Feja Islame
Es Selam Alejkum
Mirë se erdhët në Forumin islam! Me sa duket ende nuk jeni regjistruar.

Join the forum, it's quick and easy

Feja Islame
Es Selam Alejkum
Mirë se erdhët në Forumin islam! Me sa duket ende nuk jeni regjistruar.
Feja Islame
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Fetva për grupet e humbura

Shko poshtë

Fetva për grupet e humbura Empty Fetva për grupet e humbura

Mesazh nga Ebu Amar Thu Mar 11, 2010 11:57 pm

Fetva për grupet e humbura

Shejhu i Islamit Ahmed Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, në lidhje me thënien e Profetit, sal-Allahu alejhi ue selem: “Umeti im do të ndahet në shtatëdhjetë e tri grupe” u pyet: Cilat janë këto grupe dhe çfarë besimesh kanë ata? ( Mexhu'ul fetaua 3/345-358 )

Ai u përgjigj:

Falënderimi i takon Allahut!

Hadithi është i saktë e i njohur dhe ndodhet në Sunene, si në Sunenin e Ebu Daudit, të Tirmidhiut, të Nesaiut, etj. Teksti i tij i plotë është si vijon:

“Çifutët u ndanë në shtatëdhjetë e një grupe, nga të cilët të gjithë do të jenë në Zjarr, veç njërit grup. Të krishterët u ndanë në shtatëdhjetë e dy grupe, nga të cilët të gjithë do të jenë në Zjarr, veç njërit grup. Ky umet do ndahet në shtatëdhjetë e tre grupe, nga të cilët të gjithë do të jenë në Zjarr, veç njërit grup.”

Sipas një transmetimi, e pyesin Profetin sal-Allahu aleji ue selem : "Kush është Grupi i Shpëtuar, o i Dërguari i Allahut?" Ai u përgjigj: “Ata që ecin në udhën time dhe të shokëve të mi”. Sipas një transmetimi tjetër, ka thënë: “Ai është Xhemati*. Dora e Allahut është mbi Xhematin”. Kësisoj, thuhet që Grupi i Shpëtuar është Ehli Suneti dhe Xhemati, sepse ata përbëjnë shumicën (e muslimanëve).

Ndërsa për sa i përket grupeve të tjera, ata në vetvete janë të përçarë, ndjekin bidatet dhe dëshirat e tyre. Numri i secilit grup prej tyre as nuk mund t'i afrohet numrit të Grupit të Shpëtuar, e jo më të jenë sa ata, madje mund të jetë tepër i vogël. Parrulla e tyre është largimi nga Kurani, Suneti dhe ixhmai. Rrjedhimisht, ai që ecën në linjën e Kuranit, Sunetit dhe ixhmait është prej Ehli Sunetit dhe Xhematit.

Në lidhje me përcaktimin e këtyre grupeve dhe mendimet e tyre janë shkruar një mori librash. Megjithatë, të vendosësh gishtin mbi një grup të caktuar, duke e cilësuar atë si një prej shtatëdhjetë e dy grupeve (të Zjarrit) është e domosdoshme të kesh argument, sepse Allahu e ka bërë haram të folurën pa patur dituri në përgjithësi dhe pa patur dituri për Atë në veçanti. Allahu i Madhëruar thotë:

"Thuaj: Zoti im e ka ndaluar imoralitetin e hapur dhe të fshehtë, gjynahun, padrejtësinë, shirkun ndaj Allahut pa pasur argument dhe të flasësh për Allahun pa patur dituri."



"O ju njerëz, hani nga gjërat hallall dhe të mira që ndodhen në tokë, dhe mos ndiqni hapat e shejtanit se ai është armik i hapur për ju. Ai ju urdhëron vetëm për të këqija, imoralitet dhe që të thoni për Allahun atë që nuk i dini."



"Mos ndiq atë që nuk e di."



Gjithashtu, shumë njerëz i përcaktojnë këto grupe sipas hamendjeve dhe dëshirave të tyre, ndërsa grupin e vet, të themeluar nga personi që ata ndjekin, e quajnë ehli Suneti dhe xhemati. Çdokush që i kundërshton për ata është ndjekës i bidatit.

Megjitahtë, e gjithë kjo është humbje e qartë, sepse ndjekësit e të vërtetës dhe Sunetit nuk ndjekin askënd tjetër veç Profetit (sal-Allahu alejhi ue selem) i cili nuk fliste sipas dëshirës së vet, por thoshte çfarë i shpallej. Rrjedhimisht, vetëm ai duhet besuar për çdo gjë që ka thënë dhe vetëm atij duhet t'i bindesh për çdo gjë që ka urdhëruar. Këtë gradë nuk nuk mund ta ketë asnjë dijetar. Çdo njeriu mund t'i merret apo t'i lihet fjala, përveç Profetit, sal-Allahu alejhi ue selem. Kështu, cilido që ngre një person në gradën e Profetit sal-Allahu alejhi ue selem, duke quajtur si të Ehli Sunetit çdo njeri të cilin e do dhe e përkrah atë, dhe duke i vënë emrin bidatçi çdokujt që e kundërshton – siç veprojnë shumë prej atyre që ndjekin verbërisht dijetarët për çështjet e fesë – në të vërtetë, ai është vetë bidatçi, i humbur dhe përçarës.

Në këtë mënyrë, kuptohet se njerëzit të cilët e meritojnë më shumë të jenë grupi i shpëtuar janë ndjekësit e hadithit dhe Sunetit, të cilët nuk ndjekin dhe nuk tregohen fanatikë për askënd tjetër veç Profetit, sal-Allahu alejhi ue selem. Ata i njohin fjalët dhe veprat e tij më mirë se çdokush tjetër.

Ata i dallojnë hadithet e sakta nga ato që janë të pasakta më mirë se çdokush tjetër. Dijetarët e tyre i kuptojnë dhe i njohin mirë hadithet. Ata i zbatojnë ato më mirë se çdokush tjetër, duke i besuar, duke vepruar siaps tyre dhe duke i dashur ato. Ata përkrahin ata që i duan dhe urrejnë ata që i urrejnë hadithet profetike.

Çdo fjalë njerëzish të pa qartë ata e masin me Kuranin dhe Sunetin. Për ata asnjë prej këtyre fjalëve nuk mund të merret si parim themelor i fesë, nëse nuk është transmetuar me saktësi nga Profeti, sal-Allahu alejhi ue selem. Përkundrazi, ata konsiderojnë si parime themelore të fesë, – të cilat është detyrë të besohen dhe të zbatohen – vetëm çfarë gjendet në Kuran dhe Sunet.

Çdo çështje rreth së cilës njerëzit kanë kundërshtime ata e peshojnë me anë të Kuranit dhe Sunetit, si për shembull, çështjen e kaderit, meritimit të dënimit, termave të ndryshme, urdhrit për të mira dhe ndalimit nga të këqijat etj.

Ata i sqarojnë çështjet e paqarta për të cilat kundërshtohen grupet e humbura. Nëse ato janë në përputhje me Kuranin dhe Sunetin, i pranojnë, e nëse janë në kundërshtim me Kuranin dhe Sunetin, i hedhin poshtë.

Ata nuk ndjekin hamendjen dhe as dëshirat, sepse ndjekja e hamendjes është injorancë kurse ndjekja e dëshirave – pa iu përmbajtur udhëzimit të Allahut – është padrejtësi. E gjithë e keqja është tek injoranca dhe padrejtësia. Allahu i Madhëruar thotë: "… atë e mbajti njeriu; ai është i padrejtë dhe injorant." Më pas (Allahu) përmend teuben, sepse Ai e di që njeriu do bjerë patjetër në padrejtësi dhe në injorancë. Mirëpo Allahu ia pranon teuben kujt të dëshirojë. Kjo është arsyeja që besimtari gjithmonë mëson gjëra që nuk i di dhe gjithmonë largohet prej veprave që kanë qenë në fakt padrejtësi. Padrejtësia më e rëndë është ajo që njeriu i bën vetes së tij, siç thotë Allahu i Madhëruar:

"Allahu është përkrahës i atyre që kanë besuar, i nxjerr ata nga errësira në dritë."



"Ai i zbret robit të Tij argumente të qarta, që t’ju nxjerrë ju prej errësirave në dritë".



"Elif Lam Ra. Ky është një libër që ta kemi zbritur për t’i nxjerrë njerëzit nga errësirat në dritë."

Duhet ditur gjithashtu se grupet të cilat ndjekin me fanatizëm një person (veç Profetit a.s.) në çështjet e fesë dhe akides janë në grada të ndryshme. Disa prej tyre e kundërshtojnë Sunetin në çështje të mëdha, ndërsa disa në çështje të vogla. Ata që i kthejnë përgjigje këtyre grupeve, por që vetë janë më afër Sunetit se ata, janë të falënderuar për të pavërtetën që kundërshtojnë dhe për të vërtetën që thonë. Mirëpo ndodh që disa e kalojnë kufirin e drejtësisë gjatë përgjigjes, duke mohuar ndonjë të vërtetë ose duke pohuar ndonjë të pavërtetë. Kësisoj ata kundërshtojnë bidatin e madh me një bidat më të lehtë ose largojnë një të kotë duke sjellë në vend të saj një të kotë tjetër, por më të vogël. Kjo është gjendja e shumicës së atyre që ndjekin ilmul kelamin dhe që njëkohësisht i përkasin Ehli Sunetit dhe Xhematit. Këta njerëz nëse nuk i konsiderojnë si çështje themelore idetë që shpikin vetë e që janë në kundërshtim me Xhematin e muslimanëve, dhe nëse nuk përkrahin e urrejnë njerëzit në bazë të atyre ideve, ata quhen se kanë rënë thjesht në një gabim (pa dashje). Allahu ua fal besimtarëve gabimet në raste të tilla. Në gjëra të tilla kanë rënë shumë prej të parëve dhe dijetarëve të umetit. Kështu ata kanë shprehur disa ide personale sipas diturisë që kanë patur, por që kanë qenë në kundërshtim me Kuranin dhe Sunetin. Gjithsesi, ata nuk kanë qenë si puna e atyre që përkrahin çdo njeri që ua pohon mendimet dhe që urrejnë çdo njeri që nuk ua pohon mendimet, duke përçarë kështu xhematin e muslimanëve. Këta të dytët mund të arrijnë deri aty saqë i quajnë qafirë ose fasikë ata që i kundërshtojnë në mendime, për sa i përket çështjeve të ixhtihadit, dhe e lejojnë vrasjen e atyre që i kundërshtojnë. Këta janë ata që sjellin përçarjen.

Të parët bidatçinj që u larguan nga xhemati i muslimanëve ishin hauarixhët. Hadithi i Profetit (sal-Allahu alejhi ue selem) që flet për hauarixhët është i saktë dhe është transmetuar nga dhjetë rrugë, të cilat i ka treguar Muslimi në Sahihun e tij. Ndërsa Buhariu ka përmendur vetëm disa prej tyre. Shokët e Profetit (sal-Allahu alejhi ue selem) me prijësin e besimtarëve Ali Ibn Ebi Talibi, radij-Allahu anhu, i luftuan këta njerëz Ata nuk patën kundërshtime për luftën kundër tyre, siç patën në fitnen e betejës së Devesë apo të Sifinit, kundrejt të cilave ata u ndanë në tri grupe. Dy grupe luftuan me njëri-tjetrin dhe një i tretë u largua nga lufta, e argumentet mbështesin largimin nga lufta.

Hauarixhët u shkëputën nga xhemati i muslimanëve, prandaj ata i konsideruan mosbesimtarë ( muslimanët ) dhe e bënë hallall vrasjen e tyre, siç na ka treguar Profeti (sal-Allahu alejhi ue selem) siç është hadithi:

“Ju do ta nënvleftësoni namazin tuaj në krahasim me namazin e tyre, agjërimin tuaj me agjërimin e tyre dhe këndimit tuaj të Kuranit para këndimit të tyre. Ata e këndojnë Kuranin, por ai këndim nuk ua kalon fytin (d.m.th nuk u hyn në zemër dhe nuk e kuptojnë atë). Ata kanë për të dalë nga feja ashtu siç del shtiza prej harkut. Kudo që t’i ndeshni vritini, se ai që i vret do të ketë shpërblim tek Allahu Ditën e Gjykimit.”



I pari i hauarixhëve ishte ai që kundërshtoi Profetin sal-Allahu alejhi ue selem. Ky njeri, kur pa ndarjen e plaçkës që po bënte Profetit (sal-Allahu alejhi ue selem), tha: "O Muhamed, tregohu i drejtë, se ti nuk po mban drejtësi. Profeti (sal-Allahu alejhi ue selem) i tha: "Ti je i shkatërruar dhe i humbur, nëse unë nuk mbaj drejtësi!" Një sahab tha: "O Dërguari i Allahut, më lejo t'ia heq kokën këtij munafiku!" Profeti (sal-Allahu alejhi ue selem) i tha: "Si lloji i këtij do dalin njerëz të tjerë më vonë. Ju do nënvleftësoni namazin tuaj para namazit të tyre, agjërimin tuaj para agjërimit të tyre dhe këndimit tuaj të Kuranit para këndimit të tyre …"

Kështu fillimi i bidateve ishte cenimi i Sunetit me hamendje dhe duke ndjekur dëshirat, njëlloj siç veproi Iblisi me urdhrin e Zotit të Tij, duke e kundërshtuar për hir të mendimit dhe dëshirave personale.

Njeriu më i hershëm që ka folur për grupet e humbura, sipas asaj që na ka mbërritur është Jusuf Ibn Esbati e pas tij Abdullah Ibnul Mubareku, të cilët janë dy dijetarë të mëdhenj. Ata kanë thënë: Katër janë burimet e bidatit: rafiditë, hauarixhët, kaderitë dhe murxhitë. Ibnu Mubarekun e pyetën: "Po xhehmitë?" Ai u përgjigj: "Ata nuk janë pjesë e umetit të Muhamedit (sal-Allahu alejhi ue selem) ." Ai ka thënë gjithashtu: "Ne mund t'ju tregojmë çfarë kanë thënë çifutët dhe të krishterët, por nuk mund t'ju tregojmë çfarë thonë xhehmitë (ngaqë fjalët e tyre janë mjaft të shëmtuara)." Me këtë mendim ecën edhe një grup dijetarësh – nxënës të imam Ahmedit, e të tjerë. Ata kanë qenë të mendimit se xhehmitë janë mosbesimtarë, prandaj nuk hyjnë në shtatëdhjetë e dy grupet, njëlloj siç nuk hyjnë sabotuesit e Islamit (zindik), të cilët fshehin kufrin dhe shfaqin besimin. Ndërsa disa dijetarë të tjerë, po nxënës të imam Ahmedit, – por jo vetëm këta – kanë thënë se "xhehmitë janë pjesë e shtatëdhjetë e dy grupeve", prandaj burimet e bidatit për këta janë pesë. Në bazë të këtij mendimi, prej secilit grup burimor rrjedhin katërmbëdhjetë grupe të tjera, kurse nëse mbështetemi te mendimi i parë, atëherë prej tyre rrjedhin tetëmbëdhjetë grupe.

Kjo çështje varet nga përgjigja e një pyetje tjetër: a janë bidatçinjtë mosbesimtarë? Për këtë arsye, ata që përjashtojnë xhehmitë prej grupeve burimore të bidatit nuk i vlerësojnë si qafira grupet e tjera, por i konsiderojnë si grupe që u kanoset dënimi i Zjarrit, siç janë edhe të gjithë gjynahqarët dhe fasikët. Ndërsa thënia e Profetit (sal-Allahu alejhi ue selem): “Ata janë në Zjarr” do të thotë që ata mund të dalin një ditë nga Zjarri, siç do të ndodhë me të gjithë gjynahqarët, si p.sh. me përfituesit e padrejtë nga pasuria e jetimit etj, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Ata që hanë pasurinë e jetimëve nuk fusin gjë tjetër në bark veç zjarrit.”

Ata që i fusin xhehmitë tek grupet burimore ndahen në dy mendime.

Disa i quajnë si qafirë të gjithë grupet humbura. Por ky është mendim i disa njerëzve të ditur të kohëve të vonshme, të cilët i përkasin ndonjë grupimi (që e vetëemërtohen me emrat e imamëve të tyre) ose atyre që merren me ilmul kelam.

Ndërsa selefët dhe dijetarët nuk kanë patur kundërshtime në faktin se murxhitë dhe shiitët, të cilët thonë që Aliu radi-Allahu anhu është më i mirë se Othmani radi-Allahu anhu, nuk janë mosbesimtarë. Edhe fjalët e imam Ahmedit përputhen me këtë mendim, megjithëse disa shokë të tij kanë treguar se gjoja imam Ahmedi në disa raste i ka quajtur mosbesimtarë të gjithë bidatçinjtë, e në disa raste jo. Madje disa prej tyre kanë thënë që ata do të jenë të përjetshëm në Zjarr. Por ky është veçse një gabim që i mvishet imam Ahmedit. Një gjykim i tillë është gjithashtu gabim sipas Islamit.

Disa të tjerë nuk kanë gjykuar si qafirë asnjë grup të humbur, duke i krahasuar kështu me gjynhaqarët. Ata thonë: Ashtu siç është parim themelor i Ehli Sunetit që njerëzit nuk quhen qafirë për shkak të gjynaheve, po ashtu nuk bëhen qafirë për shkak të bidateve.

Nga selefët dhe dijetarët transmetohet se ata kanë gjykuar si qafirë xhehmitë e kulluar, të cilët mohojnë cilësitë e Allahut. Domethënia e vërtetë e fjalëve të tyre është se Allahu nuk flet, nuk shikon, nuk është i ndarë nga krijesat, se Ai (sipas tyre) nuk ka dije dhe as fuqi! Ai nuk dëgjon, nuk shikon dhe as nuk është i gjallë! Kurani është i krijuar. Banorët e Xhenetit nuk kanë për ta parë Atë, njëlloj sikurse banorët e Zjarrit e të tjera ide si këto.

Ndërsa për hauarixhët dhe rafiditë, dijetarë si Ahmedi e të tjerë kanë patur mospajtime.

Për sa i përket kaderive që mohojnë shkrimin (e gjërave para se të ndodhin) dhe dijen e Allahut për çdo gjë, ata i kanë vlerësuar si qafirë, kaderitë që e pohojnë dijen e Allahut por nuk pranojnë që Allahu i ka krijuar veprat e robërve nuk i kanë bërë qafirë.



Kjo temë kuptohet nëse sqarohen dy çështje:



Çështja e parë. Duhet ditur se mosbesimtarë që falin namaz janë vetëm hipokritët, sepse Allahu që kur dërgoi Profetin (sal-Allahu alejhi ue selem), që kur i zbriti Kuranin dhe kur Profeti (sal-Allahu alejhi ue selem) shkoi në Medinë, njerëzit u ndanë në tri grupe: (1) besimtarë, (2) jobesimtarë që e shfaqnin mosbesimin e tyre dhe (3) hipokritë që e fshihnin mosbesimin. Këto grupe Allahu i ka përmendur në fillim të sures Bekare, ku cilësitë e besimtarëve i ka përshkruar në katër ajete, të jobesimtarëve në dy ajete dhe të hipokritëve në mbi dhjetë ajete.

Allahu i ka pranëvënë mosbesimtarët dhe hipokritët në disa ajete, si p.sh.:

"…mos iu bind jobesimtarëve dhe hipokritëve"

"Allahu do t’i bashkojë tok hipokritët me jobesimtarët në Xhehenem"

"Sot nuk pranohet prej jush shlyerje dhe as prej atyre që kanë mohuar.”

Allahu i ka përmendur ata bashkë me jobesimtarët, ngaqë në realitet, edhe pse dallohen prej tyre duke shfaqur Islamin, në brendësi ata janë më të këqij se mosbesimtarët, siç thotë Allahu i Madhëruar:

"Hipokritët janë në shkallën më të poshtme të Zjarrit."

"Mos ia fal namazin (e xhenazes) asnjërit prej tyre kur të vdesë, dhe mos u qëndro tek varri, sepse ata mohuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij"

"Thuaj: “Shpenzofshi me dëshirë ose pa dëshirë, përsëri juve nuk ju pranohet, sepse ju jeni njerëz fasikë.” Ajo çfarë i bëri sadakatë e tyre të mos pranoheshin ishte se ata mohuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe se kur ngriheshin për t’u falur, ngriheshin me përtaci e kur shpenzonin, shpenzonin pa dëshirë.”

Në radhët e bidatçinjve ka hipokritë dhe sabotatorë, e këta janë qafirë. Këta i gjen me shumcë tek rafiditë dhe xhehmitë, sepse krerët e tyre ishin hipokritë dhe zindikë. I pari që sajoi sektin e rafidive ishte hipokrit, po i tillë ishte edhe sajuesi i sektit të xhehmive. Për këtë arsye, hipokritët, sabotuesit tinëzarë (kerami) dhe filozofët i duan rafiditë dhe xhehmitë, sepse janë afër njëri-tjetrit .

Ka bidatçinj besimtarë, me zemër dhe vepra, por janë injorantë dhe bëjnë padrejtësi, prandaj e kundërshtuan Sunetin. Këta nuk janë mosbesimtarë dhe as hipokritë, megjithëse mund të bëjnë padrejtësi dhe mund të mbajnë armiqësi (ndaj muslimanëve). Këto vepra i bëjnë ata gjynahqarë dhe fasikë. Por nga ata mund të kenë edhe thjesht gabimtarë, që mund të kenë kuptuar gabim ndonjë çështje, gjë që u falet. Ka prej tyre që, pavarësisht nga këto, mund të kenë shumë besim dhe devotshmëri, aq sa mund të kenë arritur edhe gradën e velijut, për shkak të besimit dhe devotshmërisë që kanë pasur. Kjo ishte për sa i përket kriterit të parë.



Çështja e dytë: Këto qëndrime mund të jetë mohime, si: mohimi i namazit, i zekatit, i agjërimit, i haxhit të detyruar, por mund të jetë edhe lejime, si: lejimi i imoralitetit, i pijeve alkoolike, bixhozit ose martesës me të afërmit. Ai që mban të tilla qëndrime mund të jetë injorant që nuk i njeh argumentet, prandaj nuk mund të bëhet qafir. Kështu p.sh. mund të jetë ai që është i ri në fe ose dikush që ka jetuar në një vend të largët ku nuk ka patur mundësi të mësojë normat e Islamit. Këta njerëz, nëse nuk e dinë se këto i përkasin Islamit, nuk quhen jobesimtarë, edhe pse mund të mohojnë ndonjë gjë që i ka zbritur Profetit (sal-Allahu alejhi ue selem).

Fjalët e xhehmive janë nga ky lloj, sepse ato janë mohim i asaj që i takon Allahut dhe i asaj që Allahu i zbriti Profetit të Tij (sal-Allahu alejhi ue selem).



Fjalët e xhehmive janë të rënda në tri aspekte:

1. Argumentet që i hedhin poshtë fjalët e tyre janë të shumta dhe të njohura në Kuran Sunet dhe ixhma. Por ata i nuk i pranojnë, duke i shtrembëruar faktet.

2. Sepse fjalët e tyre në thelb nënkuptojnë mohimin e Krijuesit. Megjithatë, ka prej tyre që nuk e dinë që ky është kuptimi i vërtetë i fjalëve që thonë. Ashtu si thelbi i besimit është besimi në Allahun, edhe kufri është mohimi i Allahut.

3. Ata kundërshtojnë çështjet për të cilat pajtohen të gjitha fetë dhe të gjithë njerëzit me natyrë të pastër. Por mjaft ide të tyre mund të mos jenë të qarta për shumë besimtarë, aq sa mund të pandehin se ato grupe thonë të vërtetën, për shkak të dyshimeve që fusin. Sidoqoftë ata janë përsëri besimtarë në Allahun dhe të Dërguarin e Tij (sal-Allahu alejhi ue selem) me zemër dhe vepra, por nuk arrijnë të dallojnë këto çështje, siç nuk arritën edhe bidatçinj të tjerë. Këta nuk janë jobesimtarë. Nga ata mund të ketë fasikë, gjynahqarë, disa mund të jenë thjesht gabimtarë, e disa prej tyre mund të kenë aq shumë besim dhe devotshmëri saqë mund të arrijnë edhe gradën e e evlijave.

Thelbi i parimit të Ehli Sunetit, i cili i ndan ata nga hauarixhët, xhehmitë, mu'tezilët dhe murxhitë është se besimi ndryshon dhe pjesëzohet, siç thotë Profeti (sal-Allahu alejhi ue selem):



“Nga Zjarri do të dalin edhe ata që kanë në zemër qoftë edhe një thërrmijë besim.”



Kështu që edhe afërsia tek Allahu është me grada dhe ndryshon në varësi të besimit.



Thelbi i parimit të hauarixhëve është se ata e gjykojnë si qafir atë që bën një gjynah dhe mendojnë për disa veprime se janë gjynahe, por që në fakt nuk janë të tilla. Ata e besojnë se Kurani duhet ndjekur, ndërsa Suneti duhet ndjekur vetëm kur nuk bie në kundërshtim me kuptimet sipërfaqësore të Kuranit, edhe pse mund të jenë muteuatire. Ata e quajnë qafir atë që i kundërshton dhe e konsiderojnë të lejuar vrasjen e tij, për shkak se mendojnë se një njeri i tillë ka braktisur fenë, gjë që nuk e bëjnë edhe me mosbesimtarët e lindur. Profeti (sal-Allahu alejhi ue selem) thotë:

"Ata vrasin muslimanët dhe lënë mosbesimtarët.”

Prandaj ata bënë mosbesimtarë Uthmanin, Aliun dhe ndjekësit e tyre, si dhe ata që morën pjesë në luftën e Sifinit, e ide të tjera të këqija si këto.

Thelbi i parimit të rafidhave është se besimi i tyre se Profeti (sal-Allahu alejhi ue selem) e shprehu qartë se askush nuk nuk mund të ketë justifikim që të mos e besojë se Aliu është drejtues (pas tij) i pagabueshëm. Kush e kundërshton këtë parim ka bërë kufër. Ndërsa muhaxhirët dhe ensarët e fshehën këtë "hadith" (sipas tyre), e mohuan drejtuesin e pagabueshëm, ndoqën dëshirat e veta, e ndryshuan fenë dhe bënë padrejtësi. Ata arritën deri aty sa thanë se “të gjithë (sahabët) dolën nga feja, veç një pakice me një numër mbi dhjetë veta. Ata kanë gjithashtu thonë se Ebu Bekri dhe Umeri kanë qenë munafikë, ose që kanë besuar në fillim pastaj mohuan .

Shumica e tyre i bënjë qafirë të gjithë kundërshtuesit e ideve të tyre . Ata e quajnë veten besimtarë, kurse kundërshtuesit e tyre i quajtën mosbesimtarë. Ata i konsiderojnë vendet islame ku nuk mbizotërojnë idetë e tyre si vende kufri dhe si vende më të këqija se ato të mushrikëve dhe të krishterëve. Për këtë arsye ata përkrahin çifutët, krishterët dhe mushrikët në armiqësinë dhe luftën kundër muslimanëve . Kjo është e njohur tek ata.

Prej tyre ka dalë nëna e hipokrzisë dhe kufrit, siç është hipokrizia e karamitëve (që fshehin akiden e tyre) etj. Nuk ka dyshim se ata janë grupi më i largët nga Kurani dhe Suneti, prandaj edhe nga njerëzit e thjeshtë ata njihen për kundërshtimin e Sunetit. Shumica e njerëzve të thjeshtë nuk njohin kundërshtar tjetër të sunitëve veç rafidëve. Kjo është arsyeja që, kur ndonjëri thotë “unë jam suni” ka për qëllim të thotë “nuk jam rafidi”. Nuk ka dyshim se ata janë më të këqinj se hauarixhët.

Hauarixhët në fillim të Islamit i zhveshën shpatat kundër muslimanëve. Megjithatë, përkrahja që këta u bëjnë qafirëve është më e rëndë se shpatat e hauarixhëve, sepse keramitët, ismailitët etj. njëlloj si ata që i luftojnë muslimanët, u përkasin atyre (rafidive). Ndërsa hauarixhët janë të njohur për sinqëritët në fjalë. Ndërsa rafiditë janë të njohur për gënjështra. Hauarixhët dolën nga rruga e Islamit, kurse këta e braktisën Islamin plotësisht.

Ndërsa kaderitë e kulluar janë shumë herë më të mirë se këta dhe shumë të afërt me Kuranin dhe Sunetin. Mu'tezilët dhe kaderi të tjerë janë gjithashtu edhe xhehmije, prandaj ka mundësi që edhe këta ta bëjnë qafir atë që i kundërshton dhe ka mundësi të lejojnë vrasjen e muslimanëve, kështu rrjedhimisht janë afër atyre.

Ndërsa murxhitë nuk janë pjesë e këtyre bidateve të rënda. Murxhi kanë qenë edhe një grup i atyre që u morën me fikh e me adhurim, prandaj konsideroheshin si të Ehli Sunetit dhe Xhematit. Bidati i tyre u bë më i rëndë kur i shtuan disa ide të këqija.

Meqënëse disa njerëz të njohur kishin idenë e murxhive dhe të atyre që thoshin se Aliu ishte më i mirë se Ebu Bekri Umeri dhe Othmani, atëherë dijetarët e Sunetit folën kundër murxhive dhe atyre që thonë se Aliu është më i mirë se Ebu Bekri Umeri dhe Uthmani, me qëllim që njerëzit të largoheshin nga këto ide. Kështu, Sufjan el Theuri thotë:

“Çdokush që i jep përparësi Aliut ndaj Ebu Bekrit, Omerit dhe Othmanit i ka nënvleftësuar muhaxhirët dhe ensarët, dhe unë besoj se tek Allahu nuk i ngjitet asnjë punë e mirë për shkak të kësaj gjëje ose edhe të ngjashme me të.” Ai u shpreh kështu kur mori vesh se atë mendim e kishte një dijetar i Kufës. Po kështu edhe Ejub el Sehtijanit thotë: "Kush i jep përparësi Aliut para Uthmanit ka nënvleftësuar muhaxhirët dhe ensarët.” Ai e tha këtë gjë kur mori vesh të njëjtën gjë (që kishte dëgjuar edhe Sufjani). Është transmetuar se ai që thoshtë ato fjalë hoqi dorë prej tyre. Kanë folur kundër murxhive edhe Theuriu, Maliku, Shafiu etj. kur morën vesh se disa njerëz të njohur kishin këtë ide.

Fjala e imam Ahmedit për këtë temë është në përputhje me fjalët e dijetarëve të udhëzuar që qenë para tij. Ai nuk sajoi asnjë fjalë (apo ide) të re, por ai vetëm shfaqi hapur Sunetin. Ai e mbrojti atë, u tregoi njerëzve cilësitë e kundërshtuesve të tij, luftoi për të, bëri durim kundrejt mundimeve dhe bidatëve ndaj Sunetit. Allahu i Madhëruar kë thënë :

"Prej tyre Ne bëmë prijës (feje) që drejtojnë (njerëzit) me anë të udhëzimit Tonë, ngaqë u treguan të duruar dhe ishin të sigurt në argumentet Tona."

Parësia në fe arrihet nëpërmjet durimit dhe sigurisë. Ngaqë ai (imam Ahmedi) i kishte këto veti, emri i tij iu bashkangjit Sunetit. Për këtë arsye, ai u bë shumë i njohur dhe shembull për brezat pasardhës, ashtu siç qe ai vetë ndjekës i paraardhësve të tij, sepse Suneti i vërtetë është ai që sahabët e morën nga Profeti (sal-Allahu alejhi ue selem), prej tyre e morën tabi'inët, e më pas ndjekësit e tyre, deri Ditën e Gjykimit. Megjithatë, disa mund ta njohin më mirë dhe mund të durojnë më shumë për hir të këtij Suneti.

Allahu e di më mirë.
Ebu Amar
Ebu Amar
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 320
Points : 894
Reputation : 2
Data e Anëtarësimit : 08/01/2010
Vendndodhja: : Në tokën e Allahut

http://www.feja-islame.albanianforum.net

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi