti. Allahu është i përsosur në madhështinë e Tij. I lartësuar me cilësitë e përhershme hyjnore që tregojnë mbizotërimin dhe madhështinë ndaj krijesave.
38. EL-KEBIR - i Madhi. Allahu është i përsosur në cilësitë e Tij. Kjo madhështi nënkupton se ai nuk ka nevojë për asnjë nga krijesat e Tij, por krijesat janë ato që i drejtohen Atij për çdo nevojë a kërkesë. Madhështia e Tij është e zhveshur nga çdo shëmbëllim me krijesat.
39. EL-HAFIDH – Ruajtësi. Allahu është Ai që ruan këtë gjithësi nga çrregullimet. Ruan të gjitha shënimet në dijen e Tij, e cila nuk mund të pësojë kurrë ndryshim e as shkatërrim. Dija e tij përfshin çdo gjë në këtë ekzistencë, sepse Ai ruan qiejt dhe Tokën të mos shkatërrohen deri në momentin që Ai e ka përcaktuar.
40. EL-MUKIT – Ushqyesi. Allahu është krijuesi i ushqimit, qoftë fizik, qoftë shpirtëror. Është Ai Qëi çdo krijese i ka caktuar ushqimin dhe furnizimin, pa dallim.
41. EL-HASIB – Llogarimarrësi. Ai i Cili do t’i marrë të gjitha krijesat për llogarinë. Mund të ketë edhe kuptimin se Ai ua plotëson krijesave të Tij të gjitha nevojat, dhe secilës krijesë i mjafton Allahu si Llogarimarrësi më i përsosur.
42. EL-XHELIL – Fisniku. Madhështori dhe i përsosuri në cilësitë e Tij. Dallimi ndërmjet emrit El-Xhelil dhe El-Kebir, është se El-Xhelil do të thotë i përsosur në cilësitë e Tij, kurse El-Kebir - i përsosur në Qenësinë e Tij, ndërsa emri El-Adhim përfshin që të dyja këto kuptime.
43. EL-KERIM – Bujari. Mirësitë e Tij nuk kanë të sosur, fisnikëria e Tij është e pashembullt. Ai, kur përcakton diçka, fal; kur të premton, e mban premtimin; kur të lutet, përgjigjet, jep dhe secilës krijesë i mjafton ajo që Allahu i dhuron nga bujaria e Tij.
44. ER-RREKIB – Vigjëluesi. Allahu është Ai i Cili mbikëqyr çdo proces në këtë ekzistencë. Vigjëlon pa ndërprerë në ligjet e kësaj gjithësie që Ai e krijoi. Në këtë vigjëlim nënkuptohet mbrojtja dhe kujdesi i Tij ndaj krijesave.
45. EL-MUXHIB – Lutjepranuesi. Mëshira e Tij i ka paraprirë hidhërimit të Tij, prandaj Ai i përgjigjet lutjes së atij që e thërret duke iu lutur me përultësi dhe devotshmëri.
46. EL-VASIU – Gjithëpërfshirësi. Dija dhe sundimi i Tij janë gjithëpërfshirës. Ato përshijnë Tokë e qiell dhe ç’ka në mes tyre. Po ashtu gjithëpërfshirëse është edhe mëshira e Tij.
47. EL-HAKIIM - i Urti. I zhveshur nga çdo veprim që nuk përkon me madhështinë dhe përsosmërinë e Tij. Me urtësinë e Tij hyjnore mbikëqyr dhe udhëzon krijesat.
48. EL-VEDUD - i Dashuri. Allahu i do krijesat e Tij, të cilat njohin madhështinë e Tij. Dashuria këtu nënkupton dy gjëra: Njëra prej tyre është se Allahu i do besimtarët dhe është i kënaqur ndaj tyre, kurse tjetra se edhe besimtarët e duan Allahun me zemrat e tyre, dhe kjo dashuri hyjnore i bën zemrat e tyre të mbushen me ekstazën e dashurisë hyjnore, gradë që mund ta arrijnë vetëm më të devotshmit.
49. EL-MEXHID - i Lavdishmi. Lavdia e Tij është e përjetshme. Ai është Fisnik dhe i Ndershëm. Ai nuk i bën askujt të padrejtë.
50. EL-BAITH – Ringjallësi. Në dorën e Tij është ringjallaja e të gjitha krijesave pas vdekjes, për të dhënë pastaj llogarinë për veprat e tyre para Tij, në Ditën e Ringjalljes (Gjykimit).
51. ESH-SHEHID – Dëshmuesi. Të cilit nuk mund t’i shmanget asnjë vepër e krijesave, pa qenë dëshmues dhe dëshmitar, dhe kjo nënkupton se Ai është i Gjithëdijshëm në madhërinë e Tij.
52. EL-HAKK - I Vërteti. Ai i Cili ka krijuar çdo gjë me Urtësinë e Tij të përsosur. Çdo gjë në këtë gjithësi, dëshmon për ekzistencën e Tij të vërtetë e të pamohueshme.
53. EL-VEKIL – Përkujdesësi. Ai i Cili përkujdeset për rrëskun dhe furnizimin e krijesave të Tij. Çdo krijesë mbështetet tek Ai për kujdesje dhe strehim pranë mëshirës së Tij.
54. EL-KAVIJJ - i Forti. Është Ai, për të Cilin nuk ka ndonjë pengesë, që të realizojë Vullnetin dhe përcaktimin e Vet. Është Ai që ka mundësi dhe forcë të plotë për të nënshtruar çdo gjë në këtë ekzistencë.
55. EL-METIN - i Pathyeshmi. Ai që nuk mund të mposhtet. Është i Gjithëfuqishëm i Cili në veprimet e Tij nuk ndien lodhje.
56. EL-VELIJJU – Mbrojtësi, Përkujdesësi, Ngadhënjimtari i Cili i do dhe i bën të ngadhënjejnë të dashurit e Tij ndaj çdo armiku. Atë që Allahu e merr në mbrojtje dhe përkujdesje, ai nuk mund të mposhtet kurrë.
57. EL-HAMID - i Falënderuari. I vetmi i Cili meriton falënderimin dhe lavdërimin nga çdo krijesë.
58. EL-MUHSI – Gjithënjohësi. Gjithpërfshirësi dhe i Gjithëdijshmi, të Cilit nuk mund t’i shpëtojë pa evidencuar asnjë proces, sado i vogël, në këtë gjithësi.
59. EL-MUBDI – Nismëtari. Është Allahu i Cili e krijoi këtë gjithësi nga mosekzitenca.
60. EL-MU’ID – Rikrijuesi. Është Ai Që rikrijon (ringjall) së dyti krijesat pas vdekjes. Me një fjalë, Allahu është Ai i Cili i rikthen krijesat pas jetës në vdekje dhe pas vdekjes në jetë.
61. EL-MUHJI – Jetëdhënësi. Ai i Cili i ringjall të gjitha krijesat dhe u jep jetë, pasi ato të jenë bërë hi e pluhur.
62. EL-MUMIT – Jetëmarrësi. Ai i Cili i vdes të gjitha krijesat, duke i ndarë shpirtrat nga trupat.
63. EL-HAJJ - i Gjalli. Ky është Allahu, i Gjallë në gjallërinë e Tij të përhershme, pa fillim dhe të përjetshme, pa mbarim.
64. EL-KAJJUM - i Përjetshmi. Të Cilit nuk i ka paraprirë mosekzistenca dhe është i përjetshëm e i Gjithmonshëm në sundimin e Tij.
65. EL-VAXHID – Kreatori i këtij Universi. Në dorën e Tij është sundimi, është i Plotfuqishëm për çdo gjë. Ai mbikëqyr çdo proces. Tek Ai nuk humb asnjë shënim.
66. EL-MAXHID - i Nderuari. Ai i Cili është i Ndershëm, Bujar e Fisnik. Ai i Cili shtrin mirësinë dhe bujarinë e Tij kudo.
67. EL-VAHID - i Vetmi. Allahu nuk ka shok në sundim. Ai nuk ka fëmijë, bashkëshorte e as rival në sundim. I Vetmi Sundues Absolut, të Cilit nuk mund t’i mvishet ndonjë mangësi.
68. ES-SAMED - Strehimtari. Është Ai, tek mëshira e të Cilit gjen strehim besimtari i përulur para madhështisë së Tij. Është Ai për të Cilin ka nevojë çdo krijesë, kurse Ai nuk ka nevojë për asnjë prej krijesave. Ai është Zotëria dhe Sunduesi i vetëm i Universit.
69. EL-KADIR - i Fuqishmi. I Vetmi Ngadhënjimtar, Fuqia e të Cilit nuk mund të krahasohet. Me fuqinë e Tij ka krijuar të gjitha krijesat.
70. EL-MUKTEDIR - i Gjithëmundshmi. I Cili realizon tërë atë që ka përcaktuar.
71. EL-MUKADDIM – Nismëtari, Përparësidhënësi. Është Allahu Ai Që sjell çdo send në vendin e vet të duhur. Përshpejton një gjë, kurse vonon një tjetër. I jep përparësi një gjëje ndaj tjetrës. P.sh. ka krijuar së pari Tokën dhe qiellin e pastaj ka përcaktuar rrëskun e krijesave në to. Ka zgjedhur e dalluar disa pejgamberë nga disa të tjerë, do të thotë u ka dhënë përparësi disave ndaj disa të tjerëve.
72. EL-MUEHHIR – Paslënësi. Ai i Cili vonon ndonjë dënim ose ndëshkim.
73. EL-EVVELU - i Pari. Atij nuk i ka paraprirë ekzistenca.
74. EL-AHIRU - i Fundit. Ai është i përjetshëm edhe pas shkatërrimit të gjithësisë dhe të krijesave të cilat i shpërndau në të.
75. EDH-DHAHIRU - i Dukshmi, me argumentet dhe Shenjat e Fuqisë së Tij mbi çdo gjë.
76. EL-BATINU - i Padukshmi. Atë nuk mund ta arrijnë shikimet e krijesave.
77. EL-VALI– Udhëheqësi. Ai Që kontrollon dhe mbikëqyr çdo gjë.
78. EL-MUTEALI - i Gjithëlartësuari. Është Ai i Cili është i zhveshur nga çdo përgjasim me krijesat. I Lartësuar është në Madhërinë e Tij. Madhështia e Tij nuk mund të krahasohet me asgjë.
79. EL-BERR – Mirëbërësi. Ai i Cili shtrin mirësinë dhe bereqetin ndaj robërve të Vet.
80. ET-TEVVAB – Pendimpranuesi. Allahu është Ai i Cili pranon pendimin e sinqertë nga robërit e Vet dhe i shlyen gabimet.
81. EL-MUNTEKIM – Ndëshkuesi. I Vetmi Që mund të ndëshkojë krijesat për mëkatet e bëra. I frikësohemi hidhërimit dhe ndëshkimit të Tij, për shkak të ashpërsisë dhe Madhështisë hyjnore të Tij. Ai është tek i Cili nga droja dhe lakmia shpresojmë mëshirën.
82. EL-AFUVVU – Mëkatfalësi. Ai që fshin gabimet dhe mëkatet. Ai që fal robërit e Tij pas pendimit.
83. ER-RREUF - i Dhembshuri. Mëshira dhe dhembshuria e Tij ndaj krijesave është gjithherë e pranishme. Ai kurrë nuk ka dëshirë të ndëshkojë dikë, përveç nëse mohuesit insistojnë në mëkate, atëherë dënimi i Tij nuk vonon.
84. MALIKUL-MULK – Pushtetmbajtësi. Ka fuqi dhe kontroll absolute mbi çdo gjë që krijoi. Vullneti i Tij realizohet në tërë atë që krijoi, ashtu siç dëshiron Ai. Nuk ka shmangie nga ajo që ka përcaktuar Ai.
85. DHUL-XHELALI VEL IKRAM - Atij i takon madhështia dhe nderi. I Vetmi absolut, i përsosur në cilësitë e Tij. Vetëm Atij i takon madhështia dhe nderi. Madhështia është në vetë Qenien e Tij. Është fisnik dhe i ndershëm ndaj krijesave të Tij.
86. EL-MUKSIT – Drejtësidhënësi. Është i drejtë në gjykimin e Tij. Ai nuk i bën të padrejtë askujt.
87. EL-XHAMIU – Tubuesi. Është Ai që i tubon të gjitha krijesat për të dhënë llogari para Madhërisë së Tij. Është Ai tek i Cili janë të tubuara dhe gjenden të gjitha cilësitë e përkryera.
88. EL-GANIJ - i Pasuri. Ai i Cili nuk ka nevojë për asgjë në Qenien e Tij, as në cilësitë e Tij e as në veprimet e Tij.
89. EL-MUGNI – Pasuridhënësi. Ai Që i jep mirësi e pasuri atij që do prej krijesave.
90. EL-MANI’U – Privuesi. Është Ai Që ndalon të këqijat dhe sprovimet duke e mbrojtur dhe ruajtur atë që do. Po ashtu është Ai Që privon dikë nga diçka me qëllim të ruajtjes së tij nga sprovat.
91. ED-DARRU – Dëmsjellësi. Me dëmin e Tij godet atë që do prej krijesave nëse ato janë mosmirënjohëse ndaj dhuntive të Tij.
92. EN-NAFI’U – Dobiprurësi. Në kompetenca të Tij është dobia, dhe i sjell të mira e dobi atij që do nga robërit e Vet.
93. EN-NUR – Drita. Allahu është dritë e qiejve dhe e Tokës. Ai i ndriçon zemrat e të sinqertëve me dritën e Tevhidit – Besimit. Me dritën dhe udhëzimin e Tij udhëzohen të udhëzuarit dhe të shpëtuarit.
94. EL-HADI – Udhëzuesi. Ai Që krijoi çdo gjë e pastaj i udhëzoi. Ai që udhëzohet nga udhëzimi i Tij, nuk mund të humbë, ndërsa ai që e humb Ai, nuk mund të gjejë udhëzues tjetër përveç Tij.
95. EL-BEDIU – Shpikësi. Krijuesi i ekzistencës nga mosqenia.
96. EL-BAKI - i Përhershmi. I Gjithmonshmi pa fillim dhe pa mbarim. Çdo gjë në këtë gjithësi do të zhduket e do të mbesë vetëm Allahu, i Përhershmi dhe i vetmi Mposhtës e Ngadhënjimtar.
97. EL-VARITH – Trashëguesi. I Përhershmi pas shkatërrimit të krijesave. Të Tij janë ç’ka në qiej e në Tokë. Zot i çdo gjëje.
98. ER-RESHID – Frymëzuesi. Udhëzuesi, I Urti. Është Ai i Cili frymëzon dhe me urtësi udhëzon krijesat tek ajo që u sjell dobi, e në veçanti robërit e Tij të devotshëm, të cilët udhëzohen me udhëzimin e Tij.
99. ES-SABUR – Durimtari. Është Ai Që nuk shpejton me dënim, por shikon, pret dhe vonon, e megjithatë ndëshkimit të Tij nuk mund t’i shmanget askush që e ka mohuar dritën e Tij dhe udhëzimin hyjnor.
Disa nga emrat e bukur të Allahut që nuk janë përmendur në Kur’an, por janë të përmendur në hadithet e Muhammedit a.s.
Mukal-libul kulub
Transmetohet nga Abdullah bin Omeri r.a. të ketë thënë: “Betimi i Pejgamberit a.s. ishte: “Jo, pasha Atë që i ndryshon zemrat” (Buhariu
El-Xhemil
Transmeton Abdullah ibn Mes’udi të ketë thënë:”Ka thënë i Dërguari i Allahut: “Nuk do të hyjë në Xhennet ai që në zemrën e tij ka edhe një grimcë mendjemadhësie” Atëherë një prej të pranishmëve tha: Njeriu ka dëshirë që rrobat dhe mbathjet e tij të jenë të bukura, për se Resulullahu tha: “Allahu është I Bukur dhe e do të bukurën, kurse mendjemadhësia është mosmirënjohja ndaj Allahut dhe nënçmimi i njerëzve” (Muslimi)
Subbuhun Kuddusun,
Transmetohet nga Aishja r.a. të ketë thënë: I Dërguari i Allahut në ruku thoshte: “Subbuhun Kuddusun, rabbul melaiketi verr-rruh” – “I Lartësuar në Madhëri dhe i Pastër (nga çdo e metë) është Allahu, Zot i melaikeve dhe i Xhibrilit” (Nesaiu)
Musarrriful kulub
Në Musnedin e Imam Ahmedit, transmetohet se i Dërguari i Allahut shpeshherë përsëriste: “Ja musarrifel kulub sarrif kulubena ala ta-atike”-“O ndryshues i zemrave, ndryshoji, ktheji zemrat tona në respektin dhe nënshtrimin ndaj Teje”.
El-Vitr
Transmetohet nga Ebu Hurejra të ketë thënë: Ka thënë Pejgamberi a.s.: “Allahu i ka nëntëdhjetë e nëntë emra, njëqind pa një, Ai është Tek dhe e do tekun. Ai që i numëron (mëson) këta emra të Tij, do të hyjë në Xhennet. Allahu është Ai, pos të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër, Ai është…”
Disa nga emrat e Allahut që nuk bën të përmenden ndarazi, veçse me emrin
tjetër përcjellës si:
El-Mu’ti - El-Mani’ë
Ed-Darr - En-Nafi’ë
El-Kabid – El Basit
El-Muizz - El-Mudhil-l
El-Hafid - Er-Rafi’ë
P.sh. Nuk mund të përdoren vetmas emrat “El-Mudhil-l”, “Ed-Darr”, apo “El-Hafid”, sepse nuk përkojnë me etikën e mirësjelljes sonë ndaj emrave të bukur të Allahut.
Apo nuk mund të ceket cilësia e hakmarrjes “Intikam” përveçse me ndonjë shtesë si p.sh. “Azizun Dhuntikam”-“Allahu është Fuqiplotë që ndërmerr masa ndëshkuese (hakmerret ndaj kriminelëve)” (Ibrahim, 47), ose “Inna minel muxhrimine muntekimun”- “Ne me siguri do të hakmerremi kundër kriminelëve”, (Es-Sexhde, 22)
Emra të tjerë të Allahut që nuk janë cekur në hadithin që e përcjell Tirmidhiu nga Ebu Hurejra, por janë të cekur në Kur’an:
Rabb, El-Muhit, El-Kadiir, En-Nesir, El-Ilah (Ilah), Esh-Shakir, El-Karib, El-Kaim, En-Nasir, El-Fatir, El-Kahir, Alimul gajbi vesh-shehadeh, Es-Sadik, El-Mustean, El-Galib, El-Haafidh, Esh-Shedid, El-Hal-lak, El-Kefil, El-Hafijj, El-Mubin, El-Kafi, El-Gafir, Dhul Arshi, Refiu-d-derexhat, Dhul Kuvveh, El-A’ëla, El-Ekrem, El-Ehad.
Literatura e shfrytëzuar:
1. Ebul Kasim Abdul Kerim en-Nisaburi el-Kushejri “Sherh Esmaullahil Husna”, Kajro 2001.
2. Ahmed Abdul Xhevad “Ve Lil-lahil Esmaul Husna fed’uhu biha” , Bejrut, Pa vit botimi
3. Muhammed Mutevel-li Esh-Sha’ravi “Esmaullahil Husna”, Kajro, 1993
4. Abdul Hamid Kishk “Esmaullahil Husna-ma’naha-fadluha-ed-dua’u biha”, Kajro 1990
5. Jasin Muhamed Rushdi “Huvallah”, Kajro 1991.
6. Muhamed bin Salih el Uthejmin “El-Kavaidul muthla fi Sifati-l-lahi ve Esmaihi el Husna”, Kajro, 2000
7. Muhammed Mutevel-li Esh-Sha’ravi “El-Akidetu fil-lah” vëll. 1-6, Kajro 2002

Dhulkarnejn- Forumist
- Numri i postimeve : 184
Points : 512
Reputation : 14
Data e Anëtarësimit : 02/02/2010
Similar topics
» Emrat e bukur të All-llahut
» Një hadith i bukur
» Foto shum e bukur
» Recitim i Bukur i Kuranit
» Egzistenca e Allahut
» Një hadith i bukur
» Foto shum e bukur
» Recitim i Bukur i Kuranit
» Egzistenca e Allahut
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi