Feja Islame
Es Selam Alejkum
Mirë se erdhët në Forumin islam! Me sa duket ende nuk jeni regjistruar.

Vëllazëria në Islam

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë

Vëllazëria në Islam

Mesazh nga Peace to you prej Sun Mar 07, 2010 12:41 am

Vëllazëria në Islam
Me emrin e Allahut të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimi i takon vetëm Allahut, që me anë të Muhamedit solli dritën dhe fenë e vërtetë, udhëzoi me anë të tij njerëzit dhe ua hapi atyre sytë, i bashkoi pasi ishin të përçarë, i bëri miq pasi ishin armiq.
E falënderojmë Allahun që na urdhëron ne, besimtarëve, ta duam njëri-tjetrin dhe ta forcojmë gjithnjë besimin duke forcuar dashurinë për njëri-tjetrin.
O njerëz, kijeni frikë Allahun, përmbajuni urdhrave të Tij dhe urdhrave të të Dërguarit të Tij, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të arrini lumturinë e vërtetë.

Vëllazëria për hir të Allahut të Madhërishëm është binjaku i besimit. Siç na ka njoftuar edhe Pejgamberi i Allahut, Muhamedi salallahu alejhi ue selem, nuk konsiderohet se ka besuar plotësisht dhe se është besimtar i plotë ai i cili nuk e do për vëllanë e tij atë që do për vetveten.
Vëllazëria për hir të Allahut Fuqiplotë është mesazhi madhor i Islamit për zemrat e gjalla dhe të mbushura me besim. Përmes këtij mesazhi u vëllazëruan muslimanët e parë të umetit, muhaxhirët me ensarët, Bilali etiopian e Selmani persian me mekasit e medinasit. U vëllazëruan, edhe pse nuk kishin lidhje gjaku mes tyre. Me anë të vëllazërisë, bota i hapi zemrën Islamit pa armë, duke bërë që njerëzit të futen në fenë e Zotit grupe-grupe.
Vëllazëria është një ndjenje që të bën ta duash të mirën për të gjithë njerëzit. Ajo që e vë në lëvizje atë, është pastërtia e zemrës. Mbi këtë pastërti ngrihen të gjitha kauzat e drejta, të cilat nuk lëkunden as nga stuhitë dhe as nga furtunat.

Vëllazëria e vërtetë është peshorja e drejtësisë që qëndron gjithmonë e vendosur, edhe atëherë kur fillojnë grindjet dhe debatet mes vëllezërve, duke bërë që ndjenjat e dashurisë të marrin rrugën e tyre dhe vëllai ta falë vëllanë e tij, duke lënë mënjanë gabimet dhe rrëshqitjet e momentit, madje edhe ato të rënda, duke i kërkuar falje Allahut të Madhërishëm për veten dhe për vëllezërit e tij.

Vëllazëria është këshillim dhe qëndrim pranë njëri-tjetrit në një dynja, litarët e së cilës janë të shkurtër dhe kanë nevojë për litarin e Allahut të Madhërishëm. Prandaj, vëllazëria mund të ekzistojë vetëm nëse kapemi fort pas litarit të Allahut të Madhërishëm, drejt së mirës dhe në rrugë të Allahut.

Thotë Allahu i Lartësuar: “Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kuranin) e Allahut, e mos u përçani! Përkujtojeni nimetin e Allahut ndaj jush, kur ju (para se ta pranonit fenë islame) ishit të armiqësuar, e Ai i bashkoi zemrat tuaja dhe ashtu me dhuntinë e Tij aguat të jeni vëllezër. Madje ishit në buzë të greminës së xhehenemit e Ai ju shpëtoi prej tij. Po kështu Allahu ua sqaron juve argumentet e Veta, që ju ta gjeni të vërtetën e lumtur.” (Ali Imran: 103)

“S'ka dyshim se besimtarët janë vëllezër, pra bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj dhe kini frikë Allahun, që të jeni të mëshiruar (nga Zoti).” (Huxhurat: 10)

I Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja e Allahut dhe bekimi i Tij qofshin mbi të, ka thënë: "Mos kini smirë për njëri-tjetrin, mos mashtroni, mos urreni njëri-tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit dhe mos ndërhyni në shitblerjen e njëri-tjetrit. Jini vëllezër, siç i ka hije robërve të Allahut. Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën padrejtësi, nuk e lë në baltë, nuk e gënjen dhe nuk e përçmon atë. Devotshmëria është këtu (e tha këtë tri herë, duke bërë me shenjë nga zemra e tij). Për një njeri është shumë keq që ta përçmojë vëllanë e tij musliman." Marrë nga Muslimi.

Në një hadith tjetër ai thotë: "Atij që i largon muslimanit një brengë, Allahu ia largon brengën Ditën e Kiametit; Atij që i mbulon muslimanit një të metë, Allahu do t’ia mbulojë Ditën e Kiametit."

Ebu Derda kumton se i Dërguari i Allahut, paqja e Allahut dhe bekimi i Tij qofshin mbi të, ka thënë: "Kur muslimani lutet për vëllanë e tij, pa ditur gjë (ky i fundit), lutja pranohet. Tek koka e lutësit qëndron një engjëll i ngarkuar të thotë, pas çdo lutejeje të mirë për vëllanë musliman, ‘Amin, të dhëntë Allahu edhe ty të njëjtën gjë!" Kumtoi Muslimi.

Në një hadith Muhamedi, paqja e Allahut dhe bekimi i Tij qofshin mbi të, porosit ata që janë grindur me njëri-tjetrin dhe thotë: "Nuk i lejohet askujt që të mbajë mëri me vëllanë e tij, më shumë se tri ditë. Më i mirë prej tyre është ai që e përshëndet i pari tjetrin (i jep selam)."

Në një hadith, i Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja e Allahut dhe bekimi i Tij qofshin mbi të, porosit njërin prej shokëve të tij (Ebu Ejubin): "Të të tregoj një tregti të suksesshme?" – "Po", - ia ktheu Ebu Ejubi. "Nëse dy vetë janë të grindur, - vazhdoi Pejgamberi, paqja e Allahut dhe bekimi i Tij qofshin mbi të, pajtoji dhe afroji!"

Shembuj të gjeneratave të arta lidhur me vëllazërimin për hir të Allahut të Lartësuar

Ka thënë Omer Ibnul Abdul Azizi, Allahu qoftë i kënaqur me të: “O njerëz ! Kush do që të rrijë pranë nesh,duhet të ketë pesë gjëra,ose përndryshe më mirë të mos na afrohet :
Të na tregojë për nevojat e tyre që nuk munden të na i tregojnë vetë.
Të na udhëzojnë drejt atyre punëve dhe veprave të mira që ne nuk i dimë.
Të na ndihmojnë me sa mundësi të ketë.
Të mos përgojojë para nesh vartësit e vet.
Të mos përzihet në gjërat që nuk i takojnë.”

Imam Hasan el Basri ka thënë: “Vëllezërit tanë janë më të dashur për ne se familjet dhe fëmijët tanë. Familjet tona na kujtojnë dynjanë, ndërsa ata na kujtojnë ahiretin.”

Imam Jahja ibnu Muadh er-Razi ka thënë: “Ilaçi i zemrave përbëhet nga pesë gjëra: leximi i Kuranit me meditim; mbajtja e barkut bosh (duke agjëruar); falja e namazit të natës; lutja me përgjërim në pjesën e fundit të natës dhe ulja në shoqërinë e të devotshmëve.”

Omer ibnul Hattabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Nuk ka ngelur prej shpirtit të dynjasë diçka tjetër përveç tri gjërave: leximi i Kuranit, falja e namazit të natës dhe ndjenja me vëllezërit besimtarë.”

Ai po ashtu ka thënë: “S’ka mirësi më të madhe që mund t’i jepet një robi, pas fesë islame, sesa një vëlla i devotshëm. Prandaj nëse dikush gjen dashuri te vëllai i tij, të kapet fort pas tij.”

Një poet thotë: “Ti mes njerëzve vlerësohesh nga ata që ke zgjedhur për shok.
Bëhu shok i të përzgjedhurve të lartësohesh dhe të lësh kujtime të bukura.”

Kurse një tjetër poet thotë: “Një ditë pashë baltë te një pëllumb, por në dorën time la erë të mirë. I thashë: “Vallë, a mos je misk apo anber (deodorant), balta mu përgjigj: “Unë kam qenë dhe, por kam qëndruar me lulet dhe më bënë të nderuar (me vlerë).”

“Qëndrova me të mëdhenjtë dhe shtova dituri, e kështu,kush qëndron me dijetarët respektohet.”

Abdullah Ibn Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, u thoshte gjithmonë shokëve të tij: “Ju jeni prehja e zemrës sime, ju jeni prehja e shqetësimeve të mia.”

Ekthem Ibnu Sajfi thotë: “Takimi me të dashurit më largon shqetësimet.”

Talha ibnu Musarrifi, kur takonte ndonjë prej vëllezërve të tij, i thoshte: “Takimi me ty është më i ëmbël sesa mjalti për mua.”

Dhun-nun el Misri thotë: “Jeta bëhet e këndshme duke qëndruar me të devotshmit dhe e gjithë mirësia është e tubuar tek shoku i mirë.”

Jahja ibnu Meini i këshilloi vëllezërit e tij duke u thënë: “Ato që vëllai yt duhet të marrë prej teje le të jenë tri gjëra:
Nëse nuk i bën një dobi, të paktën mos i bëj keq.
Nëse nuk e gëzon, të paktën mos e mërzit.
Nëse nuk e lavdëron, të paktën mos e shaj.”

Njëherë imamit të nderuar Hasan el Benna, Allahu e mëshiroftë, i erdhi një këshillë nga njëri prej vëllezërve të tij dhe këshillën e kishte filluar me fjalët: “Profesor i nderuar, vëlla Hasan el Benna .‘’

Ai menjëherë e mori stilolapsin dhe i fshiu fjalët e para, duke e lënë vetëm fjalën vëlla dhe i tha: “Kjo mjafton dhe është gjëja më e madhe me të cilën mund t’u drejtohesh vëllezërve.”

Imami i nderuar Bekr ibnu Abdull-llah el Muzeni, Allahu e mëshiroftë, e këshilloi njëherë njërin prej vëllezërve të tij duke i thënë: “Nëse shikon dikë që është më i madh se ti, thuaj: “Ky ka besuar dhe ka bërë vepra të mira para meje, prandaj është më i mirë se unë.” Por nëse shikon dikë që është më i vogël se ti, thuaj: “Unë kam bërë mëkate para se të rritej ai, prandaj ai është më i mirë se unë.” Dhe nëse shikon se si vëllezërit e tu të nderojnë dhe të respektojnë, thuaj: “Kjo është një mirësi më shumë që po e fitojnë.” Por nëse shikon se ata nuk të nderojnë dhe nuk të respektojnë aq sa duhet, thuaj: “Kjo vjen për shkak të ndonjë mëkati që kam bërë.”

Një poet thotë: “Kërkoje vëllanë dhe ruaje fort atë. Se ai që s’ka vëlla është si një ushtar që shkon në luftë pa armë.”

Po ashtu një poet tjetër thotë:
Toleroje vëllanë tënd, nëse i përzihen të saktat me gabimet,
Mos e qorto fort nëse një ditë bën gabime apo devijon,
Dhe dije se e ke gabim nëse kërkon dikë që kurrë s’gabon,
Po kush është ai që kurrë nuk gabon dhe bën vetëm të mira?!

Imam Gazaliu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Për gabimin e vëllait tënd duhet të gjesh shtatëdhjetë justifikime dhe nëse nuk i pranon ato, atëherë qortoje veten tënde dhe thuaji zemrës tënde: “Sa e ngurtë je! Vëllai yt ka shtatëdhjetë justifikime dhe ti nuk e pranon asnjërin prej tyre! Atëherë fajin në të vërtetë e ke ti dhe jo vëllai yt.”

Kur dikush u pyet se cili prej vëllezërve është më i dashur për ty, ai tha: “Ai që mbush boshllëqet e mia, që m’i fal gabimet dhe m’i pranon shfajësimet.”

Imam Shafi’iu, Allahu e mëshiroftë, për vëllazërinë dhe cilësitë e vëllait të vërtetë thotë:
“Prej vëllezërve më pëlqen çdo sakrificë dhe çdo ulje të shikimit ndaj gabimeve të mia. Bien dakord me mua për çdo gjë që më pëlqen dhe më ruajnë sa të jem gjallë dhe pas vdekjes sime.
Po ku ta gjeja do të ndaja me të pasurinë time të mirësive.
I kontrollova vëllezërit, por me gjithë numrin e madh pak gjeta të tillë.”

Omer ibnul Abul Azizi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
“Sa herë që dikujt i jap ndonjë pasuri, ajo gjithmonë më duket se është pak. Unë me të vërtetë që kam turp nga Allahu i Madhërishëm që t’i kërkoj ta fusë në xhenet ndonjë nga vëllezërit e mi, kurse unë të tregohem koprrac me të me të mirat e dynjasë, se ndoshta kur të bëhet Dita e Kiametit, do të më thuhet: “Nëse xheneti do të ishte në dorën tënde, do të tregoheshe edhe më koprrac se me dynjanë.”

Omer ibnul Hattabi ka thënë: “Mos u josh dhe mos u mashtro nga oratoria e ndonjërit, por burrë i vërtetë është ai që e çon amanetin në vend dhe nuk cenon nderin e vëllezërve.”

Aliu ka thënë: “Vëlla yt i vërtetë është ai person që, kur ke ndonjë të keqe, vjen e të pyet se ç'hall ke.”

”Ta duash mikun por jo aq shumë, sepse mundet që një ditë edhe të prishesh me të… Mos e shaj aq shumë atë që të është mërzitur, pasi një ditë mund të pajtohesh me të “ .
“Qortoje tët vëlla duke i bërë mirë dhe largoje të ligën e tij, gjithashtu, po me të mirë.”
Njëherë i thanë Hatim ibnu Esammit: “O Ebu Abdir Rahman! Ti je një i huaj dhe sa herë që flet dikush e ndërpret.”
Ai tha: “Unë kam tri cilësi me të cilat dal fitimtar mbi kundërshtarët e mi:
1- Gëzohem kur kundërshtari im thotë të vërtetën.
2- Mërzitem kur gabon.
3- Tregohem i kujdesshëm që të mos e injoroj dhe të tregohem i padrejtë ndaj tij.’’

Kur i dëgjoi këto fjalë imam Ahmed ibnu Hanbeli, Allahu qoftë i kënaqur me të, u habit dhe tha: “Sa i mençur që qenka! Ejani të shkojmë tek ai.” Kur shkuan e pyeti: “O Ebu Abdir Rahman! Si mund të jesh i shpëtuar në këtë botë?”

Ai tha: “O Ebu Abdilah! Nuk mund të shpëtosh nga kjo dynja vetëm se me katër cilësi:

1- T’i falësh njerëzit për paditurinë e tyre.
2- Të mos tregohesh i paditur ndaj tyre.
3- Tu japësh atyre nga gjërat që ke.
4- Të mos i mbash shpresat në gjërat që të japin ata.

Nëse je kështu, ke shpëtuar.

Thotë një poet: “Nëse dëgjojnë nga unë sharje fluturojnë nga gëzimi. Kurse kur dëgjojnë një të mirë e groposin atë.”

Muxhahidi tregon se njëherë e shoqëroi Abdull-llah ibnu Omerin, Allahu qoftë i kënaqur me të, në një udhëtim me qëllim që t’i shërbente atij, por pa se Ibnu Omeri i shërbeu më shumë atij.

Rebia thoshte: “Pjesë e fisnikërisë në udhëtim është të shpenzosh nga pasuria jote, të bësh sa më pak debate me shokët dhe të jesh gazmor me gjëra që nuk e mërzisin Allahun e Madhërishëm.”

Sa bukur që ka thënë një poet: “Bëju të mira njerëzve që t’i robërosh zemrat e tyre, sepse njeriun gjithmonë e robëron mirësia.”

Një person erdhi tek Ali ibnul Husejn ibnu Aliu dhe i tha: “Filani të ka ofenduar”. Atëherë, Aliu i tha: “Eja të shkojmë bashkë tek ai.” U nisën të dy bashkë dhe ai mendonte se Aliu do ta merrte hakun e tij dhe do t’ia kthente dyfishin atij që e kish ofenduar e sa shumë njerëz të tillë që ka. Por ajo që ndodhi ia prishi planet dhe nuk ia dha këtë kënaqësi. Kur Aliu shkoi tek ai, i tha: “O njeri! Nëse ajo që ke thënë për mua është e vërtetë, atëherë Allahu i Madhërishëm më faltë mua, por nëse ajo që ke thënë për mua nuk është e vërtetë, atëherë Allahu i Madhërishëm të faltë ty.”

Për ti këshilluar vëllezërit e tij, në mënyrë që t’i kenë parasysh për të mbrojtur dhe forcuar lidhjen e vëllazërisë dhe ruajtjen e pozitës së saj, Ibn Mesudi ka thënë:
“Unë kam tre detyrime ndaj vëllait tim:
1- Të kthehem drejt tij kur vjen.
2- T’i bëj vend kur të ulet në mexhlis.
3- Ta dëgjoj me vëmendje kur flet. ’’

Një burrë erdhi tek Vehbi, Allahu e mëshiroftë, dhe i tha: “Filani të ka sharë!” Atëherë Vehbi ia ktheu atij duke i thënë: “Po a nuk gjeti shejtani i mallkuar ndonjë postier tjetër për ketë përveç teje?”

Abdullah ibn Mesudi thotë: “Disa prej jush arrijnë t’i shikojnë grimcat e vogla të papastërtive në sytë e vëllezërve të tyre dhe harrojnë trungjet e mëdha në sytë e vet!”

Ebu Derda thotë: “Nëse vëllai yt ndryshon dhe nuk është më si më parë, mos e braktis atë për këtë shkak, sepse vëllai yt, edhe nëse devijon njëherë, përsëri mund të drejtohet.”

Thotë Ejub Esejhatejani: "Në qoftë se do më thoshin se ka vdekur dikush nga pasuesit e Sunetit, do të ishte për mua sikur të humbisja një pjesë të trupit tim."

Nëse njerëzit lidhen dhe duhen për dynja ose për shkak të saj, kjo dashuri shpejt tretet dhe asgjësohet, me tretjen dhe largimin e faktorëve që i ka bashkuar dhe lidhur.

Lutja jonë e fundit është: Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, paqja dhe shpëtimi qofshin mbi Muhamedin, salallahu alejhi ue selem, mbi shokët e tij dhe mbi gjithë ata që e pasojnë deri në Ditën e Gjykimit.

_________________
O ju që besuat, kur bëhet thirrja për namaz, ditën e xhumasë, ecni shpejtë për aty ku përmendet All-llahu (dëgjojeni hutben, faleni namazin), e lini shitblerjen, kjo është shumë më e dobishme për ju nëse jeni që e dini.(El-xhumuah/9)

Peace to you
Super Moderator
Super Moderator

Numri i postimeve : 172
Points : 475
Reputation : 4
Data e Anëtarësimit : 06/02/2010

http://www.feja-islame.webnode.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi